Kryefaqja Në sytë e pacientit Sëmundjet e zemrës, pacientët pritje me muaj për koronaren

Sëmundjet e zemrës, pacientët pritje me muaj për koronaren

0
Shpërndaje

Aishe Thartori

Pacientët të cilët qëndrojnë të shtruar pranë QSUT për t’u kuruar nga sëmundjet e zemrës, i nënshtrohen një pritjeje të gjatë e cila shkon nga një javë, deri në disa muaj. Besnik Loci është një nga shumë të afërm të këtyre pacientëve, që ashtu si ai kanë të shtruar pranë pavionit të Kardiologjisë një kunat, vëlla, bashkëshort/e apo mik të tyre. Prej 3 javësh ai vjen çdo ditë nga Fushë-Kruja për të vizituar kunatin, i cili qëndron i shtruar në katin e parë të pavionit të Kardiologjisë dhe pret nga dita në ditë t’i nënshtrohet koronares.

zemra“Ka tre javë që e mbajnë të shtruar në Pavionin e Kardiologjisë. E kemi sjellë me urgjencë nga spitali i Burrelit pasi mori atje ndihmën e parë, sepse kaloi parainfarkt. Kanë kaluar gjithë këto ditë dhe mjekët ende nuk na kanë dhënë një datë se kur do t’i nënshtrohet koronares. Thjesht na kanë thënë që të presim. E vetmja gjë që kemi bërë deri më tani, është hip në një kat e zbrit në një tjetër. Në fillim shkuam tek urgjenca më pas e kaluan në katin e dytë të pavionit të Kardiologjisë, ndërsa tani ka pak ditë që e kanë zbritur këtu në katin e parë derisa ta thërrasin për të bërë koronaren”, rrëfen Besniku. Ai thotë se një situatë e tillë nuk mund të vazhdojë, sepse kjo rrezikon familjen e kunatit.

“Ai është i vetmi në familje që siguron të ardhura. Të shoqen e ka të papunë, fëmijët janë në universitet dhe kanë shpenzime dhe për më tepër çdo fund muaji i duhet të paguajë qiranë e shtëpisë ku jeton. Po të vazhdojë edhe më gjatë kjo pritje, shumë shpejt nuk do të kenë as një shtëpi ku të fusin kokën. E vetmja gjë për të cilën kunati mendon tërë këto ditë është të dalë nga spitali pa iu nënshtruar koronares dhe t’i rikthehet punës, sepse e gjithë familja është e drejtuar me sytë nga ai”.

I afërmi i Besnikut nuk është i vetmi pacient që ndodhet në rrethana të tilla. Ashtu si ai, edhe shumë të tjerë të ardhur nga qytete të ndryshme të Shqipërisë, kanë javë që qëndrojnë në pritje për t’iu nënshtruar koronares. Ndërkohë, mjekë – administratë e spitalit bëjnë një “hedhje topi” lidhur me përgjegjësinë e kësaj pritjeje që vë në rrezik jetët e pacientëve.

Shefi i shërbimit të Kardiologjisë

I kontaktuar nga gazeta “Shëndet Plus” në lidhje me ankesat e pacientëve shefi i shërbimit të kardiologjisë prof.dr. Artan Goda, u shpreh se lista e pacientëve dhe pritja e tyre për t’iu nënshtruar koronares nuk është në kompetencat e tij.

Sipas shefit të shërbimit, lista e pacientëve u diktohet nga administrata e QSUT-së përkatësisht nga nëndrejtori i Qendrës Spitalore Universitare “Nënë Tereza”. “Mua më vijnë listat e pacientëve nga drejtoria e QSUT, dhe ne në bazë të listës vijojmë punën tonë me pacientët për t’iu nënshtruar koronares. Nuk është në dorën time të vendos kush duhet t’i nënshtrohet dhe kush duhet të presë”, u shpreh shefi i pavionit.

Drejtoria e Qendrës Spitalore Universitare “Nënë Tereza”

Burime nga drejtoria e QSUT-së bëjnë me dije se lista e pacientëve të cilët presin për t’iu nënshtruar koronares nuk është përgjegjësi e administratës. Sipas këtyre burimeve, lista realizohet me planifikim nga mjekët e pavionit. Rastet urgjente janë të vetmet raste që i nënshtrohen në mënyrë të menjëhershëm realizimit të koronares. Përsa u përket pacientëve të tjerë të cilët vijnë nga rrethet me rekomandimin e mjekut familjar, procedohet duke u regjistruar, më pas në varësi të gjendjes pacientit i caktohet edhe momenti se kur do t’i nënshtrohet koronares, gjë e cila bëhet me dije nga zyra e burimeve njerëzore.

Statistika

Bazuar në të dhënat e bëra publike nga Instituti i Shëndetit Publik, në 20 vitet e fundit sëmundjet kardiovaskulare janë rritur ndjeshëm. Vdekshmëria prej këtyre sëmundjeve zë vendin e parë në vend. Sipas ISHP-së, nga 200 vdekje që i përkasin vitit 1991 nga këto sëmundje, numri i rasteve për vitin 2009 shkon në 286.2 duke zënë kështu rreth 60% të të gjitha vdekjeve. Këto sëmundje prekin të dyja gjinitë, si meshkujt, ashtu edhe femrat. Por duhet theksuar se këto të fundit pas menopauzës janë më riskuara ndaj sëmundjeve kardiovaskulare.

Kushtet e këqija në pavion

Pacientëve të kardiologjisë përveç pritjes së mundimshme në këto ditë të ftohta, listës së ankesave të tyre u shtohen gjithashtu edhe kushtet e këqija në pavion. Shumë prej tyre ankohen për mungesën e higjienës, sistemit të ngrohjes dhe deri mungesën e ndriçimit.

Edhe pse temperaturat së fundmi janë ulur ndjeshëm, sistemi i ngrohjes në këtë pavion ende nuk është vënë në gjendje pune, madje në disa dhoma mungojnë totalisht kaloriferët e ngrohjes. Higjiena gjithashtu mbetet një shqetësim shumë i madh për mjaft pacientë, të cilët luhaten mes frikës së marrjes së infeksioneve të ndryshme. Sipas tyre më shqetësues mbeten tualetet, pasi ujërat e zeza të kateve të mësipërme pikojnë mbi tualetet e kateve të mëposhtëm.

Mungesa e barnave

Pacientët “fatlumë” të cilët i janë nënshtruar koronares kanë pohuar për gazetën “Shëndet Plus” se përveç listës së barnave që duhet ta sigurojnë në rrugë private, atyre iu është dashur të blejnë edhe pullat së bashku me elektrodat që shërbejnë për të kryer koronaren.

Koronarja

Në çfarë konsiston koronarja

Ekzaminimi i koronarografisë konsiston në vizualizimin e koronareve (arteriet që rrethojnë zemrën në formën e një kurore) dhe të ventrikulit të majtë nëpërmjet injektimit të kontrastit (materialit që mundëson vizualizimin), i cili përmban jod dhe dokumentimin e këtij vizualizimi nëpërmjet një filmi duke përdorur rrezet X.

Për të arritur arteriet koronare, është e nevojshme futja e një kateteri të vogël në një arterie të trupit, zakonisht në arterien femorale (në rrëzë të kofshës), në arterien radikale (tek kyçi) apo në arterien brakiale (sipër bërrylit). Trajektoret e caktuara të kateterave mundësojnë afrimin e tyre pranë dy arterieve koronare (e majta dhe e djathta) dhe futjen e tyre në ventrikulin e majtë, për të realizuar injektimin e kontrastit.

Rreziqet e mundshme

Ekzaminimi i koronares shoqërohet me rrezikun e shfaqjes edhe pse të pakta në numër të ndërlikimeve si:

-Ndërlikime të lidhura me shpimin e arteries:

-Hematoma (grumbullim i gjakut) në vendin e shpimit

-Mbyllje të menjëhershme të arteries (për shkak të trompozës apo të embolisë)

-Reaksione vagale (të përziera, ulje të shpejtësisë së rrahjeve të zemrës dhe të presionit të gjakut nga reflekset e nxitura nga shpimi).

Ndërlikime të lidhura me kateterizimin:

Në raste të veçanta mund të shkaktohet insuficiencë e zemrës, infarkt i miokardit dhe vdekje. Këto janë ndërlikime që verifikohen rrallë në të sëmurët me probleme shëndetësore mjaft serioze, me sëmundje ishemike të zemrës në aktivitet, insuficiencë kardiake, insuficiencë renale të theksuar apo insuficiencë respitratore. Rrallë ndodh të verifikohen ndërlikime neurologjike, përgjithësisht me natyrë embolike, sidomos gjatë kryerjes së ekzaminimeve në arteriet që furnizojnë me gjak trurin.

Ndërlikimet që lidhen me lëndën e kontrastit:

Zakonisht bëhet fjalë për ndërlikime të tipit alergjik, apo për shkak të dëmtimit të veshkave. Lëndët e kontrastit që përdoren aktualisht, përgatiten në mënyrë të tillë që të ulin në minimum numrin e ndërlikimeve të lartpërmendura. Reaksionet e rënda janë jashtëzakonisht të rralla, mundësia që të verifikohet një reaksion vdekjeprurës është afërisht 1 në 100.000 ekzaminime. Shumica e këtyre ndërlikimeve mund të trajtohet në mënyrë të menjëhershme me barna.

Periudha pas ekzaminimit

Pas ekzaminimit pacientit i duhet të qëndrojnë në shtrat për 12 orë. Ndërsa në rastet kur pacienti i nënshtrohet ekzaminimit nëpërmjet arteries femorale, preferohet mosvënia në lëvizje e gjymtyrëve të poshtme për një deri në dy ditë.

Përfitimet

Koronarografia është aktualisht i vetmi sistem për të vizualizuar arteriet koronare në mënyrë të plotë dhe për të treguar se deri në çfarë shkalle sëmundja arteriosklerotike ka prekur enët koronare. Informacioni që merret nëpërmjet këtij ekzaminimi lejon planifikimin e një  terapie të përshtatshme mjekësore dhe kirurgjikale. Moskryerja e koronarografisë do të thotë vijim i terapisë aktuale mbi bazën e informacioneve të marra deri në momentin në fjalë.

LËR NJË MESAZH

Please enter your comment!
Please enter your name here