Rrëfimi i Polikron Çelos: Pediatria është jeta ime

Që të merresh me fëmijë në radhë të parë duhet t’i duash fëmijët. Unë s’i mbaj mend sa vite kam që merrem me fëmijët, edhe sot sa herë që shikoj një fëmijë mundohem në radhë të parë që të miqësohem me të, të jetoj me botën e tyre

Bisedoi: Denisa Canameti

Fëmijët e duan shumë, sepse u ka kushtuar jetën. Doktor Polikron Çelo sigurisht që është një nga figurat më të dashura. Njeri modest, fjalëpak, i qetë, i qeshur, pozitiv dhe i këndshëm.

Polikron Çelo duke folur për "Shëndet+"

Polikron Çelo duke folur për “Shëndet+”

Në një intervistë për “Shëndet+”, doktor Polikroni flet për jetën e tij në shëndetësi, për marrëdhënien me fëmijët, me prindërit, marrëdhënien me vajzat, marrëdhënien e veçantë me pediatrinë, së cilës i dha shumë, edhe pse ai me modesti thotë: “Kam bërë vetëm detyrën”.

Doktor, gjithë jetën ia keni kushtuar shëndetit të fëmijëve. E keni dashur këtë profesion apo u gjendët rastësisht në pediatri?

Atë që sjell rastësia, nuk e sjell asgjë. Im atë ishte jashtëzakonisht i dhënë pas shkollës. Ndaj personit të parë që ia di për nder që iu futa kësaj rruge, është babai im. Në fëmijëri as që e kisha menduar të merresha me mjekësi. Fillimisht m’u dha mundësia të shkoja në shkollë pedagogjike, por nuk e pranova. Një ditë i thonë babait se kishte ardhur një bursë për mjekësi. “Sikur të çojmë atë djalin tënd”. Dhe shkova në shkollë mjekësore. Mbarova shkëlqyer, atëherë nuk kishte miq. Bëhet fjalë për vitet ‘52-‘53. Shteti atëherë (që ne e kritikojmë) ngaqë nuk kishte mjekë, përgatiti ndihmësmjekë. Një shkollë për ta pasur zili edhe sot.

Mbas mbarimit të shkollës së mesme mjekësore, u emërova në spitalin e Elbasanit, ku pata fatin të punoj me doktor Xhomon, një patolog me aftësi të veçanta.

Nuk vazhdoi gjatë dhe një ditë më njoftuan të shkoj në Librazhd, për të zëvendësuar një ndihmësmjek (shokun tim Dhimitër Xhuvani, shkrimtarin e ardhshëm) që kryente detyrën e mjekut. Kujdesesha për Librazhdin që nga Gurakuqi e deri në kufi me Pogradecin.

Përfytyroni një djalë 19-vjeçar me një përgjegjësi të tillë. Më pas u ktheva në Elbasan, por gjithmonë mjek i përgjithshëm. Për rastësi vjen një pediatër rumun. Atëherë më thanë që të flisja me të. Flisnim rusisht. Aty më lindi dëshira për t’u bërë pediatër. Pashë se ç’do të thotë të merresh me fëmijët, pashë se si rriteshin ata.

Mbarova Fakultetin e Mjekësisë me rezultate shumë të mira dhe u emërova direkt pedagog në katedrën e Farmakologjisë, ku punova me përkushtim, por pa hequr dorë nga fëmijët. Mbas shumë përpjekjesh për të kaluar në katedrën e pediatrisë, së fundi takova rektorin e universitetit. Iu luta të më transferonte në katedrën që kërkoja ose të më linte të lirë si pediatër në çdo vend. E pa që e kisha me pasion dhe më tha se kjo gjë e bëri të ndryshonte mendje. Thirri sekretaren dhe e porositi të ndiqte problemin tim. Kështu kalova përkohësisht pediatër në Tiranë. Kaloi rreth 1 ½, vjet dhe një ditë u njoftova se katedra e pediatrisë se më kishin pranuar pedagog. Ky burrë (i njohur për vyrtytet e tij), i cili e ndryshoi ecurinë e jetës sime, ishte Karahman Ylli.

Si pedagog e pediatër pata rastin të interesohem e të ngre shërbimin e Nefrologjisë dhe më vonë u specializova jashtë shtetit në këtë fushë. Mbas kthimit u emërova drejtor i spitalit të fëmijëve. Krahas kësaj detyre (në një periudhë të vështirë), vura në jetë gjithçka kisha mësuar, botova 5 libra dhe vazhdova emisionet javore në radio (të filluara në vitin 1965), mandej prej vitit 1970 edhe në radio e TVSH, emisione që i vazhdoj pa asnjë shkëputje dhe sot në disa radio e televizion.

Gjatë kësaj kohe kam botuar me dhjetëra artikuj dhe 11 libra, sa profesionale, dhe shkencore. Sigurisht, të gjitha këto janë bërë me sakrifica.

Flisni për sakrifica. Çfarë konsideroni sakrificë, çfarë keni sakrifikuar për të ardhur deri këtu?

Në radhë të parë kam sakrifikuar rininë time. Se kur shokët e mi iknin me pushime vere, unë punoja nëpër spitale. Jo vetëm nga dëshira për të punuar, por edhe për të siguruar diçka. Se atëherë nuk kishim.

Kam sakrifikuar qetësinë e familjes sime. Mbaj mend njëherë që erdha në shtëpi dhe gjeta një burrë që mbante në prehër vajzën time.

“Hyr, hyr, – më tha, – çfarë deshe?”

“Ka njeri në këtë shtëpi?” – e pyeta.

“Doktori nuk ka ardhur ende, – m’u përgjigj, – por gruaja e tij ka vajtur të vizitojë fëmijën tim dhe më la t’i mbaja vajzën ndërkohë”.

“Po mirë, – i thashë. – Po rri dhe unë të pres”.

Ka pasur plot episode të kësaj natyre. Shtëpia ime ka qenë vend pelegrinazhi, pa interes, pa dallime. Kam sakrifikuar për jetën time profesionale, por edhe jam shpërblyer. Shpërblimi më i madh nuk është material, por moral.

Dr. Polikron Çelo

Dr. Polikron Çelo

Edhe pasi dolët në pension, e vazhduat punën tuaj. Çfarë ju mban ende në punë?

Ditën që kam mbushur moshën, atë ditë dola në pension. Pse dola? Sepse dëgjoja se çfarë flitej për miqtë e mi që nuk dilnin në pension. “Ky nuk doli se na ha paratë, na zë vendin etj, etj”.

Nuk doja të përgojohesha. Atë ditë që mbusha moshën, atë ditë dola në pension dhe atë ditë fillova të punoj në privat.

Si ka qenë shëndetësia më përpara?

Unë kam qenë drejtor spitali, kam qenë pedagog, kam qenë shef. Kemi pasur mungesa në bazë materiale, aparatura nuk kishim. Por ama humanizmi ka qenë shumë më i madh nga sa është sot. Atëherë ishte ndryshe, ndaj nuk u vë faj mjekëve të rinj, sepse nuk kanë vuajtur, nuk u është dashur të shkojnë në zonat më të thella të vendit për të punuar.

Mendo pak, vijnë prindër me fëmijët në krahë, me të vjella, vijnë këtu, mezi kanë gjetur makinë të vijnë dhe mjeku u thotë: “Hajdeni nesër, se sot nuk kam kohë”. Po ku të flejë ai deri nesër? Ku do ta ushqejë fëmijën? Mjekët e rinj nuk i njohin këto gjëra. Nuk e njohin jetën e vërtetë.

Çfarë do të thotë vlerësim për një mjek?

Vlerësimi, siç kam parë edhe jashtë, bëhet atje ku punon mjeku. Në spitale ka një kontratë midis mjekut dhe spitalit ku ai punon. Një kontratë ku i numërohen detyrimet dhe detyrat. Sigurisht, të dyja palët duhet që të respektojnë njëri tjetrin. Në momentin që nuk respektohet kjo kontratë, duhet të merren edhe masa. Kështu nuk do të ekzistonte as heqja nga puna pa arsye apo heqja nga puna për shkak se je me një parti apo me tjetrën. Ky është vlerësim, të vlerësohesh për aftësitë që ke.

Më kujtohet që më telefonoi njëherë vajza që punon në Izrael. Kishte pasur pakënaqësi për një punë që i kishin dhënë të bënte dhe kishte menduar të shkonte ankohej tek shefi. Por shoqet e veta i kishin thënë të shikonte një herë kontratën që kishte firmosur dhe, në fakt, e kishte të shkruar në kontratë që duhet të bënte atë detyrë.

Përmendët vajzën? Ju keni dy vajza, cila është marrëdhënia me to?

Unë i kam shoqe. Janë shumë të përgatitura. Njëra është mjeke okuliste në Pragë. Ka ecur shumë mirë, merr pjesë në shumë konferenca ndërkombëtare. Ka mbaruar këtu dhe atje vlerësohet jashtëzakonisht shkolla shqiptare e asaj kohe.

Vajza tjetër është në Izrael.

A keni qenë ju një baba i mirë?

Një baba nuk kënaqet kurrë me atë që ka bërë për fëmijët e vet. Megjithatë, jam shumë i kënaqur me punën e tyre. Kënaqem që u kanë mësuar fëmijëve gjuhën shqipe. Fëmijët e tyre jo vetëm që e duan shqipen, por nuk lejojnë askënd që të flasë keq për Shqipërinë. Madje, më tregonte vajza sesi një ditë, në orën e gjeografisë mësuesja kishte përmendur Shqipërinë dhe kishte filluar ta përshkruante si një vend të vogël e të prapambetur. Mbesa kishte ngritur dorën dhe i kishte kërkuar mësueses që të mos e cilësonte Shqipërinë një vend të vogël e aq më tepër të prapambetur. “Përkundrazi, Shqipëria, – i kishte shpjeguar ajo, – është një vend i bukur”. Pastaj u hap fjala midis mësuesve dhe u bë edhe mediatike.

Të vjen keq që një nga vajzat nuk u bë pediatre?

Jo. Nuk mund të bësh jetë të qetë familjare me këtë punë.

Si po rriten fëmijët sot?

Sot? A mund të të pyes? Në vitin 1947, vitet e para pas luftës, u ngritën kampet e pionierëve. Ku janë sot ato kampe? Sigurisht që fëmijët sot po rriten krejt ndryshe. Ka gjëra që po bëhen më mirë, sepse sot mundësitë janë më të shumta. Por ka dhe gjëra që po bëhen gabim, sepse fëmijët po ushqehen me ushqime të pakontrolluara, me patatina, me byrekë etj, etj.

Po bëhet shumë dhe po flitet shumë për mungesa në spitale, për mungesa materiale, por po bëhet shumë pak për mirërritjen e fëmijëve. Themelet e ndërtesës, themelet e një shoqërie të fortë janë fëmijët.

Çfarë do të thotë të merresh me fëmijët?

Që të merresh me fëmijë në radhë të parë duhet t’i duash fëmijët. Duhet të ndjesh sikur e ke fëmijën tënd. Unë s’i mbaj mend sa vite kam që merrem me fëmijët, edhe sot sa herë që shikoj një fëmijë mundohem në radhë të parë që të miqësohem me të, të jetoj me botën e tyre.

Fëmijët vijnë këtu të trembur se mamatë u thonë: “Po nuk hëngre, do të të bëjë gjilpërë doktori”. E kanë bërë doktorin dhe policin armik të fëmijëve. Unë mundohem t’i marr me të mirë, t’i qetësoj. Pastaj miqësohem kaq shumë me ta, sa më vjen edhe për të qeshur kur e mendoj, se kur mërziten me prindërit u thonë: “Mirë, mirë, do t’i them doktorit tim”. Ose ka raste kur ma bëjnë: “Doktor (dhe më bëjnë me shenjë mbrapa që të pohoj), fëmija nuk duhet të hajë akullore. Dhe unë u them, fëmija patjetër që duhet të hajë akullore, por cilësore.

Të jesh pediatër i mirë, do të thotë që së pari t’i duash fëmijët. Po deshe fëmijët, e do edhe profesionin tënd. Duhet t’i përkushtohesh, duhet të sakrifikosh nga jeta. Unë kam sakrifikuar shumë. Nuk mbaj mend të kem festuar një herë një vit të ri në shtëpi, se gjithmonë ka dalë diçka.

A ka ndryshuar modeli i prindërimit?

Po. Ka ndryshuar shumë, dhe për mirë. Sot shikojmë baballarë që kujdesen për fëmijët. Tek libri im “Babai” kam folur për këtë. Baballarët janë zbutur. Se dikur nuk i kapnin me dorë fëmijët.

Cilat janë disa nga problemet e fëmijëve fajtor për të cilët janë vetë prindërit?

Kam shumë vërejtje për mënyrën e të ushqyerit. Fëmijët e rritur po vdesin nga kapsllëku. Po hiqet dorë nga dieta mesdhetare. Çfarë është dieta mesdhetare? Ajo me të cilën ne ushqeheshim dikur, me zarzavate, fruta, mish.

Këshilla që doktori i jep çdo prindi që hyn në këtë zyrë?

Nuk heq dorë kurrë nga këshilla për mirërritjen e fëmijëve. Jo rrallë edhe i provokoj prindërit. I pyes: “E ke lidhur ndopak në djep fëmijën?” “Po po”, thotë prindi. “Shumë gabim”, i them, “gabimi më i madh!” Ose u bëj pyetje të tjera provokuese: “Po natën çfarë i jep?” “Pak qumësht”, thotë prindi. Prapë gjej mundësinë ta këshilloj dhe t’i them që bën gabim. Ose i them: “Po natën nuk  e merr pak te krevati se gjynah që qan ky?” “Po, doktor, e marr patjetër”, më thonë. Dhe u tregoj se është gabim. E shikoj që nuk mërziten me kritikat që u bëj.

A ka raste të vështira për doktor Polikronin?

Po, patjetër.

Thatë që keni punuar edhe si pedagog, a keni nostalgji për ato vite?

Po, shumë. Kam pasur marrëdhënie të shkëlqyera me studentët. Falë Zotit nuk m’u rrit mendja. Se isha djalë i ri, pedagog, me të gjitha të mirat, por nuk m’u rrit mendja. Nuk kam pasur kurrë tendenca për ta kapur nxënësin në vështirësi, se pedagogu e lë studentin kur të dojë.

Si kanë ndryshuar studentët që prej kohës kur ishit pedagog?

Studentët kanë ndryshuar shumë. Sot nuk ka më nxënës që shkojnë të bëjnë praktika në klinika pas mësimit, por shkojnë nëpër disko e pabe. Unë e doja pediatrinë dhe bëra gjithçka të futem në pediatri.

Nuk them që gjithçka është bardh e zi, shumë gjëra kanë ecur përpara. Por dikur, ashtu siç dëgjohet sot, nuk flitej për provime që bliheshin.

Sa e ka dëmtuar mjekësinë ky lloj sistemi i provimeve që blihen, i pedagogëve që nuk shkojnë nëpër leksione dhe i studentëve që shkojnë nëpër kafene, i mjekëve që kërkojnë para?

Ne kemi kuptuar gabim diçka. Është normale që edhe kur shkojmë tek berberi, ai na kërkon 200 lekë, ne i japim 250. Edhe jashtë, bakshishet u lihen mjekëve ashiqare. Ajo çfarë është e keqe, është kur mjeku thotë: “Të jap këtë shërbim, më jep para”. Unë nuk i besoj të them të drejtën. Ai thotë i dhashë mjekut 800 mijë lekë, kur ai duket që nuk ka gjendje as 80 mijë lekë.

Çfarë konsideroni arritje në karrierën tuaj të gjatë?

Asgjë nuk kam arritur. Çfarë kam arritur? Kam bërë punën time. Atë që kam për detyrë. Kam bërë atë që do të bënin të gjithë.

Ju keni shkruar 11 libra, cilin prej tyre doni më shumë?

Libri i parë ka qenë më i plotë. Këto të radhës kanë plotësuar njëri-tjetrin. Të botosh një libër, ka shumë shpenzime. Për të fituar, fiton jashtëzakonisht pak. Me shumë dëshirë do ta ribotoja librin e parë. Por edhe libri i fundit “Babai”, është i pari i kësaj linje në Shqipëri.

Këshilla për prindërit sesi rrisin fëmijët…

Duhet kujdes që kur fëmija është në barkun e nënës. Marrëdhëniet burrë e grua duhet të shkojnë në vendin e tyre që kur niset bebi. Prindërit të kenë kontakt me mjekun që të mos bien pre e thashethemeve. Se dëgjojmë sot: Mos bëni vaksina se bëjnë fëmijën me daun. Ose shkojnë tek mjekët popullor. Pak kishim hallet e tjera, por na janë shtuar edhe këto.

Mjekët popullorë, hall?

Në kohën e Enverit vinin këta të mjekësisë popullore. Madje erdhi një ditë njëri dhe tha që shëronte kancerin. Iu dha mundësia që të merrej me të sëmurin derisa ai për një muaj vdiq. Ne bëmë kaq vjet shkollë. Ai merr dhe licencë dhe del e pretendon që shëron sëmundjet. Ka pasur mjekësi popullore. Por janë të rrallë ata që e njohin. Këtu kam vërejtje për Ministrinë e Shëndetësisë.

Jeni tepër modest që të vlerësoni punën tuaj, po nëse do t’ju themi të bëni një autokritikë, çfarë do të kishit dashur të bënit më mirë?

Do kisha dashur të bëja sa më pak gabime në jetën time profesionale. Gabime që bëhen pa dashje. Dhe nëse ka njeri që shan veten e tij, jam i unë. I them vetes: “Po si more nuk të vajti mendja që ishte kjo gjë?!”

Po rroga, doktor, çfarë vendi zë në punën e një mjeku?

Rroga është e rëndësishme. Por rrogat këtu janë jashtëzakonisht të ulta. Një nga arsyet se pse flitet keq disa herë për mjekët, është edhe për shkak të rrogës. Ne duhet të jemi tërë kohës në kontakt me të renë. Po kjo ka kosto. Ku do t’i gjeja unë po të mos kisha vajzën që më dërgon librat që duhet t’i kem çdo muaj?!

Jeni lodhur ndonjëherë nga kjo punë?

Kurrë.

Keni miq të mirë në fushën e mjekësisë?

Kam shumë shumë. Dhe nuk dua t’i diferencoj me emra. Kam nga ata që i kam pasur në shkollë, i kam pasur studentë, janë bërë ministra e vazhdoj t’i kem miq.

Pse nuk i jeni futur asnjëherë politikës?

Më është propozuar, por unë e kam dashur gjithmonë pediatrinë. Pediatria është jeta ime.

Postime të ngjashme

Mjeku që braktisi Gjermaninë, rikthehet në Divjakë pas 20 vitesh, dr. Shundi: Nuk ka si vendlindja
Infermieria, profesioni që të zgjedh
Elda Skënderi, mjekja që i kupton fëmijët pa folur
Arben Baboci, kirurgu i zemrës së fëmijëve
Arjana Rreli: Zgjodha ëndrrën e babait tim
Festa Mjeshtri: Realiteti vret ëndrrat e grave
Pëllumb Pipero: Odisea, nga repartet ushtarake, në gjirin e elitës mjekësore
Infeksionet në shtatzëni, kur e rrezikojnë bebin