Entela Hamiti
Gjatë fushatës, një nga pikat me të nxehta e më të debatuara të programit të qeverisë ishte shëndetësia. Por kjo ndodh gjithmonë. Në kohë votimesh dhe shëndetësia ngelet po e njëjtë, në mos me kalimin e viteve dhe më keq akoma. Një nga arsyet pse ndodh kjo është e thënë qartë në një shprehje te Hans Stein tek Eurohealth 2003: “Politika në shëndetësi është një sektor politik, i cili më shumë nga të tjerët thith dhe pasqyron zhvillimin, traditat dhe kulturën e një kombi. Sistemet shëndetësore janë rezultat i dekadave zhvillimi dhe përgjigjja ndaj gjendjes dhe historikut shoqëror të një vendi”.
Nisur nga kjo thënie, pas 20 vitesh tranzicion reformimi i shëndetësisë është bërë domosdoshmëri. Por duhet pasur parasysh që reforma duhet të bazohet në disa parime të përcaktuara nga organizata botërore e shëndetit të cilat janë:
• Qasje universale për kujdesin dhe mbulim mbi bazën e nevojës;
• Angazhimi për kapitalin e shëndetit, si pjesë e zhvillimit të orientuar për drejtësi sociale;
• Pjesëmarrja e komunitetit në përcaktimin dhe zbatimin e agjendave shëndetësore
• Qasjet ndërsektoriale për shëndetin
Nga duhet të fillojë kjo reformë?
Reforma në sistemin tonë shëndetësor gjithmonë është kuptuar si shkurtim i fuqisë punëtore ndërkohë që ata janë aseti më i çmuar që ka sot mjekësia shqiptare. Rishpërndarja e tyre në bazë të reformës territoriale është sfida e kohës.
Nuk mund të kemi një reforme të mirë shëndetësore pa pasur me parë një reformë territoriale. Shumë fshatra të thellë mbahen vetëm nga puna e një infermiereje, pasi mjekët nuk parapëlqejnë të shkojnë në fshatra të thella, ndërkohë që në qytete si Erseka, me një popullsi shumë të vogël, ka spital me 80 shtretër të cilët nuk funksionojnë as në një të tretën e kapacitetit te tyre.
Migrimi i popullsisë drejt qendrave të urbanizuara ka bërë që dendësia e popullatës të ndryshojë shumë dhe për pasojë duhet të ribëhet një shpërndarje më e mirë e kapaciteteve.
Kjo nuk nënkupton që në Ersekë të mos ketë spital, përkundrazi, por kapacitetet të reduktohen sipas nevojave të popullatës.
Masa të tjera emergjente?
Që të dimë sa buxhet na duhet, më parë duhet të kemi të dhëna të sakta dhe për këtë duhet një informatizim i shpejtë i sistemit. Informatizimi i të dhënave dhe krijimi i një baze të dhënash për sëmundshmërinë do të bënte të mundur një menaxhim më të mirë të tyre dhe uljen e kostove që ato i shkaktojnë buxhetit. Sot ne nuk dimë sa është numri i saktë i të sëmurëve me kancer apo me sidë për arsye se shumë prej tyre mjekon privatisht, pa u regjistruar në regjistrat e spitaleve shtetërore.
Po ashtu, mospasja e një rrjeti informacionesh midis mjekevë e bën pacientin me të ekspozuar karshi gabimeve njerëzore, pasi askush nuk mban përgjegjësi për asgjë. Farmacistët që shesin ç’të duan, mjekë që lëshojnë receta pa u bindur më parë për një diagnozë.
Sfida tjetër e kohës është hapja e shërbimeve të reja.
Me hapjen e vendit dhe lëvizjen e lirë të popullsisë, si dhe ndryshimet kulturore është rritur shumë numri i njerëzve, sidomos të rinjve që janë bërë vartës të alkoolit dhe substancave narkotike apo i të sëmurëve me sidë, të cilët kërkojnë shërbime të specializuara (qendra rehabilituese) etj. Hapja e këtyre qendrave tashmë është më shumë se urgjente. Shërbimet e kujdesit mendor duhet të shtrihen në çdo qendër.
Ngritja e kapaciteteve të mjekëve të kujdesit parësor, të cilët shërbejnë si filtër është shumë i rëndësishëm për të qenë sa më efektivë në punën e tyre.Kjo mund të realizohet nëpërmjet kurseve pasuniversitare 1-vjeçare si në shëndet mendor, sëmundje të brendshme, laboratorike etj.
A mund t’i kemi të gjitha këto falas?
Këtë po e le të hapur. Nëse ka vullnet për ndryshim, çdo gjë është e mundur. Çdo gjë!
