Më pak mish, më shumë jetë

Nga Blerina Bombaj, dietologe

Mishi ka qenë ndër ushqimet që ka ndihmuar njeriun të mbijetojë dhe të evolojë, qindra mijëra vite më parë. Njeriu gjahtar, e ka organizuar jetën e tij rreth gjësë së gjallë, duke shpikur mjetet e gjuetisë dhe duke ndarë punët në familje dhe komunitet rreth ushqimit. Në periudhën e agrikulturës, ai arriti të zbusë dhe mbarështojë kafshë për t’i marrë qumështin dhe mishin. Pas luftës së dytë botërore, filloi edhe prodhimi industrial i mishit. Ky i fundit, rezultoi në një rritje drastike të konsumit të mishit, një rritje që ende po vazhdon, sidomos pas hiper-prodhimit të tij nga vende si Kina.

Konsumi i mishit të kuq, vecanërisht vicit dhe derrit, ka një impakt katastrofik në ambjent, duke nxitur ngrohjen globale, dhe ndotjen e tokës dhe ujrave.
Planeti ynë kërcënohet prej kohësh nga ndotja dhe ndryshimet e rrezikshme klimaterike. Strategjitë e reduktimit të mbetjeve dhe riciklimit të tyre, si dhe prodhimi i energjisë me metoda ekologjike, janë duke zënë një vend gjithnjë e më të rëndësishëm, por shkencëtarët po këmbëngulin për një masë akoma më radikale në stilin tonë të jetesës, e cila mund të jetë nga më të fuqishmet: të hamë shumë më pak mish nga sa jemi mësuar.
Industrializimi i bujqësisë dhe blegtorisë, është një nga nxitësit e shfarosjes më të keqe të specieve, që pas asaj të dinosaurëve, që do të thotë se 96% e gjitarëve sot përbëhet nga njerëzit dhe kafshët e prodhimit të mishit.

Ndotja që i bëhet ekosistemit nga prodhimi industrial i mishit, është më e madhe se ndotja që shkaktohet si rrjedhojë e gjithë makinave, kamioneve dhe aeroplaneve të të gjithë botës. Rritja e kafshëve për mish, rrezikon zhdukjen e shumë kafshëve të tjera, sikurse gjithashtu infekton lumenj, dete dhe ka arritur deri në oqeane.
Në disa vende, është e nevojshme të ulet konsumi i mishit me plot 90%, nëse duam të parandalojmë pasojat dramatike të ndryshimeve të klimës. Duke marre parasysh rritjen shpërthyese të numrit të njerëzve që do të popullojnë botën deri në 2050, edhe bulmeti dhe vezët do duhet të zëvendësohen me shumë ushqime bimore. Pra, faktet po tregojnë se njeriu duhet të kthehet në një – pothuaj vegjetarian, e shprehur ndryshe, me një term më të ri, fleksitarian (flexitarian).

Çfarë do të ndodhë nëse konsumojmë më pak mish?

  • Do të infektohemi më pak nga mikrobet e rrezikshme që transmetohen nga kafshët te njeriu në sajë të mishit.
  • Do të ngarkohemi më pak me antibiotike dhe hormone
  • Do të rrezikojmë më pak nga sëmundjet kardiovaskulare, diabeti dhe disa lloje kanceri.
  • Do të evitojme yndyrna të cilat nxisin inflamacion = sëmundshmëri.
  • Do të evitojmë keqtrajtimin dhe masakrimin e miliona kafshëve cdo vit.

Si mund të zëvendësoni mishin në ushqimin e përditshëm?

Mishi është pa dyshim një ndër ushqimet më të pasura në lëndë ushqyese të domosdoshme si hekuri, zinku, vitamina B12, vitamina A, etj. Por, elementi ushqyes më i cmuar i tij është hekuri. Nëse vendosim të evitojmë mishin e kuq, do duhet të bëjmë zgjedhjet e duhura për të plotësuar këtë mineral të rëndësishëm. Këto zgjedhje janë perimet me ngjyrë jeshile, fasulet, thjerrzat, panxhari, peshku i vogël që konsumohet bashkë me hala, çokollata e zezë, kuinoa dhe kërpudhat. Nga ana tjetër, duhet të rrisim konsumin e ushqimeve të pasura në vitaminë C, për të ndihmuar përthithjen e hekurit.

A duhet të bëhemi vegjetarian?

Jo, nuk është e nevojshme që të eliminoni krejtësisht mishin nga ushqimi juaj, thjesht bëhet fjalë për ta kufizuar konsumin e tij. Ju mund të konsumoni një sasi të vogël mishi (rreth 120gr/javë), të shpërndarë në sasi të vogla në disa vakte, sepse prezenca e tij rrit gjithashtu përthithjen e hekurit që gjendet te ushqimet bimore. Ky rekomandim vlen vecanërisht për mishin e vicit dhe të derrit. Por, mirë është që edhe konsumi i mishit të pulës dhe peshkut të reduktohet në sasitë që rekomandohen për ushqyerje të kompletuar, që do të thotë, 1 herë në javë mund të konsumoni 100-150gr mish pule, dhe 2-3 herë në javë 150gr peshk, mundësisht nga peshkim që mbron ekosistemin.

Nëse dëshironi një të ardhme më të mirë për fëmijet tuaj, filloni nga sot, konsumoni më pak mish!

Postime të ngjashme

Çfarë duhet të bëni në mëngjes për tretje më të mirë gjatë gjithë ditës
5 shenja që tregojnë se sistemi juaj nervor është i mbingarkuar
5 ushqime që mund të bëhen të rrezikshme nëse nuk gatuhen siç duhet
Gjashtë këshilla të provuara shkencërisht për një tru të shëndetshëm
 Nga bananet te çokllata e zezë, 6 ushqime që ulin nivelet e stresit
Çfarë i bën kafja trupit dhe sa zgjat efekti i saj
Studimi i ri: Dieta me bazë bimore ul rrezikun e demencës
6 përfitimet e panxharit