Rritje e rasteve me Covid-19 në Evropë/ Varianti “Nimbus” më agresivi, shqetësim vaksinimi i ulët

Greqia dhe vende të tjera evropiane po përballen me një rritje të lehtë të rasteve me Covid-19, e nxitur nga përhapja e variantit të ri NB.1.8.1, i njohur si “Nimbus”, pjesë e linjës Omicron. Sipas autoriteteve shëndetësore, rritja e infeksioneve është regjistruar që nga mesi i qershorit dhe po sfidon sezonin veror, periudhë kur infeksionet respiratore zakonisht janë më të rralla.

Në Greqi, rritja po vërehet përmes shtimit të vizitave te mjekët, më shumë teste pozitive dhe një rritje prej 15% në kërkesat për ilaçe antivirale. Megjithatë, nuk ka ende një shtim të ndjeshëm të rasteve të rënda: aktualisht 82 pacientë janë të shtruar në spitale, me 16 pranimet të reja në 24 orët e fundit.

Edhe në vendet e tjera të Bashkimit Evropian, ECDC raporton një rritje të ngjashme të qarkullimit të virusit, por pa presion të konsiderueshëm mbi sistemet shëndetësore. Treguesit “e fortë” si pranimet në kujdes intensiv apo vdekjet, mbeten të ulëta.

Ndërkohë, autoritetet janë të shqetësuara për mbulimin e ulët të vaksinimit në grupet më të rrezikuara. Vetëm një shtet i BE-së ka arritur të vaksinojë mbi 80% të të moshuarve mbi 80 vjeç.

Varianti “Nimbus” është më ngjitës sesa variantet aktuale dhe po përhapet gjithashtu në vende si Kina, Hong Kongu dhe Singapori. Megjithatë, nuk ka prova që ky variant shkakton forma më të rënda të sëmundjes ose se i shmanget ndjeshëm imunitetit nga vaksinat.

OBSH po monitoron edhe një variant tjetër, XFG, i cili është përgjegjës për rreth 14% të rasteve në disa rajone, përfshirë Azinë Juglindore dhe SHBA-në, por edhe ky nuk ka shkaktuar rritje të shtrimeve në spital apo vdekjeve.

Autoritetet shëndetësore vazhdojnë të bëjnë thirrje për vigjilencë, veçanërisht për të mbrojtur grupet e cenueshme të popullsisë përmes vaksinimit dhe trajtimit të hershëm me medikamente./bw

Postime të ngjashme

E sëmura me kancer në protestë: Jep para për koncert dhe nuk rimburson ilaçet tona
“Mos e nënvlerësoni” – Mjeku: Kujdes nga infeksioni i Impetigos, ja shenjat dhe mënyrat e trajtimit
53% e vdekjeve nga zemra, u shtuan ato nga dëmtimet dhe endokrinet në 2025
Rishikimi i Buxhetit 2026: Financime shtesë për shëndetësinë
Temperaturat e larta, Brataj: Vapa rrit infarktet, trombozat dhe vdekjet e papritura
Shqipëria e treta në Europë për çmimet e larta të bulmetit, 35.6% më shumë se mesatarja në 2025
Inaugurohet materniteti ‘Mbretëresha Geraldinë’, Sala: 1.2 mld lekë investim
Paradoksi i shëndetësisë shqiptare: Të parët në Ballkan për shpenzimet spitalore, të fundit për financimin publik