Për 4-5 persona duhen:
Mish i grirë,- Vaj 1 filxhan kafeje,
- Ujë 1 filxhan kafeje,
- Qepë 2-3 kokrra,
- Vezë 1 kokërr vezë për masën e mishit dhe 2 vezë për mbushje,
- Majdanoz,
- Karrota 1 copë,
- Gogozhare 1 copë, piper dhe kripë.
Mishi i derrit ose viçi tul grihet në makinë së bashku me qepët, pastaj shtohet kripë, piper, vezë, pak ujë dhe përzihen mirë. Mbi një pecetë të lagur shtrohet mishi, I jepet formë katërkëndëshe me trashësi 2 cm.
Në mes të mishit vendosen njëra pas tjetrës vezë të ziera fort, karrota të prera në fije, disa degë majdanozi për zbukurim dhe gogozhare të prera në fije.
Duke ngritur pecetën nga të dyja anët, bashkohen anët e mishit në formë roleje, të cilat ngjiten edhe më mirë me dorë. Roletë vihen në tavë të përmbysura, me palosjen nga poshtë, pastaj spërkaten nga sipër me yndyrë e galetë të bluar.
Shpohen në disa vende me pirun në mënyrë që të mos çahen gjatë pjekjes dhe vihen në furrë afro 30 minuta. Kjo lloj roleje mund të mbështillet edhe me letër të lyer me vaj dhe në këtë rast mishi piqet me gjithë letër, kurse pas pjekjes ajo hiqet.
Roletë shoqërohen me patate të skuqura, të ziera, me pure patatesh ose mund të jepen si meze me perime të ndryshme. Roletë përgatiten dhe me perime të përpunuara në tigan.


