Llesh Rroku, mjek kardiolog në QSUT
Në ditët e sotme kemi spitale publike dhe private, po ashtu dhe qendra konsultash të ndryshme, që janë në shërbim të sëmurëve. Këto spitale duhet të kenë sa më shumë shërbime për të mirën e pacientëve.
Nga përvoja jonë gjatë kësaj periudhe kemi vënë re dy standarde të ndryshme të sjelljes së një pjese të madhe të të sëmurëve. I njëjti i sëmurë ka sjellje të ndryshme nga spitali privat në atë publik.
Në spitalin publik një i sëmurë vjen për t’u takuar me mjekun pa takim paraprak, nuk pret, nuk rri gjatë për t’u këshilluar për sëmundjen e tij. Ndërsa e kundërta ndodh në spitalin privat, ku i zbatojnë të gjitha rregullat, presin, respektojnë takimet , mbajnë pastër ambientin dhe mundohen të jenë sa më të sjellshëm.
Një gjë e tillë ka të bëjë me infrastrukturën njerëzore, që duhet shumë kohë për t’u rregulluar. Sjellja me dy standarde e këtyre të sëmurëve është në dëmin e tyre, shoqërisë dhe mjekut. Duhet që të gjithë së bashku të kontribuojnë për ta mirëmbajtur dhe për të rritur besimin dhe nivelin te shërbimi publik.
Në dukje problemi shfaqet i thjeshtë, por është shumë i rëndësishëm për të gjithë, për personelin mjekësor që punon në shtet. Në shërbimin publik shtetëror këto shërbime duhet t’i përmirësojmë, të gjithë së bashku, duke filluar nga i sëmuri, personeli mjekësor etj. Gjithashtu duhet të punojmë që të rrisim edukatën shëndetësore të sëmurëve.
Duhet të luftojmë që të rritet besimi i ndërsjelltë mjek-pacient duke zbatuar me rigorozitet kartën e pacientit, ku kjo kartë duhet të jetë e afishuar në çdo ambient të spitalit, në mënyrë që i sëmuri të dijë të drejtat dhe detyrat e tij.
Sigurisht, vështirësitë janë kudo. Disa pacientë që në takimet e para nuk paraqiten direkt në informacion për t’u sqaruar apo për të marrë takim me mjekun konsulent, por bëjnë sjellje krejt të kundërta. Në shumë raste prishin qetësinë apo dhe higjienën e mjedisit përkatës, duke mos respektuar rregullat elementare për një mjedis të pastër, ndërkohë që kanë një sjellje krejt tjetër në spitalin privat.
Duke qenë në konkurrencë me njëri-tjetrin spitali publik dhe spitali privat duhet të bëhet që të zhvillohen paralelisht. Duhet që të sëmurët të jenë më bashkëpunues, gjithashtu kërkues ndaj vetes dhe shërbimit mjekësor që marrin.
Sigurisht ndodh ndonjëherë që po të njëjtit mjek që punojnë në shtet, shërbejnë dhe në privat. Por i sëmuri në këtë rast është i prirur më shumë te komoditeti i spitalit apo klinikës që ai kurohet.
Duhet që të gjithë së bashku të punojmë për rritjen e cilësisë së shërbimit publik, ta ruajmë si pronën tonë, të kujdesemi për të, sidomos kur të sëmurët të shtrohen në spitalin e QSUT. Mirëmbajtja fillon që nga shtrati, komodina, rafti i rrobave, ku shpeshherë të gjitha këto keqpërdoren. Duhet të interesohemi sikur jemi në hotel, ku jemi të detyruar të mirëmbajmë dhomën se në fund duhet të përgjigjemi për dëmet që kanë shkaktuar.
Dihet që i sëmuri ka të drejtë të kërkojë vazhdimisht për cilësinë e shërbimit, por duhet edhe të japë nga vetja e tij, durimin dhe mirësinë. Nga ana tjetër, mjeku duhet të jetë i qytetëruar, i sjellshëm me të sëmurin, ta dëgjojë me durim deri në fund, ta mirëkuptojë atë. Mjeku në çdo rrethanë që është me të sëmurin, duhet të kujtojë që i sëmuri ka gjithmonë të drejtë.


