Skandali/ KLSH nxjerr të palarat: Autoriteti Kombëtar i Ushqimit nuk mbron qytetarët

Autoriteti Kombëtar i Ushqimit nuk garanton funksionin për të cilin është krijuar. Ky është konstatimi i Kontrollit të Lartë të Shtetit në një raport të detajuar auditimi në një periudhë 5-vjeçare, mbi shkeljet dhe parregullsitë, të cilat kanë cenuar sigurinë ushqimore e për pasojë jetën ekonomike dhe sociale.

Nisur nga kjo, me autoritetin që ka, KLSH-ja i ka drejtuar institucionit 29 rekomandime dhe 22 masa organizative për përmirësimin e situatës deri në vitin 2018. Aktualisht, AKU-ja e kryen funksionin e saj në vakum të plotë ligjor. Aktualisht s’ka një rregullore të brendshme nuk mbikëqyret nga bordi si dhe 7 akte nënligjore të ligjit për ushqimin (nga 12 gjithsej) nuk janë shpallur ende që prej nëntë vitesh nga hyrja në fuqi e ligjit.

AKU-ja gjithashtu thuhet se nuk ka një bazë periodike kontrollesh dhe nuk vepron sipas një harte të përcaktuar. Përveç mungesës së kontrolleve, sipas raportit të KLSH-së në përgjithësi në të gjitha pikat mungon infrastruktura e domosdoshme për të garantuar siguri dhe besueshmëri në rezultatet e analizave të mostrave, pasi mungojnë pajisjet e nevojshme.

Por, më flagrante është fakti që “të ngarkuarit” për të bërë këtë punë nuk janë të duhurit. “Ka një numër të konsiderueshëm inspektorësh, profesioni i të cilëve nuk ka lidhje me fushën e sigurisë ushqimore”, – nënvizohet në raport. Por më flagrant është dyshimi për kompromis me bizneset e sanksionuara. Këtë e tregon numri i gjobave në rritje dhe shuma e gjobave e njëjtë. “Megjithëse numri i gjobave është rritur pothuajse tri herë, vlera e tyre as nuk është dyfishuar, gjë që tregon se inspektorët janë të prirur drejt një kompromisi me subjektet në dëm të zbatimit të ligjit për ushqimin”.

Përveç të tjerash, inspektorët nuk kanë dijeni mbi listën e laboratorëve të certifikuar për mallrat ushqimore të importuara, mbi bazën e të cilëve duhet të paraqitet raportanaliza e kryer në vendet e origjinës. Në këto vite, AKU-ja ka kryer analizat në laboratorë të paautorizuar nga Ministri i Bujqësisë, i cili duhet të miratojë me urdhër listën e tyre, duke përcaktuar tipin e laboratorit dhe analizat, që janë të autorizuar të kryejnë. Të gjithë faktorët e lartpërmendur dhe ata në tabelën përbri tregojnë sigurinë ushqimore në vend, në rrezik, çka citohet qartë edhe në raport. “Rezultatet e analizave tregojnë se përmirësimi i sigurisë ushqimore në vend është i kufizuar, pasi me treguesit e analizave jo konform me standardet, pra të ushqimeve të dëmshëm për shëndetin, ka luhatje të theksuar”./ Lapsi.al

 

Postime të ngjashme

Allmuça: Mekanizmat e Koordinuar të Referimit janë ngritur në 61 bashki, por nuk funksionojnë njësoj në të gjitha
"Babai im vdiq nga melanoma", Analisti: Nga diagnoza e gabuar te trajtimi që i kushtoi jetën
Shqipëria, ndër vendet e Europës që ka më pak shtretër në spitale, pavarësisht popullsisë në rënie
Për herë të parë, turistëve të huaj u vihet tarifë për shërbimet shëndetësore
Reduktim i mjekëve në qendra shëndetësore dhe spitale, reagon Ministria e Shëndetësisë
Vrau 15 pacientë, mjeku dënohet me burgim të përjetshëm! Dëshmia: Mendova se ishte më e mira për ta
Kur një nënë e kuptoi menjëherë se vajza e saj ishte dhunuar, pse nuk u aktivizuan mekanizmat e sistemit shëndetësor?
Raporti i OBSH-së: Rastet e kancerit pritet të rriten ndjeshëm në mbarë botën