Marrëdhënie seksuale të dhimbshme, shkaqet dhe trajtimi

Dr. Kozeta Mustafaraj, mjeke obstetër-gjinekologe

Dispareunia, përcaktohet si dhembje gjenitale persistente apo e herëpashershme gjatë ose pas marrëdhënieve seksuale. Mund të ndodhë për shumë arsye, nga probleme strukturore deri në ato psikologjike.

Simptomat

•  Dhembje vetëm gjatë penetrimit seksual (në hyrje);

•  Dhembje gjatë çdo penetrimi, madje edhe gjatë vendosjes së tamponit;

•  Dhembje me partnerë të caktuar apo në rrethana të caktuara;

•  Dhembje e re pas marrëdhënieve të padhembshme më parë;

  • Dhembje e thellë;
  • Dhembje djegëse apo therëse.

Shkaktarët

Shkaqet fizike të marrëdhënieve të dhembshme janë të ndryshme, në varësi nëse dhembja ndodh gjatë hyrjes apo në shtyrjen e thellë.
Faktorët emocionalë mund të shoqërojnë disparuenitë e ndryshme.

Dhembje gjatë hyrjes

  • Lubrifikimi i pamjaftueshëm. Kjo ndodh si rezultat i një loje parapërgatitore jo të mjaftueshme, mund të jetë pasojë e rënies estrogjenike pas menopauzës ose gjatë periudhës së ushqyerjes me gji. Gjithashtu, disa lloj medikamentesh japin rënie të dëshirës seksuale apo eksitimit, duke ulur lubrifikimin: si antidepresantët, medikamente për presionin e lartë, sedative, antihistaminike dhe disa nga pilulat kontraceptive.
    • Dëmtime, trauma apo irrritime. Prej ndërhyrjeve kirurgjikale pelvike, episiotomi gjatë lindjes apo anomali kongenitale.
    • Inflamacion, infektion apo çrregullime të lëkurës, infeksione të zonave genitale apo të aparatit urinar mund të jenë shkaktarë për marrëdhënie të dhembshme, si egzema apo dermatite të lëkurës labiale.
    • Vaginismi, spazma të pavullnetshme të muskujve të vaginës mund të bëjnë të dhimbshëm penetrimin.

Dhembje e thellë

  • Disa gjendje apo sëmundje: si endometrioza, sëmundje inflamatore pelvike, prolaps uterine, uterus në retrovertio, fibromioma uterine, cystitis, sindromi i zorrës së irritueshme, hemorroidet dhe ciste të vezores.
    • Trajtime kirurgjikale apo mjekësore. Edhe ndërhyrjet kirurgjikale në pjesën pelvike bëhen shkak për marrëdhënie të dhembshme. Në të njëjtën kohë, terapi si kemio apo radio terapi mund të sjellin ndryshime në organet pelvike, që bëhen burim dhembjesh.

Faktorët emocionalë

  • Probleme psikologjike. Ankthi, depresioni, shqetësimi për pamjen fizike, frika nga intimiteti apo problemet në lidhje, mund të japin një ulje të dëshirës seksuale dhe, si rrjedhim, akt seksual të dhembshëm.
    • Stresi. Muskulatura e dyshemesë pelvike bëhet rixhide në përgjigje të stresit, çka ndikon në dhembjet gjatë aktit.
    • Historia e abuzimit seksual. Shpesh është e vështirë të tregohet nëse faktorët psikologjikë janë shoqërues të dispareunisë. Dhembja fillestare mund të çojë në frikën e kthimit të dhembjes, duke sjellë akoma më shumë dhembje.

Diagnoza

  • Marrja e kujdesshme e historikut të sëmundjes, kohën e fillimit të dhembjeve, atë çka ndjen pacientja, nëse kjo dhembje është në çdo partner dhe në çdo pozicion apo vetëm në pozicione të caktuara.
    • Ekzaminimi pelvik gjatë së cilit shihet për irritime të lëkurës, prani të infeksioneve apo të problemeve anatomike, vendin e dhembjes.
    • Teste shtesë. Ekografi pelvike për të parë probleme të brendshme, tampon për florën bakteriale, vaginale dhe cervikale.

Mjekimi varet nga shkaktari i dhembjes

Nëse gjendet infeksion gjenital, mjekimi i tij do të sjellë përmirësimin e dhembjes. Në rast të medikamenteve për sëmundje të tjera, ndryshimi i tyre, përsëri sjell përmirësim të disparuanisë. Në gratë post-menopauzë, trajtimi me estrogjen lokal dhe lubrifikues është primar në trajtimin e dhembjes.
• Terapi desensibilizimi. Ushtrime relaksuese vaginale (kegel) apo teknika të tjera bëjnë të mundur uljen e dhembjes gjatë marrëdhënieve.
• Terapia dhe këshillimi seksual. Në rast se marrëdhënia seksuale ka qenë e dhembshme për një kohë të gjatë, gruaja mund të ketë një përgjigje emocionale negative ndaj stimulimit seksual edhe pas trajtimit. Kjo mund të ndihmoje edhe përmirësimin e komunikimit apo marrëdhënies me partnerin.
• Ndryshimi i pozicioneve gjatë seksit. Gjatë penetrimit, penisi mund të shtyjë qafën e mitrës dhe të stresojë muskujt pelvikë, duke shkaktuar dhembje të fortë e të mprehtë ose krampe në fund të barkut. Në të tilla raste, duke ndryshuar pozicionin, mund të evitohet kjo dhembje dhe, më i përshtatshëm, është vendosja e gruas në pozicion sipër, duke bërë të mundur që gruaja të kontrollojë thellësinë e penetrimit.
• Komunikimi. Duhet folur me partnerin për mënyrën e realizimit të marrëdhënies, përgatitjen dhe pozicionet.
• Merr kohën e nevojshme. Sa më e zgjatur faza përgatitore, aq më shumë stimulohet për një lubrifikim natyral duke lejuar një penetrim të plotë.
• Përdorimi i lubrifikanteve, masazheve sensuale, masturbimeve të njëkohshme./ Shendeti.com.al

Postime të ngjashme

Erëzat që zvogëlojnë inflamacionin dhe forcojnë trupin
Çfarë duhet të bëni në mëngjes për tretje më të mirë gjatë gjithë ditës
5 shenja që tregojnë se sistemi juaj nervor është i mbingarkuar
5 ushqime që mund të bëhen të rrezikshme nëse nuk gatuhen siç duhet
Gjashtë këshilla të provuara shkencërisht për një tru të shëndetshëm
 Nga bananet te çokllata e zezë, 6 ushqime që ulin nivelet e stresit
Çfarë i bën kafja trupit dhe sa zgjat efekti i saj
Studimi i ri: Dieta me bazë bimore ul rrezikun e demencës