Reparti i Kirurgjisë transferohet te Materniteti, gjinekologët bojkotojnë punën: Rrezikohet shëndeti i grave

Rikonstruksioni i Repartit të Kirurgjisë në Spitalin Rajonal të Beratit ka sjellë problematika dhe konflikte mes reparteve, ku po transferohen materialet dhe dhomat e tij.

Prej disa javësh ka filluar transferimi i materialeve kirurgjikale në një nga sallat e operacionit që ndodhet brenda Maternitetit të Beratit, dhe kjo ka sjellë indinjatën e mjekëve gjinekologë dhe stafit të këtij shërbimi, që sot ka pezulluar për rreth 1 orë punën.

Shefi i Maternitetit të Beratit, Gentjan Kusta, ka deklaruar se kjo gjendje është e papranueshme dhe ka krijuar kaos në shërbimin obsetrik-gjinekologjik. Sipas tij, nuk mund të përdoret për emergjencat e Repartit të Kirurgjisë një sallë operacioni që ndodhet përballë sallës abortale dhe dhomave të grave shtatëzëna, pasi kjo jo vetëm që do të ndikonte negativisht në gjendjen e tyre emocionale dhe psikologjike, por edhe është rrezik për përhapjen e infeksioneve të ndryshme.

Drejtori i Spitalit Rajonal Berat, Arben Konomi, ka deklaruar se nuk mund të ndalohet një investim jetik për qytetarët, siç është shërbimi kirurgjikal. Sipas Konomit, rikonstruksioni i Repartit të Kirurgjisë është ndarë në disa faza, ku po shfrytëzohen dhomat e Reparteve të Pediatrisë dhe Patologjisë, dhe në Maternitetin e Beratit do të shfrytëzohet vetëm një sallë operacioni, që nuk e përdor askush prej tre vitesh.

Konomi ka deklaruar se kjo situatë nuk do të zgjasë më shumë se 90 ditë dhe gjithçka do të zhvendoset si më parë, por nuk mund të ndalohet një financim i tillë, mjaft i nevojshëm dhe i rëndësishëm.

Konomi ka pohuar se mjekët gjinekologë që do të ndalojnë pa asnjë arsye shërbimin ndaj grave shtatëzëna do të përballen me masa administrative dhe masa ligjore.

Postime të ngjashme

EMRI/ Ndalohet drejtori i Spitalit të Fierit, zbardhen detajet e para
Shqipëria vijon të shuhet, lindjet ranë me 10.5% në T3, shtesë pozitive vetëm Tirana e Durrësi
Shtatë fëmijë të Kopshtit nr. 10 në Vlorë përfundojnë në spital, dyshohet për helmim nga ushqimi
4 shenja që tregojnë se keni mungesë magnezi
Produktet e pasigurta në treg, alarmi vjen nga Belgjika; kontrollet në Shqipëri ranë me 33% në 2025
Trajtimi me medikamentet GLP-1 RA, mjekja zbulon gabimet më të zakonshme që bëjnë pacientët
Buxheti 2027/ Spahiu: 117.8 miliardë lekë për shëndetësinë dhe mirëqenien sociale
Pagesat nga xhepi për shëndetësinë, Raporti i KE: Qytetarët paguajnë tri herë më shumë se mesatarja e BE-së