Kryefaqja Aktualitet Spitali Rajonal i Fierit, mungesat të mëdha, buxheti vazhdon të ulet

Spitali Rajonal i Fierit, mungesat të mëdha, buxheti vazhdon të ulet

0
Shpërndaje

Denisa Canameti

Spitali Rajonal i Fierit pret dhe mjekon pacientë që nga Saranda, Përmeti, Tepelena, Mallakastra e sigurisht Fieri. Në oborrin e tij ndodhen 4 godina: Pediatria, Maternitet, Urgjenca dhe Kirurgjia, si dhe Specialitetet. Megjithatë, i vetmi investim i përfolur në vitet e fundit për spitalin e Fierit është ai i Urgjencës, që është pjesë e investimeve për Urgjencën Kombëtare. Ky investim, i përuruar nga ish-ministri Ilir Beqaj, prej rreth 100 milionë lekësh, është bërë vetëm për katin e parë të godinës. Ndërkohë në katet e tjera, situata lë për të dëshiruar, me mure të ngrëna nga lagështira, me tualete të mbushura me mbetje spitalore dhe me mungesa të konsiderueshme.

Pamje nga Spitali i Fierit

Nga ana tjetër, mësohet se pavarësisht 4 godinave, nga Ministria e Shëndetësisë është planifikuar ndërtimi i një godine të re për spitalin e Fierit, ku në fakt problematika më e madhe se vetë godina qëndron në mungesën e ilaçeve dhe së fundmi e deklaruar edhe prishja e grafisë që “nuk po rregullohet dot”.

Një muaj më parë, pacientët raportuan prishjen e grafisë. Një gjë e tillë u konfirmua në linjë telefonike për gazetën “Shëndet+” edhe nga drejtoresha Brunilda Çami, e cila deklaroi: “Është e vërtetë që grafia është e prishur. Janë prishur nja dy pjesë që nuk riparohen, por duhen zëvendësuar, ndaj kjo kërkon kohë”. Sipas drejtoreshës, grafia “pritet të vihet në funksion shumë shpejt dhe puna të vazhdojë normalisht”.

Ndërkohë pavarësisht shpresave për rregullimin “shumë shpejt” nëndrejtori teknik i këtij spitali Andrea Dollaku, konfirmon se grafia vazhdon të jetë e prishur: Grafinë e ka marrë firma e mirëmbajtjes, por s’po vjen një paketë e vogël që i duhet për ta rregulluar”.

Si rrjedhojë, pacientët që kanë nevojë për shërbimin e grafisë, duhet t’u drejtohen klinikave private aty ngjitur (që nuk janë të pakta). “Grafinë e bëra të klinika përballë. Kjo klinikë i bën më mirë se ajo tjetra ngjitur”, thotë një pacient, i cili është me grafi në dorë. I pyetur nëse grafia e spitalit ka të njëjtën cilësi si ajo e klinikës private përballë, pacienti përgjigjet thjesht: “Në spital s’bëhet fare”.

Pacientë duke marrë shërbimin e grafisë në klinikën private ngjitur spitalit. *Ndërtesa jeshil spitali shtetëror, ngjitur klinika private.

Ndërkohë, edhe mungesa e medikamenteve bazike nuk mbetet pas. Denoncimi për to nuk vjen nga qytetarët e thjeshtë, por nga vetë mjekët. Përmes rrjeteve sociale ata kanë shprehur shqetësimin për mbarëvajtjen e punës me pacientët pasi, sipas tyre, në spital nuk ka as paracetamol.

“Mëngjes. E diel. Mora rojën! Kush më gjen dopaminë, lenitral, adrenalinë, lanatosid C, diazepam, manitol,calci gluconat, natri bicarbonat, prednisolon, voltaren, adalat, atenolol, paracetamol. Më duhen të ndihmoj njerëzit. Jo për reklamë. Se edhe sikur 48 orë pa fjetur të rri, unë ampulë nuk bëhem dot. Mos u dukni këtej sot”, denoncoi disa javë më parë mjeku me iniciale J.S.

Të tjerë kolegë ndanë të njëjtin shqetësim me mjekun J.S. duke shprehur shqetësimin e radhës së rojës. Mjeku dëshmoi përmes një fotoje një grumbull ilaçesh që, sipas tij, i kishte blerë privatisht në farmaci.

Foto e marrë nga “Facebook”-u i mjekut të Fierit që ka bërë denoncimin për mungesën e ilaçeve

Lidhur me mungesën e medikamenteve, nëndrejtori teknik Andrea Dollaku u shpreh se kjo situatë nuk është periodike. Sipas tij, mungesat ndodhin në kohën kur nënshkruhen kontratat.

“Fundviti për spitalet është muaji mars-prill, sepse atëherë tenderohet. Është fundi i marsit apo fillimi  i prillit që vijnë medikamentet. Në atë kohë kur pati shumë ankesa për mungesa në medikamente, nuk po liroheshin paratë, buxheti. E kishim dërguar shkresën, por nuk po na vinte shkresa që Fierit i lirohen paratë. Ditën që u liruan paratë, erdhën medikamentet. Ishte një situatë që zgjati 5 ditë apo një javë, dhe medikamentet u blenë. Medikamentet bazike i kemi, nuk na mungojnë”, thotë Dollaku.

Nga ana tjetër, dokumentet zyrtare tregojnë se për këtë spital nuk ka pasur as rritje në buxhet dhe as në investime. Nëndrejtori teknik Andrea Dollaku e artikulon këtë problem kur thotë: “A e dini se ku qëndron defekti i Fierit? Sepse ne mbulojmë  Ballshin, Patosin, Roskovecin, Cakrajn, Levanin, Libofshën etj. Zona është shumë e madhe. Në Fier bëjmë lloj-lloj operacionesh që janë në koston tonë. Pacientët vijnë nga Përmeti, nga Gjirokastra, nga Tepelena. Ne jemi detyruar t’i presim”.

Sipas dokumenteve zyrtare të vëna në dispozicion nga Ministria e Shëndetësisë rezulton se në 2015-n spitali i Fierit ka kërkuar investimin prej 65,412,000 lekësh, ndërkohë që i është dhënë vetëm 40% e shumës së kërkuar. Ndërkohë që për vitin 2016, sipas Ministrisë, pavarësisht se Fieri e ka ulur kërkesën duke i kërkuar ministrisë vetëm shumën e akorduar në vitin 2015, shuma e dhënë për investim është 0.

Të dhëna të siguruara nga Ministria e Shëndetësisë për investimet në spitalet rajonale

Nga ana tjetër, edhe të dhënat për buxhetin tregojnë se buxheti i akorduar ka qenë gjithmonë më i ulët se ai i kërkuar. Kështu për vitin 2015 për zërin 602 (ku përfshihen edhe materialet mjekësore, si dhe ilaçet), spitali i Fierit ka kërkuar shumën prej 328,000,000 lekësh, nga e cila i është dhënë vetëm 56% e shumës. Ndërsa për vitin 2016, Fieri, ashtu si dhe për investimet, ka bërë të njëjtën kërkesë që i kanë dhënë një vit më parë. Megjithatë, edhe pse shumë herë më pak, buxheti i akorduar është ulur sërish.

Të dhëna të siguruara nga Spitali Rajonal i Fierit për kërkesat dhe buxhetin e akorduar

Vetë drejtuesit e këtij institucioni e pranojnë shqetësimin e numrit të lartë të pacientëve që duhet të presin, si dhe mungesat në buxhet.

“Spitali i Fierit ka nevojë për shumë para. Ne bëjmë planifikim, nuk na vijnë të gjitha ato që kërkojmë. Për ato që nuk na siguron Ministria, mundohemi t’i marrim me të ardhura dytësore. Por dhe të ardhurat dytësore kanë rënë. Se ato arnonin shumë gjëra. Paguhen fatura shumë të vogla. Spitali ka nevojë  për shumë…”, shprehet nëndrejtori Dollaku.

Ulen investimet dhe buxheti, ulet numri i pacientëve

Ndërkohë, këto mungesa duket se kanë ndikuar edhe në numrin e pacientëve që marrin shërbimin në spitalin e Fierit. Pavarësisht mbulimit dhe të qenit spital rajonal, numri i pacientëve në spitalin e Fierit nuk ka shënuar rritje. Përkundrazi! Në të dhënat e siguruara nga vetë ky spital rezulton se viti 2013 dhe 2014 kanë të njëjtin numër pacientësh, ndërkohë që viti 2015 ka pasur rënie në pacientë krahasuar me vitin e mëparshëm, ndërsa viti 2016 gjithashtu ka edhe një numër më të ulët me jo pak, por 15%.

Nëndrejtori teknik i spitalit thotë se shpesh pacientët zgjedhin t’i drejtohen Tiranës për të marrë shërbimin spitalor.

Klinikat dhe farmacitë private lulëzojnë në oborrin e spitalit

Mungesat dëshmohen edhe nga pamja rrotull spitalit të Fierit. Dhjetëra farmaci dhe klinika private mbajnë frymën gjallë ngjitur me njëra-tjetrën. Shqetësues është fakti se këto biznese vazhdojnë të mbijetojnë në një kohë që nga ana e drejtorisë zyrtarisht nuk pranohen problemet!!!

Ndërkohë, vetë pacientët nën zë pranojnë se duhet t’u drejtohen farmacive private shpesh të orientuar edhe nga vetë mjekët se cilën duhet të zgjedhin. Ndërsa mjekët janë mësuar me këtë situatë teksa thonë: “Ilaçet po i blejnë për veten e tyre. Për jetën e tyre”.

Mjekët nuk lejohet të flasin

Ndërsa iu kërkohet të prononcohen për mediat, mjekët e spitalit e kundërshtojnë kategorikisht. Sipas tyre, e kanë të shkruar në kontratë që nuk mund të flasin për spitalin.

Ne e kemi të shkruar në kontratë dhe, nëse flas, bëj shkelje. Megjithatë mungesa ka. Shumë shpesh gjendemi ngushtë për ilaçe, edhe për lasix. Është turp të ngelesh për lasix!” pohon pa dashur të identifikohet njëri prej tyre.

Farmacitë dhe klinikat që rrethojnë spitalin e Fierit

Pritet spitali i ri? Po mjekët?

Ndërkohë, pavarësisht godinave të shumta që rrinë e gjallojnë me gjithë problemet e tyre, mjekët thonë se investimet e ministrisë për këtë spital do të përqendrohen në ndërtimin e një spitali të ri që me shumë mundësi do të jepet me koncension. Nga ana tjetër, vetë nëndrejtori teknik pranon se mjekët e rinj më mirë paguajnë gjobën sesa të punojnë në Fier. “Shërbimi i pediatrisë është problem madhor që nuk kemi specialistë”, thotë ai. “As pediatër nuk kemi, as kirurg pediatër. Nuk kemi lënë gur pa lëvizur për të marrë pediatër, por nuk vijnë”. Sipas nëndrejtorit, është edhe ligji, që specializanti pasi të mbarojë të vijë në Fier, ai e rregullon dhe nuk vjen. Paguan gjobën. “Dhe nuk vijnë mjekët e rinj. Kishim një reanimator që pagoi lekët dhe nuk erdhi. Kemi një hematolog. Fieri është zonë me hemoglobinopati. Numri i pacientëve është i lartë dhe për një hematolog, i papërballueshëm. Çdo minutë mjeku duhet të jetë në spital”, përmbyll nëndrejtori.

Megjithatë, pavarësisht këtyre problemeve, spitali i Fierit vazhdon në gjendje të njëjtë me shpresën se ndoshta godina e re e spitalit të ri do të sjellë ndonjë ndryshim./ Shendeti.com.al/

LËR NJË MESAZH

Please enter your comment!
Please enter your name here