Kryefaqja Shendeti a-z D Nivelet e ulëta të sheqerit në gjak: rreziku, shkaqet dhe pasojat

Nivelet e ulëta të sheqerit në gjak: rreziku, shkaqet dhe pasojat

0
Shpërndaje

Dr. Dashamir Gjergji, endokrinolog pranë Poliklinikës së Specialiteteve nr. 3, Tiranë

Hipoglicemia është një term mjekësor që përdoret për të përshkruar nivelet e ulëta të sheqerit në gjak. Sheqeri në gjak është i domosdoshëm për organizmin, për të krijuar energji dhe që organizmi të funksionojë normalisht.

Kur vlerat e sheqerit janë më të larta se sa norma p.sh. 126mg/dl konsiderohet diabet i sheqerit dhe kur vlerat janë më pak se 70 mg/dl ndodh e kundërta e diabetit ose hipolicemia (rënia e sheqerit).

Pra, siç kuptohet, nivelet e ulëta të sheqerit janë e kundërta e diabetit, por nga rreziqet që mbart ky fenomen, kërkon informacion dhe kujdes po aq sa diabeti dhe sëmundje të tjera metabolike.

Kjo gjendje mund të ndodhë tek të sëmurët që janë me diabet, por mund të ndodhë edhe tek personat që nuk janë të sëmurë me diabet.

Shumica e të sëmurëve me diabet thuajse kanë kaluar një apo disa episode të rënies së sheqerit gjatë jetës së tyre, por mund të ndodhë që, përpara se të shfaqet diabeti, të shfaqet me ulje të vlerave të sheqerit në gjak. Kjo gjendje ndodh më tepër tek personat diabetikë të tipit 2 që janë obezë apo mbipeshë.

Rënia e sheqerit e ka gjithmonë një shkak ndaj themi se tek të sëmurët me diabet rënia e sheqerit ndodh zakonisht:

  • kur marrin më shumë nga ç’duhet insulinë si mjekim
  • kur marrin më shumë seç duhet barna për uljen e sheqerit
  • kur vonojnë ose harrojnë marrjen e një vakti ushqimor
  • kur bëjnë aktivitete të forta fizike
  • kur marrin ushqime me përmbajtje të paktë të karbohidrateve
  • kur pinë shumë alkol apo dhe sasi të pakta të tij të pashoqëruar me ushqim

Rënia e sheqerit zakonisht vjen në mënyrë graduale dhe kalon nga gjendje të lehta në gjendje më të rënda. Shenjat që hasen më shpesh te njerëzit që bëjnë rënie të lehta të sheqerit në gjak janë:

  • Ndjesia e urisë (kanë shumë uri)
  • Dridhje ose shkundje të trupit
  • Djersë e shtuar
  • Fytyrë e zbehtë
  • Puls i shpejtë
  • Ankth dhe irritim
  • Errësim të pamjes

Ndërsa shenjat klinike që ndodhin më shpesh te të sëmurët me rënie të mëdha të sheqerit janë:

  • Vështirësi në përqendrim
  • Sjellje të çuditshme
  • Mjegullim ose konfuzion

Duke pasur parasysh këto shenja klinike, shumica e të sëmurëve me diabet  me të ndjerë një nga shenjat e mësipërme, duhet të tentojnë të marrin sasi të caktuara të sheqerit në mënyrë të menjëhershme ose të kërkojnë ndihmë mjekësore.

Mjekimi më i shpejtë që mund të kryhet, janë marrja e ushqimeve me përmbajtje të lartë sheqeri dhe që thithen shpejt, të cilat mund të jenë një gotë me lëng frutash, tableta glukoze, një gotë me sheqer të përqendruar, 5-6 karamele të vogla që thithen shpejt etj.

Nëse rënia e sheqerit është më e rëndë dhe këta të sëmurë nuk mund ta trajtojnë vetveten, atëherë stafi mjekësor mund të bëjë të mundur dhënien e glukozës në formë xheli, në formë injeksionesh apo me serum. Në raste shumë të rënda, kur i sëmuri është i pavetëdijshëm, personat e autorizuar kryesisht stafi mjekësor mund të injektojë dhe ampula të glukagonit. Sigurisht, në raste të rënda kërkohet suport mjekësor profesional.

E rëndësishme është që në të tilla raste, nëse i sëmuri nuk është i aftë të gëlltitet, atëherë nuk i duhet dhënë asgjë nga goja dhe në kushtet e humbjes së vetëdijes duhet vendosur në pozicion shtrirë me kokën e kthyer lehtazi nga pas, në mënyrë që gjuha të mos bllokojë rrugët ajrore.

Te diabetikët që përdorin aparatet e matjes së sheqerit, ideale është që në kushte të tilla të bëjnë matje jo vetëm në momentin e rënies, por edhe në vazhdim.

Në praktikën klinike është shumë i njohur “rregulli i pesëmbëdhjetës” për trajtimin e rënies së sheqerit, që do të thotë jep 15 gr sheqer dhe përsëritet çdo 15 minuta duke bërë dhe matjet e sheqerit në të njëjtin interval kohor.

Kur gjendja klinike përmirësohet dhe aparati tregon vlera normale të sheqerit, atëherë këto subjekte për të parandaluar rënien e sheqerit më tej, duhet të marrin nga 10-15 gr karbohidrate me veprim të gjatë, që mund të jetë një frut, gjysmë sanduiçi, gjysmë tasi me drithëra, biskota me qumësht dhe vakti tjetër ushqimor që pason këtë episod është i detyruar.

Ka raste kur hipoglicemia ndodh gjatë natës e sidomos në gjumë. Shpeshherë, rënia e sheqerit në gjumë i bën të zgjohen këto subjekte, por ka dhe raste të tjera, sidomos te diabetikët e tipit të parë të trajtuar prej kohësh që gjatë natës mund të mos kenë shenja klinike tipike, por të ndiejnë vetëm dhimbje koke, lodhje, vështirësi për t’u zgjuar etj. Rëniet e sheqerit gjatë natës në të shumtën e rasteve kanë të bëjnë me mjekimin e të sëmurëve me diabet dhe zakonisht ndodhin nga ora 2-3 e natës.

Rënia e sheqerit gjatë natës mund të jetë si në forma të lehta, ashtu dhe të rënduara, por fatkeqësisht në disa raste këta të sëmurë nuk e ndiejnë dhe nuk kërkojnë ndihmë, për rrjedhojë në disa raste mund të ketë dhe pasoja fatale.

Për të parandaluar rënien e sheqerit gjatë natës, diabetikët duhet të mbajnë produkte të sheqerosura pranë krevatit ose mund të marrin një vakt të lehtë ushqimor 60 minuta para fjetjes, p.sh: biskota , qumësht ose fruta.

Ka raste që hipoglicemia mund të ndodhë gjatë aktivitetit fizik të tepruar, sidomos te personat e pastërvitur që kalojnë nga një jetë sedentare në një regjim intensiv sportiv. Rënia e sheqerit mund të ndodhë në moment gjatë aktivitetit fizik, por mund të ndodhë edhe 1 ose 2 ditë pas këtij aktiviteti.

E rëndësishme është që para aktivitetit fizik të sëmurët me diabet të bëjnë matjen e sheqerit dhe nuk duhet të ushtrohen asnjëherë fizikisht nëse vlerat e sheqerit në gjak janë më pak se 100 mg/dl dhe më shumë se 250 mg/dl. Gjithashtu, mund të përdorin karbohidrate të gatshme ose ushqime me karbohidrate të thjeshta para aktivitetit. Formë tjetër e parandalimit të rënies së sheqerit gjatë aktivitetit fizik, mund të jetë mbajtja e vlerave të sheqerit pak më të larta se norma e kërkuar e sheqerit në gjak, apo të praktikojnë uljen e dozave të insulinës ose barnave 6-24 orë para aktivitetit.

Rënia e sheqerit  mund të ndodhë edhe gjatë udhëtimit sidomos kur këta të sëmurë janë në timon.

Sigurisht, në makinën e secilit diabetik nuk duhet të mungojnë kurrë produkte me glukozë, karamele, biskota, xhel biskotash, lëng frutash etj,

Çdo diabetik sapo të ndiejë një nga elementet klinike që ngjason me shenjat e rënies së sheqerit, duhet të kalojë menjëherë në anën e sigurt të rrugës, të ndalojë makinën dhe të fillojë të marrë produkte të sheqerosura.

Nuk rekomandohet që të drejtojë automjetin brenda 60 minutave pasi i ka ndodhur ky episod, pra duhet të sigurohet që niveli i sheqerit është normalizuar.

Tek të sëmurët diabetikë ose jo diabetikë një nga shkaqet kryesore të rënies së sheqerit është konsumimi i alkolit, sidomos marrja e dozave të larta dhe në veçanti kur alkoli pihet i pashoqëruar me ushqime ose vakte ushqimore. Shenjat e rënies së sheqerit dhe në rastet kur shkaktohet nga alkoli janë pak a shumë të ngjashme siç i trajtuam më lart, po ashtu edhe trajtimi dhe ekulibrimi i vlerave të sheqerit është i ngjashëm me trajtesën e mësipërme.

Shkaqe të tjera që mund të sjellin rënien e sheqerit, përveç diabetit, janë dhe shumë sëmundje të tjera të organizmit:

Sëmundje tumorale, p.sh. të gjendrave endokrine, tumorët e pankerasit që shoqërohen me prodhim të tepërt të insulinës, sëmundje të tjera të rënda siç mund të jetë ciroza e mëlçisë, sëmundje të veshkave etj.

Deficitet hormonale mund të jenë një tjetër shkak, por nuk duhet të harrojmë se jo në pak raste rënien e sheqerit e shkaktojnë shumë barna jo vetëm për diabetin, por dhe për sëmundje të tjera.

Jo rrallëherë ndërhyrjet kirurgjikale në sistemin tretës, si në stomak, mëlçi, zorrë etj, shkaktojnë episode të rënies së sheqerit.

Në persona të caktuar mund të ndodhë edhe hipoglicemi reaktive ose ushqimore. Tipike për këto raste është rënia e sheqerit pas orës së dytë dhe të tretë të ushqimit, periudhë që nuk duhet të ndodhë te njerëzit normal. Kjo vjen për shumë shkaqe dhe në të shumtën e rasteve nuk kërkon mjekim me barna, por vetëm rregullim të dietës dhe sasive të karbohidrateve, marrja e shpeshtë dhe në sasi të vogla të ushqimeve. Kjo formë e rënies së sheqerit nuk është shumë e rëndë, sepse nuk është organike, por thjesht funksionale.

Si përfundim, të gjithë të sëmurët që vuajnë këtë fenomen, duhet të këshillohen për të vlerësuar shenjat, për të gjetur shkaktarët e hipoglicemisë, si dhe për të  trajtuar dhe normalizuar vlerat e sheqerit në gjak.

Nëse kjo gjendje nuk trajtohet në kohë, i sëmuri mund të humbë vetëdijen, të rrëzohet, të aksidentohet, të vuajë pasojat e mosushqyerjes së trurit me sheqer, por mund të komplikohet edhe me kriza të zemrës, enëve të gjakut etj.

LËR NJË MESAZH

Please enter your comment!
Please enter your name here