Sabri Skënderi: Asgjë nuk ndryshon nëse pacientët nuk flasin

Urdhri i Infermierit nuk është një mollë që ra këtu në mes. Ne jemi pjesë e shoqërisë, jemi pjesë e këtij komuniteti profesional. Që të realizohen mirë detyrat, që të zbatohet mirë legjislacioni në të gjitha fushat lidhet ngushtë me kulturën e përgjithshme të shoqërisë ku jetojmë

Denisa Canameti

Sabri Skënderi është Presidenti i Urdhrit të Infermierit të Shqipërisë. Të qenit për shumë vite në këtë post ka bërë që emri i tij të lakohet jo pak. Në një intervistë-profil për gazetën “Shëndet+”, Skënderi tregon për karrierën e gjatë në fushën e shëndetësisë, nisjen e profesionit si dentist fshati e deri te posti që mban sot.

Sabri SkenderiZoti Skënderi, sa vite keni në fushën e shëndetësisë? Kur e keni mbaruar shkollën dhe cila ka qenë ecuria e punës suaj?

Quhem Sabri Skënderi. I lindur në Frashër të Përmetit, më 28 mars të vitit 1956. Në vitin 1971 mbarova shkollën 8-vjeçare në Frashër dhe shkova në shkollën e mesme mjekësore në Korçë për të vazhduar shkollën profesionale për dentist. Pas kësaj, për disa probleme politike, kam punuar në kooperativë. Në një moment, kur kishte nevojë në një fshat, më çuan të zëvendësoj një infermier në një rast lindjeje. Futja në punën si infermier dhe ikja nga kooperativa më nxiti që të gjej një mundësinë për të dhënë provime plotësuese dhe për të marrë edhe shkollën mjekësore, që të kisha dhe aftësinë e infermierit, ndihmësmjekut, pasi për të tillë kishte më shumë nevojë.

Infermier kam punuar vetëm një vit dhe pastaj më çuan dentist. Por në këtë kohë më kanë cilësuar si doktorin e fshatit, pasi bëja edhe punën e infermierit në zonat ku mungonte ndihma mjekësore. Madje, kam marrë shpesh nismën për të drejtuar agjencitë farmaceutike. Kjo përvojë prej 10-12-vjetësh në fshat në shërbimin parësor ishte shumë e vlefshme për mua, pasi më dha aftësitë e nevojshme për t’u ardhur në ndihmë njerëzve. Kështu deri në vitin ’90.

Ardhja në QSUT, si ndodhi?

Në vitin ’90 u shkëputa familjarisht nga fshati dhe erdha në Tiranë. U punësova si infermier në shërbimin e kardiologjisë, në pavionin e parë, ku kam punuar nga viti ’90 deri në vitin ’95.

Kur erdha fillimisht, isha shumë i emocionuar. Sepse të vinte një infermier nga fshati dhe të punonte në shërbimin e kardiologjisë në spitalin nr. 1 e quaja veten inferior para tyre. Por më pas e kuptova që nuk kisha pse ndihesha inferior. Brenda 1-2 muajsh bëja të gjitha shërbimet. Krijova respekt dhe dashuri dhe nga pacienti. Kam qenë një njeri që miqësohesha shpejt. Krijova bashkëpunim me mjekët, krijova besimin e tyre. Ishte dhe një pavion ku kishe mundësi të përfitoje shumë nga ana profesionale.

Sa vite keni punuar në QSUT?

Nga vitet 90 deri në vitin 2008. 5 vitet e para punova infermier me turne. Nga fundi i vitit ‘95 u vendosa kryeinfermier i shërbimit të kardiologjisë. Punova aty deri në vitin ‘98 dhe pastaj kalova kryeinfermier i spitalit numër 1, sepse u bënë disa reforma. U shkurtuan kryeinfermierët e shërbimeve dhe për çdo ish-spital (në strukturën e dikurshme) mbeti nga 1 kryeinfermier.

Duket që shumë shpejt keni arritur të përvetësoni shumë. Lidhet ky pasion për të mësuar gjithçka me dëshirën për të qenë në krye?

Të bësh karrierë u pëlqen të gjithëve, por nuk është thjesht dëshirë. Është aftësi dhe mundësi që të krijohen. Që të bësh karrierë, duhet të jesh i aftë që ta menaxhosh atë dhe të fitosh besimin dhe respektin e kolegëve, por jo vetëm.

mjek infermiere pacientSa ju ka mbështetur familja?

Familja më ka mbështetur gjithmonë. Fëmijët i kam pasur të vegjël, por gruaja ka qenë gjithmonë mbështetëse dhe optimiste për mua. Këto vende nuk i kam uzurpuar, por kam qenë ndër të parët që iniciova, që mbështeta mjekët. Krijova Shoqatën Kombëtare të Infermierisë. Misioni i shoqatës ishte që të kërkonte më shumë trajtim, më shumë edukim dhe kualifikim për profesionistët e shëndetësisë.

Sa të kualifikuar ishin infermierët në krahasim me sot?

Ne kërkonim që niveli infermieror të ngrihej. Në këtë mënyrë profesionalizmi do të ishte më i madh. Por po të më pyesësh, sot jam i zhgënjyer në disa linja. Nëse do të marrim një infermier që mbaronte shkollën mjekësore të asaj kohe me një infermier që mbaron tani masterin shkencor, në nivel praktik të dhënies së ndihmës së parë, në ballafaqimin me pacientin, kemi humbur shumë pikë.

Ngre zërin me të madhe për të thënë që niveli profesional i infermierëve sot të mos jetë më i ulët se i atyre që mbaronin shkollat e mesme në atë kohë.

Kush e ka në dorë për ta rregulluar këtë dhe cili është roli i Urdhrit të Infermierit?

Për ta rregulluar këtë e ka në dorë gjithë shoqëria, shteti, si dhe Ministria e Arsimit, që duhet të rrisë cilësinë e shkollave të infermierisë. Nuk mungojnë eksperiencat, por duhet të ndryshojë mentaliteti.

Një pretendim është që mjekët japin mësim të Fakulteti i Infermierisë…

Dhe kjo është një problematikë që e kam ngritur shpesh. Na kanë thënë kolegët e huaj që kanë ardhur dhe kanë parë sistemin tonë të shërbimit infemieror: në Shqiperi nuk dalin infermierë, dalin gjysmë infermier – gjysmë doktorë. Infermierinë duhet ta bëjnë infermierët.

Në një takim dikush u shpreh: “Me sa kuptoj unë, në Shqipëri po kërkohet më shumë që të bëhet shkencë sesa profesionistë”. Sepse është e jashtëzakonshme të shkojnë 300-400 veta për master shkencor. Po vlera e masterit profesional? Master shkencor do të thotë të bësh shkencë. Mbaron masterin shkencor dhe është i ngelur tek ne, nuk e merr licencën e infemierit. Një nga kërkesat tona ka qenë që të mos pranohen për master pa marrë provimin e shtetit.

Njerëzit e lidhin Urdhrin e Infermierit me emrin tuaj…

Njerëzit lidhin shumë gjëra në emrin tim. Këtë e ka krijuar fakti i të qenit në krye. Por unë kam guxuar, sepse kam qenë dhe në krye të sindikatës së infermierëve për mbrojtjen e infermierëve. Kam guxuar atëherë kur të tjerët nuk guxonin.

Kam qenë i përfshirë në hartimin e projektligjit për Urdhrin e Infermierit. Është stërzgjatur shumë derisa u miratua ligji. Nga zgjedhjet që u bënë nga kandidatura, kam dalë më i preferuari për të qenë në krye të këtij institucioni. Jam votuar unanimisht.

Veçantia dhe vështirësia ime në këtë institucion është vetëm kjo: Unë isha i pari. E kam lënë punën si kryeinfermier dhe kam marrë detyrën e Presidentit të Urdhrit të Infermierit, kam ndenjur 6 muaj pa rrogë. Sepse nuk na dha asnjë lekë shteti. Se shteti kishte detyrimin ligjor që të na mbështeste. Na dha vetëm një zyrë te materniteti, më dha mua një kompjuter nga ata që kishin nxjerrë jashtë përdorimit dhe 2 tavolina me inventar.

Sot cila është marrëdhënia me Ministrinë e Shëndetësisë?

Marrëdhëniet ligjore i kemi shumë të mira. Kemi qëllimin kryesor për ruajtjen dhe rritjen e standardit për kujdesin ndaj pacientit.

Objektivat tuaja…

Objektivi im ka qenë organizimi i këtij institucioni (gjë që e kam arritur), krijimi i një regjistri kombëtar të profesionistëve të shëndetit (që e kam arritur), krijimi i një arkive me të dhënat profesionale të këtyre punonjësve. Objektivat që po punoj lidhen me rritjen e standardit të kujdesit ndaj pacientit dhe ruajtjen e pacientit nga kequshtrimi i profesionit.

A ka infermierë që abuzojnë me profesionin?

Të thuash se në Shqipëri nuk ka infemierë që abuzojnë me profesionin, është utopi.

Si i kontrollon Urdhri këto raste?

Urdhri i Infermierit nuk është një mollë që ra këtu në mes. Ne jemi pjesë e shoqërisë, jemi pjesë e këtij komuniteti profesional. Që të realizohen mirë detyrat, që të zbatohet mirë legjislacioni në të gjitha fushat lidhet ngushtë me kulturën e përgjithshme të shoqërisë ku jetojmë.

Shoqëria jonë është shumë pak ligjore dhe në fushën e shëndetësisë nuk njeh detyrimet dhe të drejtat. Harrojnë që ka ligje dhe në shumë raste kërkojnë vetëgjyqësi. Deri më sot kemi vetëm dy ankesa nga pacientët dhe familjarët që ankohen.

Marrim rastin konkret të Dhurata Himës. A ka ndonjë bashkëpunim me Urdhrin Profesional? Ne nuk kemi asnjë ankesë nga pacienti. Duhen parë gjërat dhe nga ana juridike. Nëse unë krijoj bindjen që kjo infermiere duhet hequr nga puna, ku janë faktet? Kjo duhet të paraqitet në gjykatë.

E pranoj që duhet hequr, po ku është argumenti ligjor? Duhet të vijë komisioni i gjykimit profesional që ta dëgjojë pacienten. Unë shkoj dhe nuk marr dot një vlerësim te koleget e saj, shkoj dhe nuk marr dot një vlerësim në këtë shërbim, nuk bëhet vlerësim në dosje. Të shkosh në QSUT dhe të thuash që më jep vlerësimin për x mjek apo infermier se ka 20 vite punë këtu, të vetmen gjë që kanë është një librezë pune.

Në çfarë niveli janë investigimet për rastin në fjalë?

Nuk kemi arritur të flasim me personin në fjalë. I kemi shkruar dhe na ka kthyer përgjigje: Do ta zgjidh me shtetin, nuk kam punë me ju. Sepse unë duhet të bëj gjykim profesional dhe ligji i ka parashikuar kështu gjykimin profesional: Dëgjohet ai që akuzon, dëgjohet i akuzuari, dëgjohet drejtuesi dhe kolegët dhe pastaj vendoset në mënyrë të pavarur se çfarë do të ndodhë.

A e di media që jemi dhe ne (akuzuesi)? A e di që Dhurata ka disa të drejta ligjore që ta hedhë akuzuesin në fjalë në gjyq se e ka përgojuar dhe e ka nxjerrë në të gjitha mediat? Thonë që ia kemi lënë drejtorisë. Drejtoria dhe mund të marrë masa administrative. Por aktualisht në kulturën botërore kështu është.

Raporti me median?

Kanë qenë të mira, por shpesh jam i pakënaqur për mosrespektimin e gjërave që thuhen dhe në mosmbështetjen e problematikave dhe kërkesave tona që të bëhemi palë për të rritur standardin dhe cilësinë. Media shqiptare është bërë vetëm media e kronikës së zezë dhe si e tillë, sigurisht që del kundër nesh. Të bëhet profil pozitiv i një bluze të bardhë nuk është në synimin e medias, por të thuhet që filan infermiere mori 50 lekë aty, zë faqet e para. Nuk përgjithësohet pozitivja. Një pedagoge e infermierisë thotë se që infermierët janë kaq të dobët, e ka fajin Urdhri i Infermierit. Nonsensi më i madh është që një pedagog që ka firmosur dhe u ka dhënë notën dhe vlerësimin, flet për këtë gjë.

Nëse Sabri Skënderi nuk do të ishte infermier, ç’do të ishte?

Pasioni im është leximi, librat. Edhe kam shkruar që kur kam qenë në 8-vjeçare dhe në shkollë të mesme isha përgjegjësi i bibliotekës së shkollës. E meqë pëlqehesha shumë nga profesori i letërsisë, bëja orën gazmore.

Të punuarit në poste drejtuese nënkupton edhe ngarkesë emocionale, stres. A është reflektuar kjo në gjendjen tuaj shëndetësore?

Për momentin jo. Them se pas të 60-ave do filloj ta ndiej. Unë vuaj nga hipertensioni dhe për fat të keq nuk kujdesem për veten.

Postime të ngjashme

Mjeku që braktisi Gjermaninë, rikthehet në Divjakë pas 20 vitesh, dr. Shundi: Nuk ka si vendlindja
Infermieria, profesioni që të zgjedh
Elda Skënderi, mjekja që i kupton fëmijët pa folur
Arben Baboci, kirurgu i zemrës së fëmijëve
Arjana Rreli: Zgjodha ëndrrën e babait tim
Festa Mjeshtri: Realiteti vret ëndrrat e grave
Pëllumb Pipero: Odisea, nga repartet ushtarake, në gjirin e elitës mjekësore
Infeksionet në shtatzëni, kur e rrezikojnë bebin