Programi i telemjekësisë në Shqipëri po tenton shtrirje të madhe duke ofruar ndihmën e tij online në çdo cep të vendit
Numri i personave që vuajnë nga diabeti në vendin tonë është gjithmonë e në rritje. Sëmundja e sheqerit në gjak po përhapet me ritme të shpejta në shoqërinë shqiptare, madje së fundmi ka zbritur frikshëm edhe në moshat e vogla. Por si mund të menaxhohet ajo? Me aplikimin e programit të telediabetit nuk është më e domosdoshme që të shkosh te mjeku. Mjafton të kesh një kompjuter në shtëpi dhe gjithë konsultat mund të merren online. Një projekt i ri që ka në fokus edukimin e pacientit me diabet do të mësojë si ta kontrollojmë atë herë pas here, si të marrim medikamentet e duhura, pa pasur nevojë të shkojmë tek mjeku. Pikërisht këtë bën faqja e sapodalë në faqet online të internetit, Telediabeti. Ky program parashikon të ndihmojë pacientët e prekur nga diabeti në edukimin rreth kësaj sëmundje si dhe t’u përgjigjet të gjitha pyetjeve apo shqetësimeve që ata kanë. Ideatori i këtij programi është Benjamin Gee, i sapodiplomuar në mjekësi në “University of Massachussets”. Që prej një viti, Benjamin Gee është bërë pjesë e programit të telemjekësisë në Shqipëri.
Lidhur me Telediabetin, faqen e re të programit të Telemjekësisë, Benjamin Gee thotë se nga një mori temash dhe problematikash që ishin menduar të përzgjidheshin, ajo e Telediabetit u konkludua se ishte tematika me të cilën ia vlente të merreshin. Projekti për Telediabetin nisi rreth muajit shtator dhe vetëm para një muaji ai mori formë. Ideja e këtij programi është që të bëhet edukimi i i personave të prekur nga diabeti në kohë reale. “Kam ardhur në Shqipëri në shtator të 2012. Kam qenë gjithmonë i interesuar në menaxhimin e sëmundjeve kronike dhe mendova që kjo do të ndihmonte mjaft pacientët në Shqipëri”. Por jo çdo gjë ka shkuar aq mirë sa ç’mund të mendohet. I pyetur rreth problemeve që ai ka parë gjatë punës së tij në Shqipëri, Benjamin thotë se janë bërë shumë takime dhe intervista me pacientë për të evidentuar problemet dhe shqetësimet që ata kishin. Një prej problemeve që vura re gjatë punës sime në Shqipëri ishte moskomunikimi midis mjekëve dhe pacientëve. “Kishte një mungesë besimi midis palëve, gjë që sillte mosplotësimin e kërkesave të pacientëve. Pacientët nuk ndiqeshin”, thekson Gee. Një problem tjetër që Benjamin Gee ka hasur gjatë këtyre ditëve ka qenë ai i edukimit të pacientit, që sipas tij ishte në nivel shumë të ulët. I vetmi problem është që ky program po ushtrohet aktualisht vetëm në Tiranë, për t’u shtrirë më vonë edhe në rrethe apo komuna. “Kemi dëshirë që shpërndarja e këtij programi të jetë edhe në rrethe, atyku njerëzit kanë vërtet nevojë. Duke njohur problemet, mendova që Telediabeti do të ishte një gjë tepër e vlefshme për këta pacientë.” Ilir Alimehmeti, mjek endokrinolog, pjesë e këtij programi, sqaron më me detaje për çfarë bën fjalë ky program. Sipas tij, numri i personave të prekur nga diabeti është shumë i lartë. Sipas të dhënave zyrtare nga Instituti i Sigurimeve të Kujdesit Shëndetësor janë rreth 60 mijë persona të prekur nga diabeti që janë shumë për numrin e mjekëve endokrinologë në vendin tonë. “Problemi kryesor i pacientëve është edukimi. Shpesh ka raste të personave që kanë 10 vjet të prekur nga diabeti dhe kërkojnë ta marrin edukimin rreth sëmundjes shumë me vonesë. Por, edukimi nuk mund të bëhet në grup, pasi jo të gjithë pacientët kanë të njëjtat simptoma.
Është një edukim i individualizuar”, sqaron Alimehmeti. Programi konsiston në një edukim 2 mujor të pacientit. Në portalin e Telediabetit pacientët mund të gjejnë përgjigjen e çdo pyetje që ata kanë. “Në çdo moment të ditës ka mjekë që u kthejnë atyre përgjigje. Përzgjedhja e pacientëve nuk ka dallim moshe dhe duhet theksuar që ka ruajtje 100 për qind të privatësisë. Pra çdo person që bëhet pjesë e këtij programi dhe komunikon me ne me anë të portalit, i ruhen të dhënat dhe nuk ka mundësi ‘hackerimi’”, thekson mjeku endokrinolog Aliahmeti. Programi i Telediabetit ka ardhur si fryt i bashkëpunimit të disa mjekëve endokrinologë, Shoqatës së Diabetikëve dhe IHEV, e cila prej 4 vitesh po zbaton Telemjekësinë në Shqipëri.
Shifrat
Sipas të dhënave zyrtare janë më shumë se 60 mijë persona që vuajnë nga diabeti. Mirëpo sipas OBSH janë edhe rreth 30 mijë raste të tjera që ende nuk janë zbuluar duke e çuar numrin total të të prekurve nga diabeti në afro 100 mijë. Një shifër shumë e lartë për popullsinë e vendit tonë. Por tani, me aplikimin e telediabetit, trajtimi i sëmundjes së tyre do të dojë më pak kohë dhe rrugë. Mjafton që të kenë një kompjuter në shtëpinë e tyre dhe gjithë informacionet e nevojshme për trajtimin e sëmundjes mund t’i marrin online. Gjatë gjithë kohës një mjek është i lidhur me fqen online të telediabetit për të asistuar në çdo kohë personat që kërkojnë informacion. Gjëja më e rëndësishme lidhur me faqen është se ruhet totalisht privatësia e pacientëve dhe nuk ka mundësi hakerimi.
Telemjekësia
Programi i telemjekësisë ka nisur të aplikohet në vendin tonë prej disa vitesh. Deri tani rezultatet kanë qenë më se të kënaqshme dhe vendi ynë po shërben si një model për vendet e Afrikës Veriore. Telediabeti është risia më e fundit që ky program ka ofruar. Programi i telemjekësisë po aplikohet në sajë të bashkëpunimit të disa mjekëve endokrinologë dhe IHEV, të mjekut të njohur Rifat Latifi.
