Kryefaqja Lifestyle Seksualiteti i hershëm, pasojat tek adoleshentët

Seksualiteti i hershëm, pasojat tek adoleshentët

0
Shpërndaje

Bisedoi: Elona Tereziu

“Të rinjtë sot e kanë bërë të modës të mburren midis njëri-tjetrit unë kam partner e ti nuk ke, unë kam ndërruar kaq e ti aq. Për mua kjo është e rrezikshme, është një ‘’modë’’ e shëmtuar që duhet të na ndërgjegjësojë të gjithë”. Kështu shprehet për gazetën “Shëndet+”, mjekja gjinekologe e e Qendrës Shëndetësore Nr.3, Lindita Myzyri teksa tregon se aktiviteti seksual tek adoleshentët sot fillon gjithnjë e më herët, madje që 13 vjeç, pa ditur pasojat fizike e psikologjike të një veprimi të tillë.

Teksa flet për pasojat (lidhje të paqëndrueshme, shtatzëni të padëshiruara, aborte, infeksione etj), ajo thekson edhe rëndësinë e komunikimit prind-fëmijë, para dhe gjatë kësaj faze duke e konsideruar atë si tepër të rëndësishëm.

Cila është mosha më e përshtatshmë për të filluar aktiviteti seksual?

Që të dimë se kur është më e përshtatshme që të fillojë aktiviteti seksual së pari duhet të dimë se kur piqen organet gjinore. Dhe më e mira për femrat ose në përgjithësi ,aktiviteti seksual është mirë të fillojë pas moshës 18 vjeç, dhe më idealja do të ishte pas të 20-tave pasi në këtë moshë organet gjenitale janë më të pjekura dhe më të formuara.

Çfarë ndodh nëse aktiviteti seksual nis në një moshë më të re?

E para: duke filluar një jetë seksuale të shpejtë, 99% e këtyre adoleshentëve nuk kanë qëndrueshmëri me partnerët, pra ndryshojnë partnerët shpesh, dhe duke ndryshuar partnerët shpesh, qoftë mashkull qoftë femër, janë më të ekspozuara edhe ndaj infeksioneve seksualisht të transmetueshme.

E dyta: në rastin e femrës, janë të ekspozuara ndaj faktit për të mbetur shtatzanë, dhe kur mbesin shtatzanë në mënyrë të padëshiruar do të bëjnë abort, por aborti në një moshë kaq të re e dëmton femrën si nga ana shëndetësore, ashtu dhe nga ana psikologjike. E para sepse ajo mitër nuk është zhvilluar ende, pra nuk e ka arritur pjekurinë e saj dhe e dyta pas një aborti një femër është më e prirur për të bërë infeksjone, qoftë dhe infeksione banale si një myk apo trikomon,  deri në pamundësi për të mbetur shtatzënë.

Nisur nga rastet që ju hasni në punën tuaj, rreth çfarë moshe mund të themi se fillon jeta seksuale sot?

Jashtëzakonisht shumë herët, mund të them që 13 vjeç, por ndoshta dhe më herët. Të rinjtë sot e kanë bërë si modë dhe mburren midis njëri-tjetrit unë kam partner e ti nuk ke. Unë kam ndrruar kaq e ti aq, dhe kjo për mua është e rrezikshme.  Është një “modë” e shëmtuar  që duhet të na ndërgjegjësojë të gjithë në për të rritur ndërgjegjësimin dhe informimin tek këta adoleshentë, dhe kjo nis me familjen duke rritur kapacitetin dhe rolin e saj, nis me shoqërinë, nis me median dhe me shtetin.

A janë të informuar të rinjtë për metodat kontraceptive?

Nuk mund të them se janë të painformuar, informacion kanë, por ndoshta nuk kanë informacionin e duhur. Çfarë dua të them me këtë? Jo të gjithë të rinjtë drejtohen nëpër qendrat shëndetësore për të marë informacion mbi metodat kontraceptive, por më së shumti gugëllojnë (google) nëpër internet, dhe pasi gjejnë diçka, i drejtohen farmacive. Mirëpo këtu ka një problem. Farmacisti tek ne nuk është i trajnuar për metodat kontraceptive, kur fillojnë, si fillojnë, si ta përdorësh etj. Pra bëhen disa pyetje për të parë nëse ky person e merr ose nuk e merr dot këtë lloj kontracepsioni, dhe këtu fillon pastaj ai handikapi më i madh se adoleshentët fillojnë e marrin informacion nga njëri-tjetri dhe kur informacioni kalon gojë me gojë, sikur njëri ta ketë marë gabim, në mënyrë zinxhirë ky informacion do të shpërndahet i gjithi gabim.

Drejtohen të rinjtë në qëndrat shëndetësorë për një informacion të tillë?

Dikur ka patur qëndra rinore ku të rinjtë shkonin e merrnin informacion, sot funksionon sistemi i referimit, çka do të thotë që për çdo problem shëndetësor paraqitesh tek mjeku i familjes dhe ai të orienton pastaj se ku duhet të shkosh. Përsa i përket punës sime profesionale, kam jashtëzakonisht shumë të rinj që paraqiten këtu, dhe shpesh herë nuk janë dhe të lagjes, por vijnë me njohje të ndryshme , ose i ka thënë dikush shko tek mjekja e filan lagje sepse merr informacion dhe kontraceptivë falas. Por më tepër të rinjtë paraqiten këtu për të marrë kondomin mqs jepet falas, por ka edhe nga ata që vijnë për të pyetur apo ndonjë seanca këshillimi.

Sa i rëndësishëm është komunikimi prind-fëmijë, lidhur më këtë çështje?

Jashtëzakonisht shumë i rëndësishëm. Baza është familja, dhe punën që bën prindi nuk e bën asnjë tjetër. Informacioni një adoleshenti i duhet dhënë shkallë pas shkalle, i duhet dhënë në mënyrë të përditëshme dhe nga pak, sipas fazës së rritjes. Por ne këtu hasemi me dy probleme:

E para është ende tabu të flasësh në familje për tema të tilla, është ende tabu t’i thuash fëmijës që mbajtja e një kondomi me vete të bën mirë, apo që një jetë seksuale e hershme nuk bën mirë për shëndetin. Sigurisht nuk mund të them se jemi njësoj si para viteve 90 apo 2000, ky raport ka ndryshuar, por duhet akoma shumë punë.

E dyta: Vetë të rinjtë komunikojnë shumë me njëri tjeterin dhe duke komunikuar me njëri tjetrin pra duke marë  atë “eksperiencat e shokëve” nuk i hapen familjes, madje ruhen, e  ruajnë “sekretin” e tyre që mos e kuptojnë mami, mos e kuptojë babi, motra apo vëllai më i madh, dhe në këtë mënyrë  gabojnë.

Një këshillë?

Hapuni me fëmijët tuaj, qëndrojuni pranë dhe mundohuni t’i kuptoni dhe mirëkuptoni ata. Mos i bëni moral! Kthejeni kohën tuaj pas në adoleshëncë dhe mendoni se çfarë do të kishit dashur që prindërit tuaj të bënin me ju. Nëse nuk keni informacionionin e duhur, ju lutem kërkojeni atë nëpër qendrat shëndetësore dhe kini durimin për ta shpërndarë me fëmijët tuaj. Kini parasysh që thyerja e barrierave prind-fëmijë, nuk është një punë e lehtë, ndaj këmbëngulni, këmbëngulni./ Shendeti.com.al

LËR NJË MESAZH

Please enter your comment!
Please enter your name here