Si transformimi i shërbimit spitalor kthehet në sfidë të sistemit shëndetësor

Rudina Degjoni, MBA DBA*

Kujdesi shëndetësor në vendin tonë po ndryshon. Me ndryshimin, sigurisht, vjen pasiguria. Me pasigurinë krijohet ankthi. Megjithatë, siç kam vëzhguar se çfarë po ndodh rreth nesh, unë shoh shumë mundësi: mundësi për të transformuar mënyrën se si ne kemi qenë të siguruar për kujdes shëndetësor, se si ne mund të transformojmë dhe të krijojmë një sistem që do të ketë kuptim për popullatën sot, por dhe për brezat nesër.

Rudina DegjoniLe të fillojmë me rolin e spitaleve. Sistemi ynë spitalor sot numëron rreth 7600 shtretër, por disa spitale (bashkiake dhe rajonale) nuk operojnë në mënyrë efikase duke i kthyer ato në të paefektshme. Rezulton kështu një tepricë shtretërish spitalorë ose një numër shumë i madh shtretërish spitalorë në krahasim me popullsinë dhe ngarkesën e sëmundjeve të popullatës që trajtohet në këto spitale. Si pasojë e kësaj, do të ishte e dëshirueshme të reduktohej numri i tyre.

Jo rastësisht vizitat ambulatore janë rritur me një përqindje të lartë në të njëjtën periudhë. Kjo nuk do të thotë që popullata nuk ka më nevojë për spitalet, përkundrazi, qëllimi i këtyre strukturave është se duhet të ndryshojnë.

Spitali është një institucion për kujdesin shëndetësor që garanton trajtimin e pacientit nga personeli i specializuar me pajisjet e tij mjekësore. Vendet e zhvilluara sot kanë sisteme kryesisht publike, por që kanë investuar shumë në ndërtimin dhe funksionimin e spitaleve. Ato nuk mund të përballojnë ndërprerjen e shërbimeve prej tyre. Zgjedhjet e tyre janë si t’i financojnë spitalet për të maksimizuar përfitimet prej tyre ose si të riorganizojnë qeverisjen dhe manaxhimin e tyre, në kërkim të efikasitetit dhe cilësisë së përmirësuar.

Aktorët e kujdesit shëndetësor mund të vendosin të përdorin një numër të caktuar shtretërish spitalor dhe mund të punësojnë staf i cili të paguhet në nivele të ndryshme, me qëllim që çdo ofrues i kujdesit shëndetësor të ketë mundësi të kërkojë avantazhe konkurruese dhe të gjenerojë përfitime nga kujdesi shëndetësor.

Kujdesi spitalor duke qenë se është një nga shërbimet sociale më të shtrenjta dhe kujdesi spitalor i papërshtatshëm ose joproduktiv do të jetë një shpërdorim i burimeve, i burimeve të qeverisë ose i sistemit të takspaguesve me funksionimin e sistemit “Beveridge”.

Në të gjitha vendet ka spitale që nuk janë shumë produktivë krahasuar me të tjerët. Për shembull, disa spitale i mbajnë pacientët të shtruar përtej nevojës për kujdes të specializuar dhe pajisje spitalore. Spitale të tjera joproduktivë mund të pranojnë shumë më pak pacientë për shtrim. Me fjalë të tjera kapaciteti i spitalit nënpërdoret dhe shkalla e shfrytëzimit të shtretërve spitalorë është e ulët.

Produktiviteti dhe performanca e spitaleve duhet të matet. Studime të ndryshme europiane kanë treguar si të maten produktet (rezultatet) spitalore në krahasim me kostot operative. Në sistemet shëndetësore, ku spitalet operojnë me “nënkapacitet”, ndryshimet në politikat e financimit mund të prezantohen si mjet stimulues për të rritur numrin e pacientëve të trajtuar. Këto politika mund t’i shpërblejnë spitalet që i nxjerrin pacientët nga spitali më shpejt se më parë, si dhe rrisin numrin e pacientëve të shtruar. Kjo është prezantuar në mënyrë të suksesshme në shumë vende për të inkurajuar spitalet të shkurtojnë ditët e qëndrimit në spital, si dhe të rrisin numrin e shtrimeve. Realiteti i spitaleve në Shqipëri nuk ndryshon shumë nga këto që lartpërmendëm: shtretërit bosh, xhiro e ulët e shtratit, ditë të larta qëndrimi etj. janë pasqyrë e një ndikimi negativ financiar në disa nga spitalet tona që tashmë janë duke luftuar për t’u mirëmbajtur strukturisht.

Që nga viti 2009, më shumë se gjysma e spitaleve në vendin tonë humbasin ose keqmenaxhojnë buxhetin e tyre. Në dekadat e fundit, rritja e kostove spitalore ka variuar nga 6% deri në 8% për vit në shumë vende. Duke qenë se kostot spitalore përfaqësojnë një nga shpenzimet më të mëdha sociale në shumë vende ekziston një dëshirë e madhe për të kontrolluar ose mbajtur në vend rritjen e tyre. Shumë vende synojnë ta kufizojnë rritjen e kostove në përqindjet e inflacionit ose në nivelet 2% deri në 3% në vit.

Mendoj se suksesi ekonomik nuk është e gjithë historia. Pse? Sepse shëndeti dhe trajtimi i pacientëve është gjithashtu në rrezik. Studime të ndryshme ndërkombëtare kanë treguar se rezultatet janë më të mira në qendrat e specializuara mjekësore me numër të lartë të pacientëve. Arsyeja është se sa më shpesh të kryhet një procedurë, aq më me efikasitet dhe cilësi i ofrohet ajo pacientit. Një model i tillë sistemi mund të krijohet në formën e qendrave të specializuara duke ofruar shërbime të kujdesit ndaj pacientit nëpërmjet njësive të integruara praktike. Një spital i cili ka vetëm një pjesë të vogël të procedurave të caktuara çdo javë ose çdo muaj nuk do të ketë të njëjtat rezultate me një spital që kryen me qindra procedura.

P.sh. le të shikojmë shërbimin e obstetrikës: A do të jetë më mirë që fëmijën tuaj ta lindni në një spital që ka raste bebesh në një numër të ulët në muaj apo në një të tillë që raporton një numër të lartë bebesh në muaj? Cili spital do të ketë peshën më të praktikuar në përvojë dhe cilësi? Cili spital do të jetë më mirë i përgatitur për të trajtuar ndërlikimet e papritura etj.

Për të ecur në një model të kujdesit shëndetësor të shekullit 21 mendoj se duhet të jemi të hapur për idenë e ndryshimit dhe të kërkojmë për mundësi të reja për të ofruar kujdes më të mirë të mundshëm tek çdo pacient. Presioni për të zvogëluar shpenzimet, për të përmirësuar cilësinë, efikasitetin dhe efektivitetin, për të siguruar një përvojë më të mirë të pacientit duhet të jetë e pranueshme nga popullata.

Ora e kujdesit shëndetësor ka ardhur dhe është momenti i fillimit të rrugës së transformimit. Shoferët kryesorë duhet të jenë ata të teknologjisë së informacionit dhe të planeve të kujdesit shëndetësor parësor dhe spitalor. Pacientët duhet të orientohen, të informohen, të dinë “dyqanin dhe çmimin”.

Pacientët po harxhojnë çdo ditë “para” për shëndetin e tyre, për kujdesin shëndetësor rutinë siç janë: ekzaminimet, ekot, radiografitë, CT, MRI dhe shpeshherë ata kërkojnë “çmimin dhe tregun më të lirë shëndetësor”.

Teknologjia e informacionit do të jetë krahasimi me të shkuarën, të tashmen, por perspektiva e së ardhmes. Së shpejti do të ketë aplikacione që tregojnë se cilët ofrues të kujdesit shëndetësor ofrojnë shërbime të cilat kushtojnë, pacientët do të jenë në gjendje për të zgjedhur ato me kosto më të ulët, por dhe ato me kosto më të lartë, sepse në këtë rast është një konsumator të cilit do t’i duhet t’i bëjë llogaritjet e veta të rrezik–përfitimit shëndetësor.

Një ndihmë pozitive do të jetë ajo e siguruesve privatë ose ndryshe agjenci financuese. Këto do të duhet të përdorin disa kombinime të elementeve, si: vlerën për paratë për financuesin, shpërndarjen e barabartë për popullsinë së cilës i shërbehet, drejtësi për spitalet në krahasim me njëri-tjetrin, rritjen ose zbritjen në volumin e shërbimeve etj. Ky rol do të ketë sukses vetëm nëse ofruesit duhet të jenë “të ligët e ndryshimeve spitalore”.

Ata duhet të përqafojnë me vetëdije kostot e shërbimeve shëndetesore jo si një detyrë e vështirë, por si një çështje të kujdesit ndaj pacientit, për shkak se së bashku me uljen e kostove, do të duhet të përmirësojmë efikasitetin, eficiencën duke reduktuar ndryshueshmërinë e rezultateve dhe përshpejtimin e risive mjekësore.

Mendoj se ka ardhur momenti që përveç konsumimit në shërbime, të ushtrohet “presion” duke paguar mjekët dhe spitalet më pak për shërbimet e ofruara dhe duke kërkuar më shumë përgjegjësi për cilësinë, sigurinë dhe përvojën e pacientit.

Spitalet private mund të tenderojnë për t’u shitur shërbimet e tyre agjencive të tilla financuese dhe nëeë ato nuk fitojnë një kontratë, ata janë në gjendje t’i shesin shërbimet privatisht, drejtpërsëdrejti tek pacientët ose kompanitë e tjera të sigurimeve. Siguruesit privatë, agjencitë financuese gjithashtu do të duhet të hyjnë në tregun e shërbimeve shëndetësore dhe të paguajnë më pak, por të kërkojnë më shumë.

*Specialiste e Zhvillimit të Politikave Shëndetësore

Fondi i Sigurimeve Shëndetësore

Postime të ngjashme

Vaksinat: Konspiracion apo mbrojtje e jetës?
Kur sëmundjes nuk i japim si terapi ilaçin, por betonin
Si 2025 mund të jetë një vit kyç përparimi për industrinë farmaceutike
Hulumtimet e fundit mbi viruset duhet të ngrenë alarmin, shkencëtarët po na vënë në rrezik
Çfarë është mjekësia e personalizuar?
Nuk ka diskutim: dhuna ndikon në shëndet dhe mirëqenie
Sistemi shëndetësor/ Rama si macja që fajson minjtë pse hëngrën djathin, dhe nginjet me të tërën
Mjeku Aliahmeti: Oksid etileni në akullore do të thotë të helmosh me duart e tua fëmijët!