Përgatiti për gazetën “Shëndet+”: Eneida Mjeshtri
Shoqata Amerikane e Studimeve për Sëmundjet e Mëlçisë, “The American Association for the Study for Liver Diseases” dhe Shoqëria Amerikane e Sëmundjeve Infektive, “The Infectious Disease Society of America, (IDSA)” kanë përditësuar së fundmi, udhëzuesin e trajtimit të Hepatitit C, në mënyrë që t’u vijnë në ndihmë mjekëve dhe pacientëve të prekur, lidhur me gamën e re të trajtimeve HCV. Në udhëzues janë shtuar seksione të reja ku informacionet dhe rekomandimet përditësohen në mënyrë të vazhdueshme.
Udhëzuesi shpjegon se në Shtetet e Bashkuara janë miratuar tashmë për përdorim mjekësor agjentë të rinj farmaceutikë me veprim nga goja që mund të kurojnë infeksionin HCV.
Kur barnat e reja kundër hepatitit C u shfaqën fillimisht, mjekëve iu desh të bazoheshin krejtësisht në të dhënat nga testimet klinike. Udhëzuesi i ri tashmë reflekton edhe përvojën e mjekësisë botërore në këtë drejtim. Bazuar në testimet e kryera, përmes trajtimeve të reja shumica e të prekurve nga HVC do të përfitojnë përgjigje të qëndrueshme virologjike, që është karakteristikë e një trajtimi të suksesshëm.
IDSA vëren se ende mund të ketë probleme lidhur me koston e barnave të reja dhe disponueshmërinë rajonale të ofruesve të duhur shëndetësorë, prandaj, si fillim, mund të lindë nevoja të vendosen prioritete në dhënien e barnave pacientëve të cilëve iu nevojiten më shumë. Disa mjekë të përgjithshëm mund të ndjehen më komodë duke i trajtuar vetë pacientët e tyre HCV-pozitivë, ndërsa të tjerë mund t’i referojnë ata për trajtim tek mjeku specialist.
“Një marrëdhënie e mirë mes mjekut dhe pacientit është vendimtare për arritjen e rezultateve të mira në terapitë me veprim direkt. Mjeku duhet të bëjë një vlerësim të aftësisë së pacientit për të kuptuar qëllimet e trajtimit dhe ta edukojë atë për rëndësinë e respektimit dhe ndjekjes së terapisë”, tha Gary Davis, MD, zëdhënës për IDSA, në një njoftim për shtyp. Megjithëse, publikimi i udhëzuesve ka për qëllim çmitizimin e trajtimeve, – saktësoi në deklaratën e tij, dr. Davis, pacientët me sëmundje të rënda të mëlçisë, si ata me cirozë, psh, duhet t’i drejtohen patjetër specialistit përkatës.
Sipas www.hcv.guidelines.org përafërsisht 3 – 4 milionë individë në Shtetet e Bashkuara infektohen në mënyrë kronike nga Hepatiti C dhe vetëm gjysma e tyre janë në dijeni të kësaj.


