Kryefaqja Lajm kryesor Riniti alergjik, shkaqet, komplikacionet dhe trajtimi

Riniti alergjik, shkaqet, komplikacionet dhe trajtimi

2
Shpërndaje

D.SH.M. Eris Mësonjësi, alergologe & imunologe klinike, Qendra Spitalore Universitare “Nënë Tereza”, Tiranë

Kur John Bostock përshkroi për herë të parë polinozën (rinitin alergjik stinor) në 1819, kjo patologji ishte e rrallë, por tashmë sëmundjet alergjike kanë arritur përmasa të një epidemie. Në vendet e zhvilluara pothuaj një në dy persona shfaq një përgjigje alergjike ndaj ndonjë faktori të zakonshëm ambiental.

Riniti alergjik është probabilisht sëmundja alergjike me shpeshtësinë më të lartë ndërmjet sëmundjeve alergjike, i cili prek afërsisht 24% të popullatës në Evropë.  Ndërkohë, në vendin tonë janë bërë studime në vite për të parë sesi është tendenca e tij. Të dhënat e fundit datojnë në 2012 ku të dhënat tregojnë se kjo patologji prek rreth 7% të fëmijëve shqiptare. Lidhja e tij me astmën bronkiale dhe dermatitin atopik/ekzemën është përcaktuar qartë tashmë dhe rreth 80% e pacientëve astmatikë dhe 80% e atyre me dermatit atopik vuajnë nga riniti alergjik.

Riniti shkaktohet nga inflamacioni apo irritimi i mukozës së hundës”, i cili ndodh si përgjigje ndaj disa agjentëve përfshi dhe infeksionin dhe alergenët ambientale.

Riniti alergjik përcaktohet klinikisht si një “çrregullim simptomatik të hundës i nxitur nga inflamacioni i ndërmjetësuar nga Imunoglobulinat E  (IgE) pas ekspozimit të mukozës nazale (të hundës) ndaj alergenëve të ndryshëm ambientalë si polenet, pluhuri i shtëpisë, myqet, epiteli  kafshëve etj.

Në qoftë se ju vuani nga riniti alergjik, sistemi juaj imun ka identifikuar gabimisht një substancë të zakonshme jo të dëmshme si një të tillë. Kjo substancë njihet me emrin alergen.

Sistemi imun i përgjigjet këtij alergeni duke çliruar histaminë e substanca të tjera që janë përgjegjëse për simptoma në hundë, faring, sy, veshë, në lëkurë dhe në pjesën e pasme të gojës. Simptomat e rinitit alergjik janë: rinorea (rrjedhje e ujshme e hundëve), obstrukionin nazal (bllokim të hundëve), pruritin nazal (të kruarat e kundës) dhe teshtimat. Gjithashtu ai shoqërohet dhe me konjuktivitin alergjik që karakterizohet nga pruriti i syve dhe lotimi i shtuar, gjithashtu dhe me të kruara të qiellzës. Këto simptoma janë të pranishme disa ditë apo javë rresht kur pacienti nuk është me grip.

Riniti alergjik është një sëmundje kronike e cila kategorizohet në sezonal, pra përsëritet çdo vit në të njëjtën stinë/sezon apo në gjithëvjetor/perenial. Gjumi dhe jeta emocionale dëmtohen në sasi të konsiderueshme nga riniti alergjik. Ankesat janë pamundësia për të marrë frymë normalisht, bllokimi i hundëve, sekrecionet nazale, fakti që janë të lodhur e të rraskapitur sepse nuk arrijnë të bëjnë një gjumë të qetë.

Riniti alergjik sezonal apo polinoza, apo alergjia e barit siç njihet në vende të ndryshme shkaktohet nga polenet të cilat lëvizin nëpërmjet ajrit gjatë stinëve të ndryshme të vitit në zona të ndryshme të vendit.

Riniti alergjik shkaktohet dhe nga alergenet e zakonshëm të brendshëm, siç janë shtresa të lëkurës, urina apo pështyma e gjendur në gëzofin e kafshëve  (mace, qen), mykërat, pjesë nga pluhurat e shtëpisë (akarienet) apo furrtaret. Ky njihet me emrin rinit alergjik perenial ose gjithëvjetor sepse simptomat janë të pranishme gjatë gjithë vitit.

Përveç nxitjes nga alergjenët, simptomat mund të shfaqen dhe nga ekspozimi ndaj substancave irrituese, siç janë tymi i duhanit dhe aromat e forta, ose nga ndryshimet e temperaturës apo lagështirës së ajrit. Kjo ndodh sepse riniti alergjik shkakton inflamacion (pezmatim) të mukozës së hundës, e cila rrit sensitivitetin ndaj substancave që përhapen nëpërmjet ajrit (inhalantëve).

Riniti dhe komorbiditetet. Është e rëndësishme të dihet se riniti mund të shoqërohet dhe me sëmundje të rrugëve të sipërme, si rinosinuziti ose polipoza nazale (mishit te huaj në hundë) apo me sëmundje të rrugëve të poshtme të ajrit, si astma bronkiale. Shoqërohet dhe me otit media/otit media me efuzion, dëmtim të dëgjimit, zhvillim kraniofacial jonormal, apne të gjumit, përkeqësim të astmës dhe rritjes së tendencës për të zhvilluar astma bronkiale.

Riniti dhe cilësia e jetës. Cilësia e jetës e pacientëve alergjikë është e ulur. Simptomat shqetësojnë gjumin gjatë natës, ulin performacën në shkollë e në punë. Përdorimi i barnave pa recetë (OTC) është shumë i shpeshtë ndërmjet pacientëve alergjikë, prandaj pacientët e marrin vetë përgjegjësinë e diagnostikimit të sëmundjes së tyre, zgjedhjes së mjekimit dhe përdorimin e tyre ashtu siç duhet. Në këtë mënyrë ata ulin mundësinë e një diagnoze të saktë, të hershme dhe një mjekimi të personalizuar për formën e rinitit dhe zgjedhjen e plani terapeutik më të dobishëm  për veten.

Simptomat e rinitit alergjik janë:

  • Të kruara të hundës, qiellzës, fytit, syve
  • Teshtima
  • Kongjestion nazal
  • Rrjedhje të ujshme të hundës
  • Lotim të syve
  • Rrathë të zinj poshtë syve

Simptomat e rinitit alergjik sezonal shfaqen në pranverë dhe vjeshtë, në varësi kur lulëzon poleni që ka shkaktuar alergjinë. Riniti alergjik gjithëvjetor ka simptoma gjatë gjithë vitit, ku alternohen fazat e qetësisë me ato të acarimit. Por, duke qenë se ne jemi një vend me klimë mesdhetare dhe ka shumë polene që lulëzojnë njëkohësisht dhe më gjatë, ekspozimi ndaj alergenëve është më i madh. Është vënë re se një pjesë e madhe e pacientëve alergjikë, në studimin tonë Alb-ISAAC në vitin 2012 kjo përqindje shkonte deri në 38%, janë alergjike nga më shumë se një alergjen, pra janë të polisensibilizuar.

Diagnoza

Diagnoza e rinitit alergjik vendoset nga mjeku alergolog-imunolog i cili është i specializuar në njohjen e alergenëve specifikë që shkaktojnë sëmundjen, ose përcaktojnë nëse simptomat janë apo jo me natyrë alergjike. Për të vendosur diagnozën, historia e sëmundjes është shumë e rëndësishme, e cila pasohet me provat e alergjisë në lëkurë, të cilat janë shumë të rëndësishme për të gjetur alergenin shkaktar dhe që kryhen nga alergologu. Janë gjithashtu dhe testet alergjike të gjakut që vlerësojnë nivelet e imunoglobulinave E specifike ndaj alergenëve të ndryshme. Janë teste komplementare të njëra-tjetrës dhe që duhet të interpretohen nga specialisti. Ka dhe analiza të tjera laboratorike që vendosen nga mjeku në momentin e vizitës, të cilat shërbejnë për saktësimin e diagnozës apo përcaktimin e sëmundjeve shoqëruese si sinusiti, polipoza nazale, astma bronkiale, dermatiti atopik etj.

Trajtimi e ndjekja e rinitit alergjik

Trajtimi përmbledh evitimin e alergenëve, trajtimin medikamentoz dhe imunoterapia alergenspecifike (vaksina). Në momentin që është identifikuar alergeni shkaktari i rinitit, mjeku alergolog së bashku me pacientin do të hartojnë një plan për evitimin e alergenit që shkakton sëmundjen. Për shembull nëse ju jeni alergjik nga pluhuri i shtëpisë apo myku i brendshëm atëherë duhet të merrni masat për të ulur sasinë e tyre në shtëpi.

Për alergenët e jashtëm, siç janë polenet, masat e evitimit janë kufizimi i aktiviteteve në natyrë gjatë periudhës që ka nivele të larta të poleneve në ajër.

Trajtimi medikamentoz zakonisht është i nevojshëm. Është mjekim  simptomatik që përdoret për lehtësimin e simptomave të rinitit. Këto mjekime mund të jenë kortikosteroide intranazalë (kortizonikë) në formë spray, antihistaminikë nazalë apo tableta etj, të cilët kombinohen  nga mjeku në varësi të formës së sëmundjes.

Antihistaminikët duhet zgjidhen ato lloje që nuk shkaktojnë përgjumje, të gjeneratës së dytë, të cilat lehtësojnë rinorenë, teshtimat dhe pruritin nazal por nuk arrijnë të qetësojnë bllokimin e hundës. Steroidet nazale janë më të fuqishëm në qetësimin e bllokimit nazal. Dekongjestionantët nuk duhet të përdoren si mjekim mbajtës për rinitin alergjik. Janë mjekime që vetëm mbajnë nën kontroll simptomat  nuk e  shërojnë sëmundjen. Shumica e mjekimeve antialergjike për rinitin alergjik sezonal e japin efektin maksimal kur fillohen të paktën dy javë përpara sezonit polenik, kështu që mjekimi parandalon shfaqjen e simptomave të sëmundjes.

Imunoterapia specifike (vaksina antialergjike) është një mjekim tashmë i provuar për më shumë se 100 vite, i cili siguron një lehtësim  afat-gjatë për shumë pacientë që vuajnë nga riniti alergjik. Imunoterapia është në dy forma me injeksione dhe orale (nën-gjuhë)  me pika apo tableta.  Është një terapi e cila ka një kohëzgjatje minimale prej 3 vitesh e optimale prej 5 vitesh, në mënyrë që të marrim efektet e saj mbrojtëse.

Nëse vuani nga simptomat e përmendura më lart, caktoni sa më shpejt një takim tek alergologu!/ Shendeti.com.al

2 Komente

  1. A edini se ne qsut nuk beben analiza imunologjike per alergji profesionale,per semundjve professionale as nuk te mer men kujdes njeri,KU dermatolog alergolog specialist poliklinik ,patolog , ish klinika e semundjve professionale dianostikon me semundjve professionale,kur shkon ne qsut te bejn Pach testin si tregues i vetem i alergjis eshte negativ nuk je alergjik,por mjeku specialist poliklinik te jep receten latoren ,prodizolon qe nuk mjafton .klinik e semundjve professionale nuk ekziston me shqiperi ku te shkojn shqiptaret per mjekim semundjve professionale,

LËR NJË MESAZH

Please enter your comment!
Please enter your name here