Rregulla të reja për rimbursimin e barnave

Fondi i Sigurimit të Detyrueshëm të Kujdesit Shëndetësor (FSDKSH) ka rishikuar rregulloren e të gjithë procedurës së rimbursimit të barnave, duke vendosur elemente të reja transparence për të gjitha hallkat e procesit. Rregullat e reja janë reflektuar edhe në kontratat me depot dhe farmacitë për vitin 2015. Shtojcat e kontratës u miratuan në mbledhjen e ditws sw premte të Këshillit Administrativ të FSDKSH-së dhe do të hyjnë në fuqi duke filluar nga data 1 gusht 2015.

Ndryshimet e miratuara reflektojnë konstatimet e Njësisë Anti-Korrupsion pranë Këshillit të Ministrave, që synojnë shmangien e çdo mundësie për rimbursimin e recetave që nuk janë të plotësuara në mënyrë të saktë, si nga pikëpamja formale, ashtu edhe përsa i përket përmbajtjes së tyre.

barna 1Në ndryshim nga kontrata e mëparshme, e cila parashikonte një afat 48-orësh brenda të cilit farmacia mund t’i merrte recetat, t’i korrigjonte dhe t’i kthente përsëri në Drejtorinë Rajonale përkatëse të Fondit, me qëllim shmangien e abuzimeve të mundshme kjo pikë e kontratës është hequr. Pra, me kontratat e reja nuk parashikohet mundësia e kthimit të recetave për korrigjime. Nëse receta do të ketë parregullsi, ajo nuk do të rimbursohet.

Një ndryshim tjetër i rëndësishëm lidhet me fenomenin e zgjidhjes dhe rilidhjes së kontratave, pasi u konstatua se shumë subjekte bënin zgjidhje kontrate dhe rilidhje të tyre pas disa ditësh, një praktikë abuzive kjo, për të humbur gjurmën e kontrolleve me inventarizim. Me rregullat e reja hiqet koncepti i zgjidhjes së kontratës me marrëveshje të palëve. Në rast se subjekti zgjidh kontratën, ai nuk do të ketë më të drejtë ta rilidhë atë për një periudhë 1-vjeçare.

Një tjetër ndryshim i rëndësishëm është edhe futja e konceptit të faturës tatimore. Deri më sot nuk është kërkuar prerja e një fature tatimore nga subjektet, ndonëse ka edhe raste që farmaci të konsoliduara e depozitojnë një dokument të tillë. Me kontratat e reja, fatura tatimore është tashmë një detyrim ligjor.

Për të rritur shkallën e transparencës së verifikimit të recetave me rimbursim, në drejtoritë Rajonale të Fondit do të gjurmohet lëvizja e dosjes së çdo subjekti farmaceutik nga njëri kontrollor tek tjetri.

Kontratat e përmirësuara synojnë rritjen e transparencës në çdo hallkë të procesit të rimbursimit, me qëllim shmangien e çdo abuzimi të mundshëm me listën e barnave të rimbursueshme.

Postime të ngjashme

Shqipëria vijon të shuhet, lindjet ranë me 10.5% në T3, shtesë pozitive vetëm Tirana e Durrësi
Shtatë fëmijë të Kopshtit nr. 10 në Vlorë përfundojnë në spital, dyshohet për helmim nga ushqimi
Produktet e pasigurta në treg, alarmi vjen nga Belgjika; kontrollet në Shqipëri ranë me 33% në 2025
Trajtimi me medikamentet GLP-1 RA, mjekja zbulon gabimet më të zakonshme që bëjnë pacientët
Buxheti 2027/ Spahiu: 117.8 miliardë lekë për shëndetësinë dhe mirëqenien sociale
Pagesat nga xhepi për shëndetësinë, Raporti i KE: Qytetarët paguajnë tri herë më shumë se mesatarja e BE-së
Mjekja zbulon dietat që janë efektive për rënien nga pesha
Përtej vitaminës D: Si ndikon drita e diellit në metabolizëm dhe sheqerin në gjak