Shafran Indie dhe kurkuminë: Antivirusi më i fortë natyral

Përshtati në shqip: Blertina Koka

Shafrani i Indisë njihet si erz. Është një nga përbërësit kryesorë të pluhurit të kurkuminës. Në Indi dhe vende të tjera aziatike shafrani i Indisë përdoret për të trajtuar disa gjendje shëndetësore. Besohet se ka veti antiinflamatore, antioksiduese dhe ndoshta edhe anti-kancer.

Për çfarë e përdorin njerëzit shafranin e Indisë?

Kurkumina, një substancë tek shafrani i Indisë, ndihmon në uljen e inflamacionit. Studime të ndryshme kanë treguar se mund të ndihmojë në lehtësimin e simptomave të osteoartritit dhe artritit reumatoid, si dhimbjet dhe inflamacionin. Përbërës të tjerë tek shafrani i Indisë mund të shërbejnë gjithashtu në mjekësi.

Në testimet e kryera në laborator ka rezultuar që kurkumina bllokon zhvillimin e disa llojeve të tumoreve. Një studim ka treguar se ekstrakti i shafranit të Indisë që përmban kurkuminë mund të stabilizojë në disa raste kancerin kolorektal. Megjithatë, duhet të bëhen më shumë kërkime shkencore në lidhje me këtë temë.

Studime të mëparshme të kryera në laborator sugjerojnë se kurkumina ose shafrani i Indisë mund të mbrojnë kundër disa llojeve të kolitit, ulcerës në stomak dhe kolesterolit të lartë. Bazuar tek këto studime, shafrani i Indisë dhe kurkumina mund të ndihmojnë gjithashtu në trajtimin e aciditetit të lartë në stomak, diabetit, depresionit dhe infeksioneve virale.

Megjithatë, është e rëndësishme të mos harrohet që shumica e këtyre studimeve janë kryer në laborator.

Sa shafran Indie mund të përdorni?

Shafrani i Indisë është një trajtim i paprovuar, edhe pse prej vitesh është përdorur si trajtim tradicional dhe në disa studime laboratorike. Prandaj nuk ka një dozë standarde.

A mund ta merrni shafranin e Indisë në mënyrë natyrale nga ushqimet?

Shafrani i Indisë, si erz, përdoret gjerësisht në gatimet indiane. Erza (dhe si suplement) prodhohet nga rrënjët (rizomet) e bimës së shafranit.

Rreziqet e përdorimit të shafranit të Indisë?

Efektet anësore. Përgjithësisht shafrani i Indisë është i sigurt. Megjithatë, mund të shkaktojë të vjella dhe diarre nëse përdoret në doza të larta dhe për një periudhë të gjatë. Mund të ketë rrezik edhe për zhvillimin e ulcerës në stomak nëse përdoret në doza të larta. Kujdes duhet të kenë njerëzit që kanë gurë në tëmth; konsultohuni më parë me mjekun specialist për përdorimin e kësaj erëze.

 Rreziqet. Gratë shtatzëna nuk duhet të përdorin suplemente të shafranit të Indisë. Flisni me mjekun para se të përdorni suplemente rregullisht nëse keni ndonjë problem shëndetësor, si gurë në tëmth, probleme me veshkat, diabet ose probleme me imunitetin. Duke qenë se shafrani mund të rrisë në mënyrë të konsiderueshme gjakderdhje, mos e përdorni të paktën 2 javë para një operacioni të programuar.

Kundërveprime. Nëse përdorni ilaçe rregullisht, flisni me mjekun para se të përdorni suplemente të shafranit. Ato mund të kundërveprojnë me ilaçe si aspirina, ilaçet për lehtësimin e dhimbjeve (anti-inflamator jo-steroidale, si ibuprofeni), statina, ilaçet për diabetin, tensionin e lartë të gjakut dhe holluesit e gjakut. Ato mund të ndërveprojnë me suplemente që ndalojnë mpiksjen e gjakut, si xhinsengu, hudhra etj.

Për shkak të mungesës së të dhënave rreth sigurisë, fëmijët dhe gratë që ushqejnë fëmijë me gji duhet të përdorin suplemente të shafranit vetëm nëse ua rekomandon mjeku.

Burimi: WebMD / Shendeti.com.al

Postime të ngjashme

Shqipëria, drejt “superplakjes” raporti: Nevoja për shërbime të kujdesit afatgjatë në rritje
8 mënyra të thjeshta për të shmangur sëmundjet
Ozempic, bari inovativ antidiabetik me mbrojtje nga risqet kardiovaskulare edhe në Shqipëri
Dërgonin pacientët e Onkologjikut në klinika private, Prokuroria mbyll hetimet dhe dërgon për gjykim zyrtarë dhe mjekë të QSUT (EMRAT)
Pse luleshtrydhet myken kaq shpejt? Gabimi që bëjmë të gjithë
Këto janë efektet anësore të ujit me limon
Mishrat e dhëmbëve: Çfarë tregon ngjyra e tyre për shëndetin tonë
Shifra shqetësuese: Vdekjet nga kanceri i rektumit po trefishohen te të rinjtë