Përbërësit
- 2-3 patëllxhanë
- 2-3 patate
- 2 vezë
- 50 gr djathë të grirë
- 2 feta bukë
- Pak kripë
- Pak miell
- Pak vaj
I ndajmë patëllxhanët përgjysmë për së gjati dhe i vëmë të ziejnë derisa të zbuten (derisa piruni mund t’i shpojë kollaj) në një enë tjetër vëmë të ziejnë 2 ose 3 patate.
Kur i heqim patëllxhanët nga uji i vendosim sipër një mbulese që t’u pijë ujin dhe me një lugë u heqim pjesën e brendshme dhe u lëmë veç lëkurën. Pasi të jenë zier patatet, u derdhim ujin dhe shtojmë zemrat e patëllxhanëve duke i shtypur më pas si pure. Shtojmë 2 vezë, djathë të grirë dhe tulin e bukës të lagur më parë më kripë.
I përziejmë mirë të gjitha bashkë me dorë (njëlloj si veprojmë për të bërë qofte)
Me këtë përbërje mbushim patëllxhanët dhe i spërkasim sipër me pak miell. I skuqim në tigan ku vaji të nxehet mirë përpara në mënyrë që mos të marrin shumë vaj (duhet të kemi kujdes që t’i spërkatim me miell në momentin që do t’i vëmë për t’u skuqur, jo përpara që të mos laget mielli nga mbushja). I skuqim mirë nga të dy anët dhe në pjatën që do t’i hedhim, vendosim letër kuzhine në mënyrë që të thithë vajin. Mundësisht të serviren të ngrohta.


