Mjekja zbulon ushtrimet më efektive për rënien në peshë

Në ciklin e podcasteve “Obeziteti, le të flasim për të”, mjekja endokrinologe Renta Sanxhaku ka folur për aktivitetet fizike që mund të ndihmojnë në rënien dhe menaxhimin e peshës, duke theksuar se nuk është e nevojshme të nisësh menjëherë me ushtrime intensive.

Sipas saj, ecja është një nga format më të thjeshta dhe më të aksesueshme të aktivitetit fizik, e cila mund të përshtatet për persona të moshave të ndryshme.

“Stërvitja më e mirë, më e shëndetshme dhe me një kosto zero për të gjithë, që është e aksesueshme nga të gjithë, është ecja”, shprehet Sanxhaku.

Ajo shpjegon se ecja është një ushtrim aerobik që ndihmon në përmirësimin e kapacitetit të zemrës dhe mund të nisë gradualisht, nga 10-15 minuta, duke u rritur më pas deri në një orë.

Sipas mjekes, një objektiv mund të jetë edhe arritja e rreth 10 mijë hapave në ditë, ndërsa rëndësi ka që aktiviteti fizik të përshtatet me mundësitë e individit dhe të rritet në mënyrë progresive.

Çiklizmi, alternativë ndaj vrapit

Përveç ecjes, Sanxhaku veçon edhe çiklizmin si një aktivitet të dobishëm për përmirësimin e kapacitetit kardiorespirator.

Ajo shprehet se vrapi mund të shkaktojë stres më të madh mekanik në kyçe dhe artikulacione, veçanërisht te personat me peshë të lartë trupore.

“Ne fillojmë të vrapojmë për të humbur peshë, nga ana tjetër shkatërrojmë ligamentet”, thotë mjekja, duke sugjeruar çiklizmin si një alternativë që mund të kombinohet me ecjen.

Sipas saj, çiklizmi ndihmon në punën e zemrës dhe muskujve dhe në përmirësimin e kapacitetit kardiorespirator.

Stërvitja e forcës, pjesë e rëndësishme e aktivitetit fizik

Sanxhaku nënvizon gjithashtu rëndësinë e stërvitjes së forcës, e cila ndihmon në ndërtimin dhe ruajtjen e masës muskulare, si edhe në forcimin e densitetit kockor.

Ajo përmend si objektiv rreth 150 minuta aktivitet kardio në javë dhe stërvitje force të paktën dy deri në tre herë në javë.

“Pra fillojmë nga më të thjeshtat dhe kalojmë pastaj tek ato që janë më impenjative”, thekson endokrinologia, duke rekomanduar një qasje graduale ndaj aktivitetit fizik.

Postime të ngjashme

EMRI/ Ndalohet drejtori i Spitalit të Fierit, zbardhen detajet e para
Shqipëria vijon të shuhet, lindjet ranë me 10.5% në T3, shtesë pozitive vetëm Tirana e Durrësi
Trajtimi me medikamentet GLP-1 RA, mjekja zbulon gabimet më të zakonshme që bëjnë pacientët
Pagesat nga xhepi për shëndetësinë, Raporti i KE: Qytetarët paguajnë tri herë më shumë se mesatarja e BE-së
Mjekja zbulon dietat që janë efektive për rënien nga pesha
Përtej vitaminës D: Si ndikon drita e diellit në metabolizëm dhe sheqerin në gjak
Pudinga me copëza xhami në treg, AKU: Mos e konsumoni
Medikamentet GLP-1 RA: Çfarë duhet të presin personat me obezitet nga trajtimi me këto barna?