Të dobësohesh shëndetshëm? Ja rregullat bazë

Bisedoi: Arlinda Gjypi

Rënia nga pesha është një ndërmarrje shumë e vështirë për shumicën e njerëzve, të cilët jo rrallë i drejtohen dietave drastike që promovojnë rënien e menjëhershme nga pesha. Por ka edhe mënyra të tjera, më të shëndetshme për të realizuar një mision të tillë.

Frenkli Myftari

Trajneri Frenkli Myftari

“Për të rënë nga pesha duhet stërvitje, gjumë i mirë, kujdes me ushqimin dhe vullnet. Sidomos vullnet”. Kështu shprehet Frenkli Myftari, trajner në resortin “Te Stela“, i cili është marrë rregullisht me personat që ndjekin programin “Të dobësohesh shëndetshëm” për një dobësim të shëndetshëm.

“Stërvitja është e nevojshme që dhjami i vënë të kthehet në muskul, ndërkohë duhet, sidomos në fillim, të kihet kujdes me ushqimin, në kuptimin që të mos ekzagjerohet. Një gjumë i mjaftueshëm është tepër thelbësor. Trupi duhet të pushojë tetë orë, ose të paktën duhet të flihet aq sa trupi të qetësohet tërësisht. Dhe sigurisht, më e rëndësishme nga gjithçka, është të kihet vullnet, dëshirë për ta realizuar qëllimin që i keni vënë vetes”, thotë Myftari.

Duke folur për Xhoian, Marselindën dhe Mirelën, pjesë e programit “Të dobësohesh shëndetshëm”, të cilat e përfituan falas në sajë të aplikimit në gazetën “Shëndet+”, ai shprehet se ato patën sukses gjatë programit.

Xhoia ishte e rregullt. Nuk kishte shumë vullnet, ndoshta edhe për shkak të moshës, dhe në fillim shtoi në peshë për shkak edhe të kthimit të dhjamit në muskul. Pastaj filloi të binte nga pesha shumë mirë.

“Ndërkohë, Marselinda fillimisht ishte më e çrregullt. Mungonte hera-herës, gjithsesi ajo ra në peshë. Tani, megjithëse programi falas ka mbaruar, ka vazhduar ta ndjekë trajnimin dhe mund të themi që po ecën shumë mirë, duke pasur rezultate të kënaqshme.

trupiMirela ishte më e rregullta ndër të gjitha dhe pati rënie të madhe përgjatë gjithë programit”.

I pyetur se si është hartuar programi i trajnimit për pjesëmarrësit në këtë program, Myftari thotë se është një program i hartuar në bashkëpunim me trajnerë në Greqi, si dhe me mjekun Lluka Heqimi në Shqipëri.

“Trajnimi kryhet tre herë në javë. Dita e parë është punë me muskujt e sipërm, ditën e dytë punohet me muskujt e poshtëm, ndërsa dita e tretë përfshin ushtrime kardio, si: vrap, step, biçikletë dhe në të gjitha ditët bëhen ushtrime për barkun”.

Ndërkohë, lidhur me ushqimin, të gjithë pjesëmarrësve u rekomandohet një dietë ushqimore e përgatitur nga mjeku Lluka Heqimi në bashkëpunim me kuzhinierin e “Te Stela Resort”.

Lidhur me rënien në peshë, trajneri Myftari thotë se shumë persona tentojnë të bien në peshë dhe nuk janë të pakta rastet e tyre që mund të kenë rënë edhe 8 kg brenda muajit. “Por kur bie në peshë vetëm me dietë, s’është e rrallë që pasi të lësh dietën të marrësh jo 8, por 10 kg. E kemi folur edhe me mjekët. Rënia më e shëndetshme është ajo kur bie natyralisht 3-4 kg në muaj, çka do të thotë rënie me stërvitje dhe me ushqim të mjaftueshëm. Personat që janë pjesë e programit tonë, kanë një rënie vërtet të mirë, duke realizuar siç duhet dëshirat e tyre. Madje, ne thjesht u kemi sugjeruar se çfarë të hanë, pa i kontrolluar në shtëpi, dhe me stërvitjen që realizojnë tek ne, kanë rënie të konsiderueshme nga pesha”.

“Të dobësohesh shëndetshëm” është një program i krijuar nga “Te Stela Resort” me qëllim rënien nga pesha të personave mbipeshë, por në mënyrë të shëndetshme, pa krijuar probleme tek individët, duke synuar ndryshimin jo vetëm të peshës, por edhe të stilit të tyre të jetesës. Një gjë e tillë ka bërë që personat e përfshirë në program të kenë një peshë të mirë jo thjesht gjatë programit, por edhe më tej.

Postime të ngjashme

Rimbursimi në mars, sëmundjet kardiovaskulare dhe diabeti përhapje në masë
Helmohen 56 studentëve të Akademisë së Sigurisë, reagon AKU
Alarm në Zvicër dhe Francë, identifikohen rastet e para me Hantavirus
Alarm në det: Shpërthen hantavirusi në anije turistike, 3 të vdekur
Shqipëria, drejt “superplakjes” raporti: Nevoja për shërbime të kujdesit afatgjatë në rritje
Dërgonin pacientët e Onkologjikut në klinika private, Prokuroria mbyll hetimet dhe dërgon për gjykim zyrtarë dhe mjekë të QSUT (EMRAT)
Pse luleshtrydhet myken kaq shpejt? Gabimi që bëjmë të gjithë
Shifra shqetësuese: Vdekjet nga kanceri i rektumit po trefishohen te të rinjtë