Farmacistët: Maksi Bratko, Pjerin Samara
Kur flitet për marrjen e ushqimeve, ka një fakt që duhet ta marrim parasysh dhe ky është përdorimi i acidit yndyror Omega 3, që ka rëndësi të madhe për shëndetin e trupit dhe në veçanti për trurin. Sot shumë të pakët në numër janë ato lëndë ushqyese që janë studiuar kaq mirë dhe rrënjësisht sa acidet yndyrore esenciale.
Le të shikojmë cilat janë përfitimet kryesore nga përdorimi dhe ku mund ta gjejmë Omega -3 Në radhë të parë Omega -3 e gjejmë te peshqit, sidomos në ata të yndyrshmit si: salmoni, haringat, trofta, sardelet, toni etj., të cilët janë burimi më i thjeshtë dhe më i mirë i furnizimit me Omega -3, që është pjesë e rëndësishme mbi funksionimin e receptorëve të qelizave.
Ato ndihmojnë edhe në mjekimin e depresionit dhe gjendjes alarmante. Doza ditore e rekomanduar e marrjes së tyre është nga 1000 deri 3000 mg. në ditë. Por në disa raste të veçanta, mund të merret edhe më shumë. Në shtatzëni Omega-3 siguron zhvillimin plotësisht të drejtë të embrionit.
Më vonë përsëri në jetë ajo ul riskun e demencës dhe sëmundjes së Alzheimerit,si dhe riskun e sëmundjeve kardiake, ajo ul tensionin e lartë arterial, koagulimin e pllakave arteriale, rrit kolesterolin e mirë (HDL), përmirëson shëndetin e gjymtyrëve dhe mbron nga kanceri. Me një fjalë ka veprim mjekues të përgjithshëm.
Ushqime të pasura me Omega- 3 veç peshqve që janë burimi kryesor i furnizimit me Omega – 3 të organizmit ka edhe bimë, barishte dhe zarzavate që janë ideale për persona që nuk preferojnë produktet e peshkut apo që janë vegjetarian dhe këto janë: 1- Farat e Lirit është bima më e pasur në botën bimore me Omega 3 dhe që mund të futet lehtë në dietën ditore të ushqimit tonë duke përgatitur një qull me fara liri me kos, për t’u ushqyer në mëngjes ose të përziejmë ato me fruta a me variante të tjera. Duhet të kihet parasysh se farat e lirit janë të vështira për t’u absorbuar, prandaj rekomandohet që ato, më mire të përdoren të bluara dhe kjo mund të arrihet duke i thërrmuar në mullirin e kafesë ose me robotin e kuzhinës. Por ato, mund të merren edhe në gjendje vajore nëpër kapsula. 2- Barishte me ngjyrë jeshile të errët si përshembull një sallatë e madhe me spinaq, rukola etj. Janë një burim i shkëlqyer për omega-3.
Por mund të përdoren edhe selino, brokoli, lakër jeshile, presh, speca jeshilë, bizele, kungulleshka, marule, kastraveca etj. 3- Arrat janë të pasur me Omega-3 dhe mund të plotësonin një pjesë të nevojave ditore me të. Por mjerisht ato nuk mund të përdoren pasi nuk plotësojnë të gjithë nevojat ditore, pasi ¼ e gotës me arra siguron vetëm 14 % të nevojës ditore, por siç dihet ato kanë shumë kalori dhe nuk mund të merren në sasi të madhe, sidomos nga persona me peshë të madhe dhe që luftojnë të “rrëzojnë” ca kile të tepërta.
Por mund të përdoren disa arra nëpër sallata jeshile për të plotësuar një pjesë të trupit me Omega -3. 4- Soja është një zëvendësuese e mirë dhe mund të plotësojë deri 7 % të nevojave me Omega-3, për këtë arsye ajo rekomandohet të merret e kombinuar me ushqime të tjera. 5- Bimë që rriten në ujë – Një burim i mirë i Omega -3 për vegjetarianë ose për ata që s’u pëlqen shija e peshkut, për të plotësuar nevojat e tyre, janë bimësia që rritet në ujë. Ato përmbajnë acidet yndyrore DHA dhe EPA, si tek peshqit, por që në ndryshim nga ata nuk përmbajnë metale të rënda apo kimikate helmuese, si disa lloj peshqish, të cilët sot për shkak të përmbajtjes së madhe të metaleve të rënda dhe kimikateve toksike, nuk rekomandohen të konsumohen. Në realitet bimësia ujore veç Omega-3, përmban edhe Vitamina e substanca të tjera, të cilat japin një ndihmë të jashtëzakonshme në forcimin e të parit, trurit dhe gjymtyrëve. Ka shumë llojet prodhime të Omega -3, por më të rëndësishëm janë tre acidet yndyrore që po përmendim (vetëm me inicialet) me termat kryesore ALM, EPA, dhe DHA . ALM gjendet sidomos në pjesën më të madhe të bimësisë ujore. Pavarësisht burimit prej nga do të merret Omega-3, e rëndësishme është që ajo të jetë prezent në dietën tonë, sepse në të vërtetë, ajo është shumë e rëndësishme për një shëndet sa më të mirë.


