Kryefaqja Kuzhina Përshesh me kulaç gruri dhe gjel deti (recetë tradicionale nga mamaja)

Përshesh me kulaç gruri dhe gjel deti (recetë tradicionale nga mamaja)

1
Shpërndaje

Përgatiti për “Shëndet+”: Daniela Bardhi

Përsheshi dhe gjeli i detit janë pjata kryesore e çdo familje shqiptare për darkën e Vitit të Ri. Gjatë kalimit të viteve kjo recetë ka ndryshuar duke i future elemente shtesë. Në këtë postim do t’ju paraqesim recetën tradicionale se si gatuhet përsheshi me kulaç gruri dhe gjel deti.

Gjeli i detitPërbërësit për kulaçin:

  • 1 kg miell
  • 1 lugë çaji sodë buke
  • Kripë
  • 2 vezë
  • Ujë

Përgatitja: marrim miellin dhe i bëjmë një gropë të vogël në mes. Dalëngadalë i shtojmë vezët, kripën, sodën dhe ujin. E punojmë miellin mirë me dorë, derisa të formohet një brumë kompakt (jo shumë i fortë). Merrni një tepsi, lyejni me pak vaj dhe shtroni brumin, të cilin mund ta dekoroni me dhëmbët e pirunit. Piqeni kulaçin në temperaturën 200 gradë, derisa ai të marrë një ngjyrë të artë në sipërfaqe. Pasi ta nxirrni kulaçin nga furra, mbështilleni atë me një pecetë të thatë dhe lëreni të qëndrojë vertikalisht, në mënyrë që most ë thahet dhe të mbajë fortësinë e duhur.

Përgatitja e përsheshit: Merrni një tenxhere të thellë dhe hidhni gjelin e detit, ujë dhe kripë. Ndërkohë që mishi i gjelit të detit po gatuhet përgatisni përsheshin.

Përbërësit e përsheshit:

  • Kulaçi që përgatitët më sipër
  • Lëngu i gjelit të detit
  • Të brendshmet e gjelit të detit (nëse nuk doni mos i përdorni)
  • Gjalp ose vaj ulliri
  • Kripë dhe erëza si nenexhik i thatë, rigon, piper.

Merrni një tigan të thellë dhe shkrini gjalpin ose vajin e ullirit dhe kavarsisni qepën, të cilën duhet ta prisni në copa të vogla. Më pas shtoni edhe të brendshmet e gjelit të detit, të cilat duhet t’i prisni gjithashtu në copa të vogla. Kur qepa të ketë marrë ngjyrë transparente, shtoni kulaçin të cilin duhet ta keni thërrmuar më parë në copa të vogla. Ndërkohë hidhni dalëngadalë lëngun e gjelit të detit, derisa të mbulohet sipërfaqja e kulaçit të thërrmuar. Rregullojeni shijen me kripë, nenexhik, rigon dhe erëza të tjera që dëshironi. Mbulojeni përsheshin me kapak, derisa lëngu i mishit të jetë bashkuar tërësisht me kulaçin.

Në përfundim, servireni përsheshin të nxehtë të shoqëruar me një copë mishi nga gjeli i detit.

Ju bëftë mirë dhe Gëzuar Vitin e Ri!

1 Koment

LËR NJË MESAZH

Please enter your comment!
Please enter your name here