Kryefaqja Portret Rrëfimi i Verës: Një infermiere duhet të dijë të komunikojë

Rrëfimi i Verës: Një infermiere duhet të dijë të komunikojë

0
Shpërndaje

Nga shkolla e lartë për ekonomik, në profesionin e infermieres, Vera Ndoja rrëfen dekadat e saj në shërbim të pacientëve

Bisedoi: Arlinda Gjypi

Vera Ndoja i ka kaluar dy dekadat në profesionin e infermieres. Dikur mësimdhënia ishte ëndrra e saj, por tashmë infermieria është vendi ku ka “gjetur veten”. Në punën e vet ka shumë rëndësi komunikimi dhe aftësia për t’i bërë njerëzit të ndihen mirë e të marrin shërbimin e duhur. Dhe Vera ia del shumë mirë, ndërsa prej 12 vjetësh tashmë është kryeinfermiere në Qendrën Shëndetësore nr.8 në Tiranë. U jep mësim infermierëve të ardhshëm në një prej universiteteve private në Tiranë dhe ndihet kështu e plotësuar në ëndrrën e saj për mësimdhënie. Nga ana tjetër, është një njeri që u mbaron punë të gjithëve, pasi njeriu duhet të jetë human.

Vera Ndoja (1)
Vera Ndoja në zyrën e saj në Qendrën Shëndetësore nr.8 në Tiranë

Vera, sa vjet ke që punon si infermiere?

Kam që në vitin ’93. Në atë kohë nuk kishte shkollë të lartë infermierie dhe unë bëra kursin përkatës 2-vjeçar e më tej fillova punë.

Pse zgjodhe infermierinë?

Ishte më tepër rastësi. Mua më doli shkolla e lartë për ekonomik, por unë nuk doja. Më pëlqente më shumë mësuesia. Kështu që kur vëllai më njoftoi për kursin e infermierisë, vijova atë. Më pas mbarova edhe shkollën e lartë për gjuhë-letërsi.

Pse nuk e vazhdove mësuesinë?

Sepse tek infermieria gjeta veten. Pas kursit 2-vjeçar bëra edhe 3 vjet shkollën e infermierisë dhe 2 vite master, bëra kurs menxhanimi të shëndetësisë dhe jam trajnuar edhe në projektin DoCITA për menaxhim të infermierëve.

Në vitet ’93-’95 punova në spitalin e Rrëshenit, në patologji. Mund të them se aty e mora edhe zanatin, pasi kishte fluks tepër të madh. Ndërsa në vitet ’95-’97 punova me fëmijët në Peshkopi, pasi u martova atje. Në vitin ’97 deri në 2002-shin kam punuar në Qytetin Studenti, por nuk u ndjeva mirë atje.

Pse jo?

Sepse  nuk bëhej fjalë për të ushtruar profesionin. Bëje ndonjë mjekim të vogël tek-tuk. Ishin 5-10 veta që ne e dinim që pinin natën dhe hera-herës u bënim serume dhe kjo ishte gjithë puna atje.

Po aktualisht?

Aktualisht kam që në vitin 2002 që jam kryeinfermiere në Qendrën Shëndetësore nr.8 në Tiranë. Në këtë pozicion merrem me furnizimet, menaxhimin e infermierëve, listëprezencën e stafit, zëvendësimin e infermierëve. Që në vitin 2007 kemi kaluar me vetëfinancim dhe kjo është gjë e mirë, pasi kemi bërë edhe rregullime të qendrës.

Vera Ndoja me fëmijët
Vera Ndoja me fëmijët

Si shkon me pjesën tjetër të stafit? Ke pasur ndonjëherë konflikte?

Mirë. U bë kohë e gjatë tashmë dhe e di shumë mirë punën se si funksionon. Mund të them se e di edhe nëse përpiqen të më gënjejnë (qesh). Por me personelin nuk kam pasur kurë konflikte.

Po me pacientët?

Me pacientët ka ndodhur. Më tepër ndodh për shkak të faktit se nuk kanë informacion. Po marr një shembull: e morën vesh të gjithë për çështjen e avionit të kapur, por nëse i pyet për hapjen e një kartele shëndetësore, ky është një informacion që s’e kanë. Dhe pastaj lindin konfliktet në rastet kur kërkojnë që të bëjnë një vizitë, shërbim të cilin e marrin falas në rast se kanë librezë. Në fakt, përtojnë të shkojnë dhe të sjellin disa dokumente. Megjithëse deri diku mund të them se janë më të ndërgjegjësuar.

Cilat janë problemet që keni në qendër?

Siç e ke parë, ambientet janë shumë të vogla, nuk kemi specialistë dhe u shërbejmë mbi 80 mijë banorëve. Nëse do vijnë dy nëna me karrocë me fëmijët, i gjithë kati bllokohet, krijohet kaos.

Si janë marrëdhëniet mjekë-infermierë?

Janë të mira. Këtu nuk është si në spital, ku një mjek ka pacientët e vet dhe ka disa infermierë. Këtu çdo mjek punon me një infermiere dhe si rrjedhojë krijojnë marrëdhënie të mira njëri me tjetrin, pasi bashkëpunojnë gjatë.

(Intervistën e plotë mund ta gjeni në numrin e 1 qershorit 2014 të gazetës “Shëndet+”)

LËR NJË MESAZH

Please enter your comment!
Please enter your name here