Kryefaqja Aktualitet “Të Rihapet Kabineti i Sëmundjeve Profesionale!” Domosdoshmëria që vjen nga profesionet e...

“Të Rihapet Kabineti i Sëmundjeve Profesionale!” Domosdoshmëria që vjen nga profesionet e rrezikshme për shëndetin

0
Shpërndaje

Ilma Lamçe, Denisa Canameti

Punëmarrësit nuk e njohin mjekun e ndërmarrjes, raportet mjekësore të sajuara

A ka një mjek pune në kompanitë call center dhe a bëhen rregullisht vizitat mjekësore?

K.L. Nuk e di nëse ka ose jo mjek pune. Personalisht, kur duhet të kryej vizita shkoj dhe i bëj privatisht. Ose marr leje për atë ditë dhe ndjek sistemin e referimit, nëse më japin lejen, nëse nuk me japin siç ka ndodhur, paguaj dhe e bëj vizitën në privat pas pune.

E.B. Në kompaninë tonë mjeku ekziston, dmth e dimë që ka zyrën e tij dhe na është komunikuar se në rast problemi shëndetësor mund të shkojmë te zyra e tij, por në të vërtetë sa herë kemi patur nevojë ai asnjëherë nuk ka qenë aty. Mjeku jonë punon në të njëjtën kohë në shtet dhe në privat dhe është e pamundur të jetë me kohë të plotë në kompaninë tonë. Është shumë e nevojshme prania e një mjeku sidomos në muajt e verës kur rastet janë më të shpeshta. Çdo vit në muajt qershor-gusht kondicionerët kanë probleme dhe nuk funksionojnë mirë, aspirimi është i dobët dhe bëhemi një numër i madh personash në sallë. Kjo bën që të krijohen situata të ndryshme, ku më e zakonshmja është gjendja e të fiktit.

Sipas studimit të realizuar nga Shoqata Together for life në sektorin call center, publikuar në 2018-s,  ka rezultuar se problemet më të mëdha shëndetësore të punonjësve lidhen me sytë, veshët, shtyllën kurrizore dhe stresin. Në kushtet e mungesës së një kabineti të sëmundjeve profesionale, është e vështirë të flitet për shifra të sakta. Por përveç mungesës së këtij kabineti, ka edhe një mungesë të theksuar kontrolli nga ana e punëdhënësve.

Gjithashtu, sa i takon njohjes së punonjësve mbi ekzistencën e mjekut, të paguar nga punëdhënësi, e që kryen vizita mjekësore falas për punëtorët, nga studimi ka rezultuar se:

  • Punëmarrësit nuk kanë dijeni për mjekun e ndërmarrjes dhe detyrimisht për rëndësinë e tij, duke ngatërruar dhe funksionin e tij thjesht me përdorimin e ndihmës së shpejtë, si në Shkodër e Vlorë,
  • Punëmarrësit e kanë prezent dhe dinë deri diku mbi funksionin e mjekut në kompaninë e tyre, si në Durrës,
  • Funksionimi fiktiv i këtij shërbimi thjesht me praninë e një zyre mjeku (në Durrës).
  • Në Tiranë, ku evidentohen të dy fenomenet, edhe njohja e funksionit të mjekut, por edhe mos njohja e tij (në Call Center të ndryshëm).

Punonjësit duhet të kryejnë kontrolle periodike të syve dhe veshëve, kontrolle të cilat nuk kryhen nga ana e punëdhënësve dhe as nuk kërkohen. Sipas rrëfimeve të punonjësve të call centerit, raporti mjekësor kërkohet vetëm në fillim, jo periodikisht.

Raportet mjekësore, mund të sigurohen fiktivisht nga kompanitë

Punonjësit e kompanive call center kanë treguar se në jo pak raste, vetë komanitë u kanë ofruar mundësinë për ta siguruar raportin mjekësor, kundrejt një vlere prej 500 lekësh të reja. Ky raport, dëshmon për një gjendje shumë të mirë shëndetësore te të interesuarit, duke përshkruar të dhëna sigurisht, fictive.

“Pas mbaron trajnimin dhe konfirmohet se je pranuar në punë, kërkohen një numër i caktuar dokumentash, një prej tyre, i detyrueshëm është raporti mjekësor. Ky raport duhet të jetë bërë 6 mujorin e fundit. Ndodh, që personat që jetojnë në rrethe (përshembull studentët) e kanë të vështirë të sigurojnë raportin mjekësor, atëherë kjo ofrohet nga punëdhënësi kundrejt pagesës. Ky raport vendoset në dosje. Nuk na kërkohet më asnjë kontroll më vonë, rrëfen I.L”.

Edhe pse call centeri nuk bën pjesë në profesionet që kanë rrezik për jetën, puna në to shfaq problemet e veta shëndetësore pas një periudhe të caktuar kohore.

Çfarë ndodh në rast se një punonjës sëmuret në ambientet e kompanisë?

Pasi pyetëm disa nga punonjësit e kompanive të ndryshme, përgjigjia ishte “ngritja e supeve” për të treguar se mjeku i punës nuk ekziston.

B.S. Mjekun e punës nuk e kam parë asnjëherë dhe në të vërtetë nuk e di as rolin që ai duhet të ketë në një kompani. Ka patur raste që punonjës të ndryshëm janë sëmurur dhe I kemi çuar në spital me mjetet tona.

Mjeku përmendet nga ana e punëdhënësit vetëm në rastet kur punonjësit çojnë raportet për ditët që mungojnë. Nëse punëdhënësi nuk është i sigurt për mungesën e punonjësit, ai ka të drejtë të dërgojë mjekun për ta verifikuar raportin. Vetëm në këto raste përmendet dhe del në skenë mjeku i punës. Kompanitë e mëdhaja call center në Shqipëri kanë një numër të konsideruëshëm punonjësish, mbi 1000 apo 1500 persona. Një numër I tillë do të thotë se mjeku I punës jo vetëm që duhet të ekzistojë por në kompani të tilla ai duhet të jetë me kohë të plotë.  Prezenca e një mjeku në një punë është e rëndësishme, po ashtu edhe në sektorin call center. Punonjësit për shkak të orëve të zgjatura përpara kompjuterit, për shkak të ambienteve që shpesh nuk kanë aspirimin e duhur shfaqin probleme të ndryshme shëndetësore. Më të zakonshme janë marrje mendsh, gjendje të fikti dhe punonjësit e tjerë detyrohen të bëjnë punën e mjekut të ndërrmarjes duke dhënë ndihmën e parë. Por jo gjithmonë ndihma është ajo e duhura sepse punonjësit nuk kanë trajnimin e duhur.

Të pyetur se si reagojnë në raste të tilla, disa nga punonjësit janë shprehur se ndihen me fat që në kompanitë e tyre ka edhe persona të cilët kanë përfunduar studimet e larta infermieri apo mjekësi, pasi ata mund të japin ndihmën e parë.

Mjeku i punës, dr. Gerald Kola: Analizat që duhet të kryejnë punonjësit e call center

Nëse një kompani ka mbi 1500 punonjës, mjeku i punës duhet të jetë i punësuar me kohë të plotë. Mjeku duhet të ketë një kontratë pune dhe jo një kontratë shërbimi me punëdhënësin siç mund të ndodhë në subjektet e tjera. Analizat që duhet të kryejë secili punëmarrës nxirren nga raporti i vlerësimit të riskut që duhet ta ketë çdo subjekt. Punonjësit e kompanive call center duhet të kryejnë këto analiza: gjak komplet, vizitë okulisti, audiogramë dhe ro-grafi e kollonës.

Kodi i punës: Mbi 1500 punonjës, mjeku duhet të jetë me kohë të plotë

Sipas Kodit të Punës, punëdhënësi e ka detyrim që përveç kushteve të tjera që duhet të plotësojë për punonjësin duhet të sigurojë dhe shëndetin në punë si dhe mjekun e punës. Qëndresa e mjekut të punës në një kompani varet nga faktorë të ndryshëm siç është numri I punonjësve. Ligji parashikon se mbi 1500 punonjës mjeku duhet të jetë me kohë të plotë, ndërsa në rastet kur numri është më I vogël mjeku qëndron me kohë të pjesshme.

Ligji nr. 10 237, datë 18.2.2010, “Për sigurinë dhe shëndetin në punë”, i ndryshuar

Neni 23

Shërbimi mjekësor i punës

“1. Çdo punëdhënës i një subjekti publik apo privat, vendas apo i huaj, është i detyruar të mbulojë me shërbim mjekësor, nëpërmjet mjekut të punës, të përshtatshëm për rreziqet që paraqet vendi i punës.

  1. Kontrolli i shëndetit, në varësi të numrit të punëmarrësve dhe të natyrës së punës, është i organizuar në:
  2. a) shërbim mjekësor në punë, i vlefshëm për degët/filialet në varësi;
  3. b) shërbim mjekësor në punë, ndërsubjektor.
  4. Mënyra e funksionimit të shërbimit mjekësor në punë, përfshirë normat, rregullat dhe procedurat për të siguruar kontrollin mjekësor të pranimit në punë dhe ato periodike për punëmarrësin, përcaktohen nga Këshilli i Ministrave.”

Intervistë me ish- punonjësen e Kabinetit të Sëmundjeve Profesionale në QSUT

Në qershorin e 2018-s është diskutuar në Komisionin për Punën, Çështjet Sociale dhe Shëndetësinë një seancë dëgjimore për zbatimin e ligjit “Për sigurinë dhe shëndetin në punë”.

Gjatë kësaj seance është folur lidhur me thelbin e mjekësisë së punës, si dhe midis të tjerash është konsideruar  i padrejtë vendimi për mbylljen e Kabinetit të Sëmundjeve Profesionale. “Në lidhje me organizimin dhe funksionimin e mirë të mjekësisë së punës, kemi qenë pjesë e saj që në vitin kur ka ekzistuar Kabineti i Sëmundjeve Profesionale me të gjithë shërbimin, me shtretër të sëmundjeve profesionale, i cili në vitin 2005 mbeti vetëm si kabinet, për arsye të rikonstruktimit ose të rikompozimit të QSUT-së, kur u mbyll shërbimi me shtretër. Koha tregoi se ky nuk ishte një vendim i drejtë, por tani, përveç Kabinetit të Sëmundjeve Profesionale, që është i vendosur në ambientet e QSUT-së, në Repartin e Sëmundjeve Interne ka edhe një seksion të caktuar për shtrimin e të sëmurëve me sëmundje profesionale”, është shprehur zv. Ministrja e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale, Mira Rakacolli.

Dikur është quajtur “mjekësi profesionale”, dikur “mjekësi e punës”, dikur janë futur nën ombrellën e madhe të higjienës së punës, që i kishte të gjitha degët brenda. Por, në fund të tij, elementi thelbësor ka qenë: ndjekja e vazhdueshme për t’u dalë përpara rreziqeve të mëdha që vijnë nga puna, duke filluar nga risqet kancerogjene deri te risqet e invaliditetit të lartë, ndërsa te gratë shkojnë deri tek infertiliteti. Këto janë shkaku i sëmundjeve kronike të mëdha, qoftë të grupit të madh të sëmundjeve të zemrës, që janë edhe shkaku themelor i vdekshmërisë, por edhe i sëmundjeve pulmonare. Pikërisht, kapja në kohë, madje në momente të caktuara largimi fare nga puna, në rast se është pothuajse e papajtueshme me atë ambient pune, janë mënyrat me të cilat veprohet sot në botë.

Në një intervistë për Shëndet Plus, Violeta Shehu, ish punonjëse e Kabinetit të Sëmundjeve Profesionale, flet lidhur me rëndësinë e këtij kabineti, vitet e punës aty, si ka funksionuar etj.

Sa vite keni punuar në kabinetin e sëmundjeve profesionale dhe cili është formimi juaj?

Kam filluar punë në Laboratorin e Toksikologjisë të Klinikës së Sëmundjeve Profesionale dhe Ambientale nga viti 1995. Formimi im është Kimi e Përgjithshme dhe jam kimistja e tretë që nga krijimi i kësaj Klinike dhe deri në shuarjen e saj. Edhe pararendëset e mia kanë patur formimin universitar Kimi e Përgjithshme. Pozicioni i Kimistit ishte “përgjegjës i Laboratorit të Toksikologjisë së sëmundjeve profesionale” si njësi që punonte përjashtimisht vetëm për Klinikën e Sëmundjeve Profesionale dhe të gjitha rasteve qe suspektoheshin (dyshoheshin) nga mjekët specialist të sëmundjeve profesionale në kabinetet e sëmundjeve profesionale në rrethe.

Kur filloi të funksionojë ky kabinet dhe sa ishte numri i personelit që vepronte aty?

Klinika e Sëmundjeve Profesionale është krijuar rreth viteve 1970 me 2 mjekë, personel infermieror që të mbulonte shërbimin me 3 turne dhe Laboratori i Toksikologjisë së sëmundjeve profesionale me 1 kimist, 4 laborante dhe 1 sanitare; fillimisht u hap me rreth 5 shtretër dhe pas pak vitesh numri i shtretërve u rrit në 10 dhe pas vitit 1980 shkoi deri në 20 shtretër; ndërkohë edhe numri i mjekëve u rrit në 4 mjekë specialist të sëmundjeve profesionale.

Si ka funksionuar kabineti i sëmundjeve profesionale?

Klinika e Sëmundjeve profesionale, krahas punës me të sëmurët profesionalë ishte edhe pjesë e Fakultetit të Mjekësisë në përgatitjen e studentëve në fushën e sëmundjeve profesionale, po ashtu edhe në përgatitjen e specialistëve të sëmundjeve profesionale si formim pasuniversitar; po të njëjtën veprimtari realizonte edhe Laboratori i Toksikologjisë në formimin e studentëve të mjekësisë, specialistëve pasuniversitar të formimit “mjek të sëmundjeve profesionale”. Në atë kohë përgatitja e studentëve dhe e specializantëve ishte detyrë e kësaj Klinike, që ishte funksion i Fakultetit të Mjekësisë dhe Qendrës Spitalore Universitare.

Klinika dhe Laboratori i Sëmundjeve Profesionale kishte edhe varësi nga Ministria e Shëndetësisë, në përgatitjen e mjekëve të ndërmarrjeve, të cilët punonin përgjithësisht pranë ndërmarrjeve të mëdha në të gjithë vendin.

Pothuajse në të gjithë vendin ishin formuar rreth 15 specialistë të Sëmundjeve Profesionale, kryesisht në Kabinete të Sëmundjeve Profesionale pranë shërbimit ambulator nëpër poliklinika, ku në Tiranë ishin 3 Mjekë të sëmundjeve profesionale. Në kuptim të këtij organizimi lidhja mjek ndërmarrje-kabinet i sëmundjeve profesionale – Klinikë e Sëmundjeve Profesionale ishte funksionale nga suspektimi i rastit me sëmundje profesionale, diagnostikimi i tij, shtrimi në Klinikë dhe trajtimi i mëvonshëm sipas gjendjes dhe rëndesës së sëmundjes. Kuptohet që për kohën që përmendim (para viteve 90) kishte raste me intoksikacione profesionale akute, por ndiqeshin me prioritet sipas riskut rastet e sëmundjeve profesionale kronike nga të gjitha degët e industrisë si ajo minerare, të metaleve të ndryshme dhe dhënia e mendimit për provedimente të gradës së invaliditetit të tyre.

A është prodhuar ndonjë dokument/raport gjatë kësaj kohe lidhur me dëmet e ardhura nga sëmundjet profesionale?

Klinika,nën drejtimin e Ministrisë së Shëndetësisë dhe Institucioneve të saj varëse si Instituti i Higjienës dhe Epidemiologjisë(sot ISHP),  në bashkëpunim edhe me sektorë të tjerë ka realizuar një sërë studimesh në fushën e dëmtimeve të sëmundjeve profesionale në nivel vendi, si atë të pneumokoniozave(te punëtorët e minierave të ndryshme të bakrit, kromit, qymyrëve,etj,) në industrinë e baterive intoksikimet akute e kronike nga plumbi,etj.

Cila është rëndësia e një kabineti të sëmundjeve profesionale?

Klinika e Sëmundjeve Profesionale  ka qenë mbështetje e vlerësimit të gjendjes shëndetësore të punëtorëve(sot punëmarrësve) dhe sidomos në vendosjen e diagnozës së sëmundjes me origjinë profesionale.

Aktualisht vendi ynë trashëgon nga e kaluara një industri si ajo minerare e kromit që është në funksion, industrinë e shkrirjes dhe përpunimit të hekurit dhe shumë degë të tjera si ato të përpunimit të plastikës, përpunim plumbi e metalesh të tjera, që gjithsesi mund të jenë të shpërndara apo edhe me një numër më të reduktuar punëmarrësish, por që risku për shëndetin  është prezent. Duhet të përmend këtu se janë shfaqur një sërë aktivitetesh të reja dhe që kanë marrë zhvillim të madh edhe në numër punëmarrësish si ato të ekspozimit ndaj valëve elektromagnetike (ekspozim në ekran kompjuteri mbi 4 orë), call center që ekspozojnë në zhurma punëmarrës edhe në moshë të re,etj. Industria e çimentos ka një zhvillim të madh, fasoneritë e ndryshme ekspozojnë në rreziqe të shumta profesionale, etj. Këto argumente mendoj se e bëjnë të nevojshme edhe të domosdoshme rilindjen e Klinikës së Sëmundjeve Profesionale, e cila do të duhet të drejtohet nga specialistë të mirëfilltë dhe në funksion edhe një Laborator toksikologjik. Bashkësia e shërbimit shëndetësor duke filluar nga mjeku i shëndetit në punë, mjeku i familjes, mjekët e spitaleve të specialiteteve të ndryshme nuk e zëvendësojnë asnjëherë Mjekun e Sëmundjeve Profesionale; është ai që do të duhet të vendosë nëpërmjet vlerësimit dhe ekspertizës në se rasti i përket sëmundjes profesionale apo jo.

Pse është e rëndësishme që rreziqet që vijnë nga profesioni të vlerësohen nga mjeku specialist i sëmundjeve profesionale?

Në rastet e kronicizimit të sëmundjes, rastet sipas përkatësisë mund dhe duhet të trajtohen nga mjekë apo klinika të specializuara, si përshembull kur nga plumbi ka dëmtime nervore apo hematologjike, por këtë duhet ta thotë mjeku i sëmundjeve profesionale, dhe punëmarrësi mbase duhet të largohet nga risku dhe të kurohet në fazën akute nga mjeku i sëmundjeve profesionale dhe për tu rehabilituar nga specialistë të tjerë; apo edhe në rast të dëmtimeve nga zhurmat, diagnoza duhet domosdoshmërish të konfirmohet nga sëmundjet profesionale që punëmarrësi është dëmtuar në punë dhe mandej të vazhdojë të jetë nën kujdesin e mjekut specialist ORL apo edhe nga mjeku i tij  familjes. Pa dashur të zgjatem në këtë çështje, mendoj se çfarë vjen nga risku i profesionit duhet të vlerësohet nga mjeku specialist i sëmundjeve profesionale, ndryshe do bëjnë gabime të mëdha në këtë përcaktim.

Sot ka një sistem mjekësh të shëndetit në punë, që mendoj se nuk janë të specializuar, por që zbatojnë një ligjshmëri pothuajse të saktë, por ata mbeten në vlerësimin dhe suspektimin e rastit me diagnozën profesionale, dhe do të duhet një specialist i fushës që të vendosë e trajtojë të sëmurin me sëmundje profesionale dhe të propozojë e vendosë për provedimentet që i takojnë këtij të sëmuri.

Cili specialitet tjetër mund të vlerësojë sëmundjet që vijnë prej profesionit?

Edhe një herë përmend se të sëmuret me sëmundje profesionale nuk mund të vlerësohen nga specialitetet e ngushta në shëndetësi si kardiolog, kardiokirurg, nefrolog,internist etj, ata kërkojnë vlerësimin primar nga specialisti i sëmundjeve profesionale dhe mandej në rastet më të avancuara nga specialistët përkatës. Edhe mjeku i familjes, që është një gur themeli i shëndetësisë nuk mund të arrijë të vlerësojë ndikimin e rreziqeve profesionale në shëndetin e personave që ka në patronazh; do të duhet shumë punë që këta mjekë të kenë edhe njohuri të shumta për vlerësim risku profesional e specifik dhe ndikimin në shëndet.

A duhet të ketë një klinikë të sëmundjeve profesionale?

Pyetjes tuaj që a duhet të ketë një Klinikë të Sëmundjeve Profesionale,  përgjigjem me një PO, por që duhet të ketë personel të specializuar. Tashmë mundësia për ti specializuar jashtë është, dhe mjekë të rinj e devotshëm ka, të cilët mund të krijojnë edhe një herë atë që u krijua në vitet 70 dhe që tashmë nuk ekziston. Kështu dora-dorës edhe përgatiten mjekë të tjerë të rinj në këtë fushë, po edhe në disa qarqe mund të ketë nevojë për rihapjen e kabineteve të sëmundjeve profesionale, si përshembull në zonën e naftë nxjerrjes, nxjerrjes së kromit, metalurgjisë së çelikut dhe kështu krijojmë një rrjet të specializuar në fushën e vlerësimit të riskut profesional dhe marrjen e masave komplekse për parandalimin e dëmtimeve profesionale.

U shpreha shkurtimisht, pasi mendoj se kjo është një fushë e gjerë që mbase kërkon edhe një vlerësim më specifik nga politikbërja e shëndetësisë dhe gjetjen e kosto efektivitetit të kësaj fushe, aktualisht punëmarrësit sorollaten deri sa ato të gjejnë shkakun e sëmundjes së tyre dhe mënyrën e trajtimit specifik.

*Ky artikull botohet në kuadër të projektit “Fuqizimi i lëvizjes sociale për të drejtat në punë” i mbështetur nga Olof Palme Center, me fonde të qeverisë suedeze.

Opinionet, gjetjet, konkluzionet janë të autor-it/ve dhe nuk përfaqësojnë domosdoshmërisht pikëpamjet e Qeverisë Suedeze.

 

LËR NJË MESAZH

Please enter your comment!
Please enter your name here