Dorina Reçi
Në kuadër të projektit “Lëviz për kopshtin tim”, me mbështetjen e Lëviz Albania dhe me financimin nga Agjencia Zvicerane për Zhvillim dhe Bashkëpunim SDC, Shoqata “Together for Life” po zbaton këtë projekt që ka për qëllim të kryejë një monitorim të standardeve të infrastrukturës dhe investimeve të 43 kopshteve të Tiranës për një periudhë 12 mujore.
Qëllimi i projektit është informimi i qytetarëve dhe medias për të nxitur përgjegjshmërinë dhe transparencën e pushtetit vendor për përmirësimin e cilësisë së shërbimit në kopshtet e Bashkisë Tiranë.
Shërbimi i kopshteve në Tiranë përballet me problematika të shumta, si: mbipopullimi; shpërndarja e pabarabartë, mosrespektim i standardeve të infrastrukturës fizike, të sigurisë dhe higjienës, etj.
Gjithashtu projekti do të synojë rritjen e informimit dhe përfshirjes së mediave dhe qytetarëve për të nxitur Bashkinë e Tiranës për përmirësimin ndaj shërbimeve për komunitetin.
Procesi i monitorimit do të kalojë nëpërmjet disa fazave, duke filluar me fazën e parë që përfshin;
- Monitorimin e standardeve të infrastrukturës, të sigurisë dhe higjienës në 43 kopshte.
- Monitorimin e planit të investimeve të Bashkisë në kopshte për vitin 2017.
- Nevojat e komunitetit të Tiranës për kopshte në 11 njësi administrative vendore.
Në fazën e dytë janë hartuar pyetësorë nga një grup ekspertësh të cilat kanë qëllim matjen e perceptimeve dhe qëndrimet e prindërve për kushtet e kopshteve që frekuentojnë fëmijët e tyre. Ata pyetën për kushtet higjienike, hapësirat e ambienteve, sistemin e ngrohjes gjatë ditëve të ftohta dhe sistemin e ftohjes në ditët e nxehta, kontributet nëse ata japin për kopshte e fëmijëve dhe frekuencat.
Në përfundim të procesit të monitorimit, anketimit, forumeve komunitare, investigimeve, do të hartohet një raport i gjetjeve i pasuruar me statistika. Ky raport do të analizohet nga një ekspert i fushës. Kopje elektronike të këtij raporti do t’i vihen në dispozicion Bashkisë së Tiranës, instancave të tjera institucionale përgjegjëse për shërbimin e kopshteve, palëve të interesuar, deputetëve të Tiranës, etj. Kopje elektronike e raportit të situatës do të publikohen online dhe do të promovohen në mediat online dhe rrjetet sociale.





