Nga Agim DALIPI
Strategjia e BE-së për menaxhimin e mbetjeve urbane, e vitit 1998, pavarësisht se merret për bazë në politikat evropiane, ka ndryshuar. Këtë vit është përgatitur ligji që e ndalon ndërtimin e mëtejshëm të landfilleve për trajtimin e mbetjeve duke i dhënë përparësi riciklimit si mënyra kryesore e menaxhimit të tyre.
Ndërkohë në Shqipëri vazhdojnë me mullinjtë e vjetër. Qeveria po hedh miliona euro për ndërtimin e disa landfilleve. A dinë qeveritarët dhe politikanët tanë se ç’kërkon Europa për standardin e manaxhimit të mbetjeve?
Statistikat e BE-së (Further Eurostat information, Main tables and Database-2010) tregojnë se në fund të dhjetëvjeçarit të kaluar janë trajtuar 2.62 miliardë ton mbetje ku përfshihen edhe mbetjet “e importuara”. Kjo ndodh kur në krahasim me vitin 1995, depozitimi në landfill është ulur me 32%, djegia e tyre (incenerimi) është rritur me 63% , riciklimi me 172% dhe kompostimi me 239% .
Politikat e BE-së për menaxhimin e mbetjeve (Waste Framework Directive ) detyrojnë vendet për pesë hapa të domosdoshëm:
● Parandalimi dhe reduktimi i gjenerimit të mbeturinave.
●Ripërdorimin dhe përgatitjen për ripërdorim të mbetjeve duke i dhënë produkteve një jetë të dytë para se të bëhen mbeturina.
● Riciklimin – d.m.th. çdo përpunim me të cilin materialet që janë ripërpunuar në produkte, materiale apo lëndë të kthehen në përdoromin original ose për të tjera destinacione. Këtu përfshihet kompostimi i mbetjeve organike, por jo djegia (incenerimi)
● Djegia e mbetjeve bazuar në një mënyrë joshkencore e joefikase duhet të çojë në përmirësimin e detyrueshëm të incineratorëve.
● Shkatërrimi – proceset për shkatërrimin e mbeturinave të jenë ato të groposjes, djegies, pirolizes, gazifikimit dhe zgjidhje të tjera finale.
Sipas kësaj Direktive Kornizë këto janë ligjërisht të detyrueshme.
Në strategjinë e përdorimit të burimeve natyrore (TOWARDS A THEMATIC STRATEGY ON THE SUSTAINABLE USE OF NATURAL RESOURCES – 2004 ) e në vazhdim ka pasur dhe ndryshimet e duhura ligjore, pra detyrime për vendet e BE-së.
Së fundmi do të dalë së shpejti një ligj i ri që do të ndalohet ndërtimi i landfilleve të reja. Kjo do të thotë që riciklimi do të jetë mënyra kryesore e menaxhimit të mbetjeve dhe kursimit të burimeve natyrore.
Një projekt pilot i plotë, që nga grumbullimi i diferencuar në qytet e deri në riciklimin e tyre, u përurua në qytetin e Fierit në shtator 2007. I pari i këtij lloji dhe përmasave në vendin tonë, me sistemin e ri të grumbullimit të mbetjeve me 3 kosha dhe me mbështetjen e Qeverisë së Mbretërisë së Vendeve të Ulta. Por gjendja është siç ishte. Përfaqësuesi i Ministrisë së Mjedisit këto ditë theksoi po në Fier se “mbetjet urbane dhe administrimi i tyre në standardet e pranuara mjedisore është një projekt i emergjencave më akute dhe vazhdojmë ta kujtojmë si një ndër prioritetet kryesore të politikave mjedisore”. Dhe po në Fier paraqiti projektin e mbështetur nga SELEA, nja dy milionë euro që presupozon ndërtimin e një landfilli dhe duke mbyllur landfillet e tjera.
Ndofta këtë problem duhet t’ia kishim lënë në dorë romëve. Sepse ata të paktën, me aq sa mundin, e kanë filluar grumbullimin e diferencuar të mbetjeve. Mos janë vallë në fakt ata më pranë Evropës se shtetarët tanë? S’është çudi as kjo.
