Përshtati në shqip: Blertina Koka
Mund të mos keni dëgjuar edhe aq shumë për kaliumin, prandaj nuk arrini ta kuptoni rolin jetësor që ky mineral luan në trup. Kaliumi është i rëndësishëm për forcimin e muskujve, funksionin nervor dhe për një sistem kardiovaskular të shëndetshëm.
Për më tepër, kaliumi zvogëlon efektet negative të konsumimit të tepërt të kripës, një problem që e kanë shumë njerëz. Edhe pse mund të merrni sasinë e rekomanduar prej 4,700 mg kalium në ditë, përsëri mund të keni mungesë të tij. Pse?
Sa më shumë sodium të konsumoni, aq më shumë kalium nxjerr trupi. Nëse përjetoni simptomat e mëposhtme, duhet të konsultoheni me një mjek që t’ju sugjerojë nëse matni nivelet e kaliumit.
Ndiheni vazhdimisht të lodhur
Çdo qelizë në trup ka nevojë për sasinë e duhur të kaliumit që të funksionojë dhe mungesa e tij rezulton në lodhje. Prandaj, nëse jeni vazhdimisht të lodhur dhe kjo nuk vjen si pasojë e mungesës së gjumit, mungesa e kaliumit mund të jetë një ndër shkaktarët.
Tension të lartë të gjakut
Kaliumi ndihmon në relaksimin e enëve të gjakut. Kur nuk ka mjaftueshëm kalium, fillojnë të ngushtohen enët e gjakut dhe të rritet tensioni.
Dhimbje të muskujve
Kaliumi luan një rol të rëndësishëm në forcimin e muskujve, si të zemrës ashtu edhe të trupit. Prandaj, kur nivelet e tij janë të ulëta, përjetoni dhimbje dhe ngërçe të muskujve.
Probleme me rrahjet e zemrës
Është e frikshme kur rrahjet e zemrës fillojnë të shpeshtohen pa asnjë arsye. Ka shumë arsye përse ndodh kjo dhe një prej tyre është edhe niveli i ulët i kaliumit në trup.
Ju merren mendtë dhe ndiheni të trullosur
Rënia shumë e madhe e niveleve të kaliumit mund t’ju shkaktojë gjithashtu marrje mendsh ose trullosje.
Kapsllëk
Mund të duket e habitshme, por nivelet e ulëta të kaliumit mund të ngadalësojnë funksionet e tjera në trup, dhe këtu nuk bën përjashtim as sistemi tretës. Nga mungesa e kaliumit mund të shkaktohen edhe fryrja e barkut dhe dhimbjet në pjesën abdominale.
Mpirje
Kaliumi luan një rol të rëndësishëm në shëndetin nervor, dhe pa të, mund të përjetoni ato ndjesitë e shpimit me gjilpërë apo mpirjet e këmbëve ose duarve.
Burimi: Rodale’s Organic Life / https://shendeti.com.al/








