Mediat e lira dhe tranzicioni i vështirë shqiptar

media e lireNga Bekim Brahja

Secili njeri ka të drejtë të patjetërsueshme të shprehet e të flasë lirshëm, pra liria e fjalës, si liri e shprehjes, si mendim, i thënë lirshëm dhe i bërë publik, është ndër vlerat themelore që e dallon qartë shoqërinë demokratike nga shoqëritë e bukerizuara. E vërteta, e thënë me kohë dhe e thënë troç, përbën lajmin e lajmi ka për qëllim informimin, që i bëhet i njohur publikut i cili krijon opinionin duke pasur për këtë edhe qëndrimin e tij, çfarëdo qoftë ai. Pak a shumë, kjo është shprehja e lirë, kjo është liria e fjalës, kjo është liria e shtypit dhe mediave vizive, pra kjo liri nuk ka të bëjë vetëm më mediat, por që përfshin të gjithë spektrin e shoqërisë. Liria e shprehjes si bazë e demokracisë është vetëdija kritike për të gjitha gjërat që na rrethojnë e për të cilat komunikojmë. Kjo është e drejta themelore e njeriut, një nga pararendëset e të drejtave dhe e lirive të tjera qytetare.

Në këtë kuadër, liria e shtypit të shkruar dhe mediave është një gur prove nëse kjo shoqëri është demokratike aq sa duhet apo jo.
Shqipëria si një demokraci relativisht e re,  duke përqafuar praktikën dhe traditën më të mirë të vendeve të demokracisë evropiane, ku gazetarët dhe gazetaria janë hallkë shumë e rëndësishme e përparimit të proceseve demokratike dhe e respektimit të plotë të lirive dhe të drejtave të njeriut bëhet një shembull i tranzicionit të suksesshëm duke qenë të gjithë kontribuues të kësaj.

Shqipëria si një shoqëri në tranzicion ka bërë hapa pozitiv në drejtim të lirisë së shprehjes, në drejtim të mediave të pavarura dhe profesionale, që kanë  ndikuar pozitivisht në të gjitha proceset zhvillimore demokratike të vendit tone, edhe pse në këtë lëmë drejt mediave e gazetarëve profesionistë e të pavarur ka pasur presione. Këto presione, në moment dramatike të shoqërisë, siç ishte viti 1997 dhe ngjarjet tragjike të  21 janarit që çuan në gjakderdhje të këtër protestuesve paqësorë, kanë qenë të skajshme dhe janë shoqëruar me dhunë fizike e psikike, deri me përplasje të rrezikshme me prapavija krjet të errëta, të segmenteve të shtetit dhe inidividë që vepronin në emër të tyre,  .
Gazetarët e kanë mekanizmin rregullues të punës së vet, të kodit të etikës, të sjelljes, të profesionit, respektimi i të cilit i ka bërë që ata të jenë të nderuar për përkushtimin dhe për punën e tyre.
Duke qenë gazetari i lirë dhe i papenguar në ushtrimin e profesionit atëherë është gazetaria e mirëfilltë, e pavarur dhe e paanshme që konsiderohet kontribut i rëndësishëm në zhvillimin e demokracisë së një vendi. Normimi ligjor i lëmisë së informimit i të gjithë pjesëmarrësve në këtë proces gjithësesi e ka për qëllim garantimin e shprehjes së lirë, që të papenguar gazetarët të kryejnë punën e tyre të ndihmuar në dhënien e selektimin e informatave . Vendi ynë ka nevojë për gazetari të angazhuar dhe profesionale, të lirë ta thotë të vërtetën kudo, kurdo dhe ndaj gjithsecilit, por kjo liri jo rrallë është cënuar rëndë nga grupet e interesit privat, nga oligarkia politico-financiare, që kërkon të ruajë monopolet, nga segmente të strukturave të shtetit që sin ë rastin e 21 janarit marrin frymëzime të errëta për të goditur gazetarët profesionistë, lajmin dhe të vërtetën.

“Amnesty International” publikon listën e emrave të gazetarëve të dhunuar nga pushteti ekzekutiv dhe gruoet e interesave klienteliste në Shqipëri, duke pasur si referencë veçanërisht ngjarjet e 21 janarit.

Listimi i disa nga gazetarët, fotoreporterët  dhe analistët më të njohur e më kurajozë të mediave kryesore shqiptare, si gjoja pjesëmarrës në të ashtuquajturin “grusht shteti” të 21 janarit, është një atentat që pushteti ekzekutiv, duke dashur të ruajë monopolin edhe mbi mediat, iu bën gazetarëve, analistëve dhe fjalës së lirë në këtë vend. Në këtë listë përfshihen emra të njohur si Mero Baze, Arian Çani, Andi Bushati, Leon Molla, ish-zëdhënës i Oborrit Mbretëror, një fotoreporter i News 24, që u plagos dhe u detyrua të largohej nga Shqipëria, nga kërcënimet, për shkak të pasqyrimit të saktë të ngjarjes në fjalë,  fotoreporteri  i pavaruar Miklovan Dodani, që ka qenë mjaft aktiv në pasqyrimin e ngjarjeve të atij fundjanari të përgjakshëm, ndaj të cilit ende vazhdojnë presionet,  etj.

Shoqëria shqiptare ka nevojë të ruajë të pastër pavarësinë e pushteteve, por kryesisht atë të “pushtetit të katërt”, që është pushteti i fjalës së lirë, i shtypit dhe mediave të lira, pa të cilat, pa gazetarë, fotoreporterë dhe analistë të lirë e dinjitozë, që të ngrihen kundër çdo interesi klientelist dhe monopolist, nuk mund të ketë një shoqëri të hapur dhe thellësisht demokratike.

Në sytë e qytetarëve të zakonshëm, media është po aq e rëndësishme sa qeveria, parlamenti dhe gjyqësori, pasi ata punojnë në një nivel të së njëjtës rëndësi, duke vepruar si “rojtarë” të së mirës publike. Ritmi i shpejtë dhe vazhdimisht në rritje i zhvillimit politik, ekonomik dhe shoqëror në dy dekadat e fundit, jo vetëm që i ka dhënë të drejtë, por gjithashtu e ka bërë një përgjegjësi të madhe të medias vënien para përgjegjësisë të klasës politike shqiptare.
Si rezultat i këtij detyrimi, media ka fituar fuqinë për të gjeneruar diskutime të hapura dhe për të ndihmuar në krijimin e opinionit publik lidhur me proceset politike. Në fakt, opinioni publik mund të jetë dhe shpeshherë është ndikuar nga fuqia e medias. Është e qartë që kjo “fuqi e dyfishtë” paraqet si mundësi ashtu edhe rreziqe për liderët politik. Pavarësisht kësaj, ndërsa teknologjia moderne ka ecur përpara, mediat janë bërë gjithmonë e më të varura nga burimet financiare në funksionimin e tyre dhe kjo ka bërë që të ndërpriten në një farë mënyre urat perfekte të komunikimit të së vërtetës, duke iu mundësuar gruopeve të interest të bëjnë presione dhe politikës të shantazhojë e të mbajë nën trysni shtypin dhe mediat e lira.

Këtij tranzcioni nuk po i duket askund fundi, ndaj vazhdon të prodhojë ngecje të pushteteve, marrje të kompetencave të të gjitha pushteteve nga pushtetit politik ekzekutiv, por veçanërisht i cënuar ka qenë, është dhe me sa duket do të vazhdojë të mbetet “pushteti i katërt”, shtypi dhe mediat e pavaruara, të lira e dinjtoze, të cilën duhet të kenë vartësi vetëm nga e ndodhura, nga lajmi dhe nga e vërteta.

 

Postime të ngjashme

Vaksinat: Konspiracion apo mbrojtje e jetës?
Kur sëmundjes nuk i japim si terapi ilaçin, por betonin
Si 2025 mund të jetë një vit kyç përparimi për industrinë farmaceutike
Hulumtimet e fundit mbi viruset duhet të ngrenë alarmin, shkencëtarët po na vënë në rrezik
Çfarë është mjekësia e personalizuar?
Nuk ka diskutim: dhuna ndikon në shëndet dhe mirëqenie
Sistemi shëndetësor/ Rama si macja që fajson minjtë pse hëngrën djathin, dhe nginjet me të tërën
Mjeku Aliahmeti: Oksid etileni në akullore do të thotë të helmosh me duart e tua fëmijët!