Elena Beta, Shëndet+
Të kërcejmë së bashku për t’i thënë jo gjuhës së urrejtjes” ishte motoja që mblodhi bashkë të rinjtë e gjimnazeve, të rinjtë e Qendrës Rinore si dhe kalimtarë të rastit në qytetin e Fierit. Ky aktivitet i organizuar nga Qendra Rinore “Epoka e Re”, u mbështet edhe nga grupi i kërcimit “Lulekuqet e dancit” të cilët i’u bashkuan koreografisë për disa çaste duke dhuruar një atmosferë të ngrohtë festive.
Ajo që u vu re ishte vëmendja që tërhoqi ky kërcim mbresëlënës, i cili për disa minuta mblodhi shumë njerëz, të rinj e të rritur për të kërcyer së bashku nën një mesazh sensibilizues.
Brisilda Hasaj, përfaqësuese e Qendrës Rinore Fier tha për “Shëndet +” se ky ishte një nga aktivitetet më të bukura të organizuara, kjo për vetë faktin se për një kohë të shkurtër mblodhi bashkë shumë njerëz të panjohur të cilët u argëtuan nën ritmet e ëmbla të muzikës.
“Të rinjtë e gjimnazeve na mbështesin gjithmonë në aktivitetet që organizojmë, ata janë të përkushtuar dhe impenjohen shumë për të realizuar gjëra të bukura e frytëdhënëse. Përsa i përket këtij Flash mobi mund të them se përfshirja ishte maksimale si nga ana e gjimnazistëve dhe nga ana e qytetarëve të cilët u bashkuan që në minuatat e para duke dhënë një mesazh të qartë “ Le të kërcejmë kundër gjuhës së urrejtjes”, vijoi Hasaj.
Ky aktivitet vijoi me zbukurimin e pemës së Vitit të Ri me simbolet e “No Hate Speech”. Disa nga të rinjtë prezent në shesh u morrën me zbukurimin e pemës duke krijuar kështu një pemë të veçantë pasi përveç dritave e zbukurimeve të ndryshme kjo pemë mban një mesazh të rëndësishëm “Jo urrejtje, vetëm dashuri”




