Vendosja e sistemit të referimit ka sjellë rritje të numrit të pacientëve që kërkojnë shërbim tek mjeku i familjes dhe uljen e fluksit të lartë të pacientëve që kërkojnë shërbim tek mjeku specialist
Elona Tereziu, gazeta “Shëndet+”
Mjeku i familjes është pika e parë e kontaktit të pacientit për marrjen e shërbimit shëndetësor, pa marrjen e referimit të të cilit, qytetarët nuk mund të kryejnë dot vizita tek mjeku specialist (sigurisht flitet për rastet kur pacienti nuk dëshiron të paguajë).
Ndonëse është personi të cilit i besohet i gjithë shëndeti i familjes, shumë pak prej nesh e njohin vërtet rolin e tij, madje në shumë raste përpiqemi ta anashkalojmë duke kërkuar me ngulm mjekun specialist.
Vladimir Shyqyriu, mjek i familjes pranë Qendrës Shëndetësore numër 8 në kryeqytet, me një përvojë 21-vjeçare në fushën e mjekësisë, shpjegon për gazetën “Shëndet+” rolin e mjekut të familjes, sistemin e referimit, si mund të përfitojmë rimbursim të barnave e shumë detaje të tjera që secili prej nesh duhet t’i dijë para se të drejtohet në qëndren e tij shëndetësore.
Doktor, cili është roli i mjekut të familjes në shërbimin parësor?
Mjeku i familjes është pika e parë e kontaktit të pacientit me mjekun për ofrimin e shërbimit shëndetësor.
Shërbimet bazë që ofron mjeku i familjes janë: ndjekja në dinamikë e të sëmurëve kronikë nëpërmjet vizitës mjekësore, ekzaminimeve laboratorike (analiza) periodike, imazherike (eko, grafi, skopi), pëshkrimi i barnave të mjekimit konform diagnozës, protokollit të mjekimit dhe listës së barnave të rimbursuara.
Gjithashtu, kryen vizitat e të sëmurëve që paraqiten për herë të parë tek mjeku (vizita akute) me nozologji të ndryshme, kërkon ekzaminime plotësuese dhe, mbështetur në aftësitë profesionale që ka, vendos diagnozën, ofron shërbim profilaktik (parandalues), si: kontrolli dhe zbulimi në faza më të hershme të kancerit të gjirit dhe kancerit të qafës së mitrës, nëpërmjet ekzaminimeve ekografi, mamografi, pap-test.
Po ky mjek bën kontollin dhe zbulimin në faza më të hershme të sëmundjeve invalidizuese, si: diabeti, dislipidemia (çrregullimi i yndyrnave në gjak), sëmundje kardiovaskulare (të zemrës dhe tensionit), nëpërmjet kontrollit bazë të grupmoshave 40-65 vjeç check-up.
Si zbatohet sistemi i referimit?
Në konceptin tim, sistemi i referimit është një bashkëpunim i domosdoshëm midis mjekut të familjes dhe mjekut specialist në shërbim të pacientit. Vendosja e sistemit të referimit ka sjellë rritje të numrit të pacientëve që kërkojnë shërbim tek mjeku i familjes dhe uljen e fluksit të lartë të pacientëve që kërkojnë shërbim tek mjeku specialist.
Në çfarë stadi kërkohet konsulta me mjekun specialist?
Mjeku i familjes pasi ka kryer vizitën e të sëmurit dhe ekzaminimet përkatëse, në një pjesë të rasteve që dyshon për diagnozën, kërkon mendimin e mjekut specialist. Mjeku i familjes zbaton përshkrimin e mjekut specialist në përgjigjen e rekomandimit, me përjashtim të rasteve kur nuk është konform protokollit të mjekimit dhe listës së barnave.
A respektohet sistemi i referimit?
Ka raste që pacientë të ndryshëm kërkojnë të shmangin vizitën tek mjeku i familjes duke kërkuar shërbim tek mjeku specialist. Unë jam i bindur se mjeku i familjes është plotësisht i formuar profesionalisht për të ofruar shërbimin bazë cilësor.
Si i përfitojnë barnat e rimbursuara të sëmurët që dalin nga spitali?
Të sëmurët pasi dalin nga spitali (shërbimi terciar) në gjendje të mirë shëndetësore, shoqërohen me epikrizë (fletëdalje) të historisë së sëmundjes, diagnozës së shtrimit, diagnozës së daljes dhe skemës së mjekimit.
Me këtë epikrizë pacienti i drejtohet mjekut të familjes për ndjekje të mëtejshme dhe përfitimin e barnave. Mjeku i familjes merr në konsideratë mjekimin e mjekut specialist të vendosur në epikrizë dhe përshkruan barnat me rimbursim konform diagnozës, protokollit dhe listës së barnave.
Gjithashtu, mjeku i familjes e referon të sëmurin tek mjeku specialist përkatës (sekondar) për ndjekjen në dinamike të gjendjes dhe përcaktimit të mjekimit në vazhdimësi.
Duhet theksuar se nuk mund të përshkruhen barna me rimbursim në dy ose më shumë receta me të njëjtën diagnozë gjatë një muaji periodik.
Pra, nëse është dhënë recetë me rimbursim para shtrimit në spital, nuk mund të përfitosh barnat e përshkruara në epikrizën e daljes pa u plotësuar një muaj periodik nga data e marrjes së barnave.
Në rastet kur një person shtrohet në spital dhe mjeku i jep barna që nuk janë në listën e rimbursimit, si veprohet?
Në rastet kur në daljet nga spitali mjeku specialist përshkruan barna jashtë listës së rimbursimit, mjeku i familjes kërkon konsultë me mjekun specialist të qendrës shëndetësore për përfitimin e barnave alternative të listës së rimbursimit konform diagnozës së daljes nga spitali dhe gjendjes aktuale të konstatuar nga mjeku specialist gjatë vizitës.
Në rastet kur një pacient merr ilaçe nga specialisti pa referimin e mjekut të familjes, a mund t’i marrë barnat me rimbursim? Nëse po, si? Nëse jo, pse?
Siç e thashë edhe më lart, vizita te mjeku specialist realizohet përmes sistemit të referimit, pra rekomandimit nga mjeku i familjes. Në rastet kur vizita është urgjente, pavarësisht nëse është pajisur apo jo me rekomandim nga mjeku i familjes, pacienti merr shërbim nga mjeku specialist, i cili pasi vendos diagnozën dhe terapinë (mjekimin) i drejtohet mjekut të familjes me dokumentacion konform protokollit për monitorim të gjendjes dhe përfitim të barnave të rimbursueshme.
Rastet e nënave shtatzënë ndiqen nga mjeku i familjes apo dërgohen te mjeku specialist?
Këtu duhet të bëjmë një dallim për zonat e largëta dhe për qytetet. Në zona të largëta është mjeku i familjes ai që ndjek gruan shtatzënë për shkak të mungesës së specialistit, ndërkohë që në zonat e tjera, ndjekja e gruas shtatzënë bëhet nga mjeku specialist obstetër-gjinekolog i konsultorit të gruas, konform protokollit të miratuar nga Ministria e Shëndetësisë.
Në rastet e nënave shtatzëna që preferojnë të ndiqen në privat, pa u marrë me mjekun e familjes, si veprohet me lejen e lindjes? Kur e jep lejen mjeku i familjes dhe kur jo?
Që një nënë të ndjekë shtatzëninë në spitalet private, është e drejta e saj. Në raste të tilla ajo humbet paralindjen, që shkon në 35-45 ditë deri në 60 ditë për rastet e binjakëve. Kjo për faktin se ajo nuk ka një kartelë të hapur te mjeku i familjes.
Ndërkohë leja e paslindjes jepet e plotë pavarësisht se kush e ka ndjekur shtatzëninë.


