Studimet dhe praktika klinike kanë treguar që psoriasi shoqërohet edhe me sëmundje, si: diabet, hipertension, nivel të lartë të yndyrnave në gjak, prekje të arterieve të zemrës (koronareve) duke rrezikuar edhe infarkt të zemrës
Denisa Canameti
Psoriasi është një sëmundje kronike e lëkurës, e përhapur në gjithë rruzullin tokësor. Kjo sëmundje mund të shoqërohet edhe me komplikacione të tjera shumë të rëndësishme për shëndetin si: diabet, hipertension, nivel të lartë të yndyrnave në gjak, prekje të arterieve të zemrës (koronareve) duke rrezikuar edhe infarkt të zemrës.
Migena Vargu, mjeke dermatologe në QSUT, në një intervistë për lexuesin e gazetës “Shëndet+” shpjegon se edhe në studimin që është bërë në vendin tonë, ka rezultuar që pacientët me psoriasis preken më shumë nga diabeti sesa individët që nuk e kanë këtë sëmundje lëkure.
Mjekja flet për moshën në të cilën shfaqet kjo sëmundje, shenjat klinike, si dhe për sëmundjet bashkëshoqëruese.
Doktoresha, çfarë është psoriasi dhe a njihet kjo sëmundje në vendin tonë?
Psoriasi është një sëmundje kronike jongjitëse e lëkurës. Ajo është e përhapur në tërë rruzullin tokësor. Individët që preken nga psoriasi, janë shtuar vitet e fundit shumë edhe në vendin tonë.
Në çfarë moshe mund të shfaqet sëmundja dhe cila është gjinia më e prekur?
Mund të shfaqet për herë të parë në çdo moshë, nga fëmijëria e hershme deri në moshë adulte, me një moshë mesatare rreth të 30-ve. Ndërkohë, të dy sekset preken thuajse njëlloj.
Çfarë e shkakon sëmundjen?
Mendohet që në shfaqjen e sëmundjes luajnë rol faktorët gjenetike dhe ambjentale së bashku (për shembull, infeksionet. Sidomos ato nga streptokoku, stresi, konsumimi i alkoolit, pirja e duhanit, mjekime të ndryshme apo trauma të shkaktuara në lëkurë).
Cilat janë shenjat klinike me të cilat shfaqet sëmundja?
Sëmundja karakterizohet nga pllaka eritematoze (të skuqura), të induruara (të trasha në prekje), të mbuluara me kore (skuamë) me ngjyrë të bardhë.
Cilat pjesë të trupit preken më tepër nga psoriasi?
Zonat e lëkurës më tipike të prekura nga psoriasi mund të jenë: bërrylat, gjunjët, lëkura e kokës, por mund të preket çdo pjesë e trupit, madje ka raste rreth 80-90% e sipërfaqes së lëkurës.
Cilat sëmundje e bashkëshoqërojnë psoriasi?
Studimi i psoriasit dhe bashkëshoqërimi i tij me sëmundje të tjera është objekt i studimeve të vazhdueshme.
Kështu, studimet dhe praktika klinike kanë treguar që psoriasi shoqërohet edhe me sëmundje, si: diabet, hipertension, nivel të lartë të yndyrnave në gjak, prekje të arterieve të zemrës (koronareve) duke rrezikuar edhe infarkt të zemrës etj.
Si ndikon kjo sëmundje në psikologjinë e individit që e mbart?
Psoriasi është një sëmundje klinikisht mjaft e dukshme, e cila bën që individi që vuan nga psoriasi, të ketë një impakt negativ në cilësinë e jetës dhe në marrëdhëniet ndërsociale.
Kështu, individët që kanë psoriasis dhe ata që janë mbipeshë (obezë), ndajnë përvoja psikologjike të ngjashme.
Por nga ana tjetër zakonet e të jetuarit apo impakti psikologjik i vetë psoriasit (për shembull, mënyra e të ngrënit, pirja e alkoolit, duhanit, stresi dhe ulja e aktivitetit fizik si rrjedhojë e simptomave të psoriasit ose vështirësive në raportet ndërpersonale) mund të bëhen shkak për rritjen e masës trupore dhe atyre që quhen sindroma metabolike (obezitet në zonën e barkut, nivel i lartë i yndyrnave, presion i lartë i gjakut, diabeti). Duhanpirja mendohet që nxit shfaqjen e psoriasit, por është edhe një faktor që luan rol në rëndesën e sëmundjes.
Pse është e rëndësishme të theksohet fakti që psoriasi është një sëmundje që sjell edhe ndërlikime të tjera? A janë vetëm pacientët ata që duhen ndërgjegjësuar në këtë rast?
Theksuam më lart që psoriasi shoqërohet edhe me ndërlikime të tjera. Kështu, edhe në studimin që është bërë në vendin tonë, ka rezultuar që pacientët me psorias preken më shumë nga diabeti sesa individët që nuk e kanë këtë sëmundje lëkure.
Po kështu, ata janë edhe më të riskuar për sëmundje të arterieve koronare (zemrës).
Fakti që i vihet theksi idesë që psoriasi nuk është vetëm një sëmundje që prek lëkurën, por edhe sisteme apo organe të tjera, bëhet për të ndërgjegjësuar mjekët, por edhe vetë individët që vuajnë nga psoriasi për rëndësinë e trajtimit dhe ndjekjes së kujdesshme. Jo vetëm për lëkurën, por edhe për shqetësimet e tjera që i shoqërojnë.


