Një mjek i urgjencës ka ndarë një test të thjeshtë që zgjat vetëm një minutë dhe që mund të sinjalizojë një sëmundje të rrezikshme të zemrës, potencialisht fatale nëse nuk diagnostikohet dhe trajtohet në kohë.
Dr. Joe Whittington, specialist i mjekësisë emergjente në Kaliforni, shpjegon se ky test, i cili konsiston në shtrirjen e gishtit të madh përtej kyçit të dorës, mund të tregojë rrezik të shtuar për një aneurizëm të aortës.
Aneurizma e aortës ndodh kur aorta, arteria kryesore që çon gjakun nga zemra në pjesën tjetër të trupit, zmadhohet apo fryhet, gjë që mund të çojë në çarje të saj. Një çarje e tillë është shpesh fatale për shkak të gjakderdhjes së brendshme, nëse nuk ndërhyhet menjëherë me operacion.
Në një video në TikTok me mbi 230,000 shikime, Dr. Whittington tregon:
“Ngrini dorën si për t’i thënë dikujt ‘ndalo’ dhe përpiquni të shtrini gishtin e madh sa më shumë drejt pjesës tjetër të dorës. A ndalet këtu… apo kalon përtej skajit të pëllëmbës? Nëse kalon, atëherë testi është pozitiv.”
Sipas tij, nëse gishti i madh tejkalon skajin e pëllëmbës, kjo mund të tregojë që indet lidhëse të trupit janë tepër elastike, një veçori që mund të përfshijë edhe arteriet dhe të rrisë rrezikun për aneurizëm apo çarje të tyre.
Ai përmend një studim të vitit 2021 të botuar në American Journal of Cardiology, i cili zbuloi se 60% e pacientëve me aneurizëm aorte kishin rezultat pozitiv në këtë test.
Testi i “gishtit të madh në pëllëmbë” është lidhur me një rrezik më të lartë për aneurizëm të aortës sipas një studimi të Yale, ku afro 60% e pacientëve me këtë sëmundje rezultuan pozitivë.
Por mos u alarmoni menjëherë, ky test nuk do të thotë automatikisht se keni një aneurizëm. Ai është vetëm një tregues i mundshëm për elasticitet të lartë të indeve lidhëse, që përfshin edhe aortën.
Nëse gishti kalon skajin e dorës, veçanërisht nëse keni histori familjare me probleme kardiovaskulare apo çrregullime të indeve lidhëse, është mirë të konsultoheni me mjekun.
Elasticiteti është i mirë… por jo kur ndodhet në arterie.
Si ta bëni testin:
Ngrini dorën si për t’i thënë dikujt “ndalo”.
Mbani pëllëmbën hapur dhe shtrini gishtin e madh sa më shumë drejt gishtit të vogël.
Nëse gishti i madh arrin në mes të pëllëmbës, kjo është brenda normales.
Por nëse kalon skajin e dorës, mund të jetë një tregues për rrezik të mundshëm të aneurizmës së aortës dhe duhet kontrolluar mjekësisht.
Ky test iu dha 305 pacientëve që iu nënshtruan ndërhyrjes kirurgjikale për sëmundje të ndryshme të zemrës, përfshirë edhe aneurizmat. Edhe pse shumica e pacientëve me aneurizëm nuk rezultuan pozitivë në test, ata që rezultuan kishin një probabilitet dukshëm më të lartë për të pasur aneurizëm.
Vlerësohet se rreth 5,000 njerëz humbin jetën çdo vit në Mbretërinë e Bashkuar për shkak të problemeve me aortën – ku aneurizmat dhe çarjet janë ndër shkaqet kryesore.
Shumë aneurizma nuk shfaqin simptoma derisa të çahen, por mund të zbulohen rastësisht gjatë kontrolleve rutinë dhe të menaxhohen me barna për uljen e presionit të gjakut për të shmangur përkeqësimin.
Ato që shfaqin simptoma zakonisht shkaktojnë:
- dhimbje në kraharor, qafë apo shpinë,
- enjtje të fytyrës, qafës dhe krahëve,
- kollë, fishkëllimë në frymëmarrje, vështirësi në frymëmarrje apo kollë me gjak.
Edhe nëse keni një rezultat pozitiv në testin e gishtit dhe pëllëmbës, “nuk ka vend për panik”, thekson Dr. Whittington.
“Është e rëndësishme të bisedoni me mjekun për të bërë vlerësime të mëtejshme mbi ndonjë çrregullim të mundshëm të indeve lidhëse.”
Ekzistojnë mbi 200 çrregullime që prekin indet lidhëse, të ndara në disa lloje – dhe ky test mund të jetë një sinjal i parë për të kërkuar ndihmë mjekësore.