Shishqebapi përgatitet në mënyra të ndryshme. Mund ta përgatisim me mish derri, qengji, pule apo viçi të njomë. Në këtë recetë i kemi përgatitur me perime e salsiçe të freskëta. Shishqebapi përgatitet në çast, në momentin që do ta shërbejmë, pasi i ftohtë nuk ka shumë shije.
Mishi i përgatitur shkohet në shufra druri ose metalike ose në degë dafine apo rozmarinë (këto të fundit i japin më shumë shije) dhe piqet në skarë apo mbi prush.
Përbërësit për 4-5 persona
- 500 gr mish
- 2 speca të kuq
- 2-3 kunguj
- 2-3 salçiçe derri të freskëta
- Dega rozmarinë
- Pak kripë
- Pak piper
- Pak vaj ulliri
- Pak rigon
- 1 gjethe dafine
Përgatitja e shishqebapit
Si fillim presim mishin e derrit në copa të vogla kubike. I vendosim në enë qelqi dhe i hedhim pak vaj ulliri, pak piper dhe gjethen e dafinës. I përziejmë mirë në mënyrë që gjithë mishi të marrë vajin dhe e mbulojmë me qese. E lëmë të marinohet përreth 1 orë. Marrim perimet dhe i lajmë. Presim kungujt në feta pak të trasha, presim gjithashtu dhe specat në copa, të njëjtën gjë bëjmë dhe me salsiçen.
Fillojmë e përgatisim shishqebapin. Shkojmë në fillim mishin në shufrat e drurit ose ato metalike. Pastaj vazhdojmë me një degëz rozmarine, një copë kungulli, një copë salsiçe, një copë spec e kështu me radhë duke i alternuar të gjithë përbërësit.
Pasi i kemi përfunduar të gjithë përbërësit, i hedhim sipër shishqebapit pak kripë e rigon. E vendosim të piqet në skarë të nxehtë ose në prush. E servirim të nxehtë, të shoqëruar me sallata të ndryshme të stinës.


