Tritan Kalo: Mirënjohja në gjuhën e mëmës, mikluese

Politizimi i skajshëm ka sjellë në drejtimin e shëndetësisë në mjaft raste individë që nuk kanë asgjë të përbashkët me profesionin e mjekut përveç dëshirës për t’u pasuruar sa më shpejt e me çdo çmim

Denisa Canameti

Tritan Kalo është një nga emrat më të lakuar në fushën e shëndetësisë. Një emër me një impakt të jashtëzakonshëm midis kolegëve e në popull. Njeri modest, i thjeshtë, kritik, realist, vlera që, sikurse i shpjegon edhe ai vetë në intervistën e mëposhtme, i ka marrë nga dy prindër shumë të ditur dhe unikalë në besimin ndaj vetes dhe mirëbesimin ndaj të tjerëve.

Në pak rreshta ai arrin të artikulojë në mënyrë të shkëlqyer, me fjalë shumë të zgjedhura, fakte, ngjarje, emocione, përvoja e marrëdhënie. Ai shpreh mirënjohjen e thellë për familjen të cilën e ka larg fizikisht, shpreh përuljen për profesionin dhe betimin  e Hipokratit, të cilit i referohet herë pas here, si dhe mirënjohjen më të madhe për pacientët e tij, falënderimin e të cilëve e cilëson si miklues e frymëzues.

Tritan KaloDoktor, sa e gjatë është përvoja juaj në QSUT dhe si ka qenë kjo përvojë?

Unë kam filluar punën si mjek stazhier në Spitalin Nr. 4 të Sëmundjeve Infektive në qershor 1981. Në atë kohë spitalet e ndryshme, që me fillim vitet ’90 u grupuan në strukturën e Qendrës Spitalore Universitare “Nënë Tereza”, administroheshin më vete. Ishte Spitali Qendror për Sëmundjet Infektive në rang republike ku shërbenin mjekë të nderuar të kohës, si prof. Elmas Eltari, prof. Jahja Pulo, dr. Argjiro Kërkeshi, dr. Violeta Mosko, prof. Kristo Pano, prof. Dhimitër Kraja, dr. Klement Cani, dr. Mehdi Cami, dr. Afërdita Nushi, dr. Elvira Beqo, dr. Petraq Shomo etj. Ishte një shkollë e vërtetë dhe një njësi shërbimi e Shëndetësisë Publike, mjaft e efektshme dhe e mirënjohur edhe ndërkombëtarisht.

Duhet të them se nuk ishte e lehtë të mirëpozicionohesha në gjirin e kësaj plejade mjekësh. Megjithatë dëshira dhe vullneti, përgatitja solide në Fakultetin e Mjekësisë, pasdite të tëra të shpenzuara në Bibliotekën Kombëtare, netë të kaluara në spitale dhe përpjekje të përditshme në konsolidimin e njohurive teoriko-praktike në lëmin e pafundëm të Sëmundjeve Infektive, bënë që të jem një mjek i mirëformuar dhe përditë i motivuar në shërbimin ndaj të sëmurëve të mi.

Të qenët i drejtpërdrejtë, opozitar, kritik janë gjëra që t’i mëson përvoja e gjatë në një fushë apo është çështje karakteri?

Jam “formatuar” nga dy prindër shumë të ditur dhe unikalë në besimin ndaj vetes dhe mirëbesimin ndaj të tjerëve. Ndaj si im vëlla edhe unë u rritëm me frymën e të komunikuarit të drejtpërdrejtë me këdo, të analizimit të çdo informacioni që depozitonim në kujtesën tonë, të mospajtimit me negativen në çdo formë të shfaqjes së saj dhe, mbi të gjitha, në respektimin e lirisë së të menduarit, të komunikuarit dhe të të vepruarit jo vetëm të vetvetes, por edhe të atyre që na rrethonin.

Ishin dhe mbeten këta faktorë që më kanë ofruar shpesh një përparësi në pozicionimin tim në kohën e duhur dhe në anën e duhur të evolucionit demokratizues të shoqërisë sonë. Por a është ky fakt një dhunti e karakterit tim apo e përvojës sime jetësore jo vetëm profesionale?  Do të thoja se është një simbiozë e njëkohshme e të dy elementeve të mësipërme. Unë bëj një jetë të qetë, sepse sikundër shprehet Hygo: “Njeriu me ndërgjegje të kristaltë është gjithmonë i qetë”.

Çfarë mendoni se vlerësojnë njerëzit tek ju?

Fakti i mirëbesimit në fjalën dhe në qëndrimet e përditshme të miat nga kolegët dhe masa e gjerë e popullit tonë më bën të ndihem mirë, të jem më mirëbesues në vijimin e udhës sime të jetës, por mbi të gjitha më bën të ndihem më shumë përgjegjës ndaj besimit të tyre, për të mos i zhgënjyer në asnjë çast. Mendoj se njerëzit në përgjithësi vlerësojnë te unë faktin e të qenit i vërtetë, “tritanor”, në fjalët dhe në veprimet e mia, si dhe në mirëbesimin që edhe unë kam ndaj tyre. Sepse “grushti=bashkimi” i forcave dhe energjive njerëzore ndihet shumë më mirë në ndryshimin e rrjedhave të zhvillimit socio-ekonomik të vendit tonë sesa forca e fjalës dhe e veprimeve të një individi të vetëm.

E vërteta në fjalën dhe veprimet e mia e rrit dita-ditës nivelin e këtij vlerësimi, sepse sikundër shprehet Rembrand: “Ata që e duan të vërtetën, janë të rrallë”.

Ju ka joshur ndonjëherë ideja e të punuarit jashtë Shqipërisë, në kushte optimale, me një pagë të mirë?

Gjatë këtyre 34 viteve të ushtrimit të profesionit shumë të nderuar dhe tejet fisnik të mjekut, më janë dhënë mundësitë të arsimohem dhe të punësohem edhe jashtë vendit, në kushte shumë më optimale dhe me një pagë shumë herë më të lartë se kjo që kam.

Por duhet t’ju them shumë sinqerisht se një falënderim i ndjerë, një mirënjohje e shprehur në gjuhën e mëmës, vlerësimi i marrë nga të gjithë shqipfolësit e tjerë, më është dukur përherë më shumë miklues, më shumë frymëzues dhe më i sinqertë se ato të marra në rrethana të tjera dhe në mjedise sociale joshqiptare.

Mund të jetë thjesht një çështje perceptimi, por unë e përjetoj shumë pjesën shpirtërore të së përditshmes sime.

Një kolege dhe ish-studente imja, që sot punon në një nga universitetet më në zë në SHBA, më shkruante disa vite më parë si urim për ditëlindje: “Profesor Tritani, nëse mjekësia shqiptare do të kishte së paku 10% të mjekëve si ju, shpreh besimin se do të ishte e panevojshme që shumë shqiptarë të merrnin udhët e botës për t’u diagnostikuar dhe mjekuar si duhet.”

A është ky vlerësim i hiperbolizuar apo i vërtetë? Këtë gjë më mirë sesa unë u takon ta thonë pacentët e mi. Por një fakt qëndron: unë e konsideroj cilindo prej të sëmurëve të mi si pjesë integrale të jetës sime dhe ndaj tyre vë në dispozicion çdo grimcëz të energjive dhe përpjekjeve të mia.

Nuk mendoni se keni sakrifikuar tepër që të qëndroni larg familjes për hir të punës?

Më keni prekur mjaft në pikën time më të dobët: familja dhe fëmijët e mi. Unë i kam kryer studimet pasuniversitare në Universitetin Paris-7, në Fakultetin e Mjekësisë “Xavier Bichat”, një nga tempujt e mjekësisë evropiane dhe më gjerë. Në atë kohë ishte e ndaluar të merrje familjen me vete gjatë kohës së këtyre studimeve, ndaj dhe unë shkëputesha sa herë që më krijohej mundësia që të shijoja ngrohtësinë e mjedisit tim familjar. Vetëm atëherë përjetoja momente nga rritja e dy krijesave të mia të para: Besjana dhe Enkelejda Kalo, meqenëse vajza e tretë Genta Juna Kalo nuk ka lindur në Shqipëri, por në Kanada.

Më vonë, me hapjen e Shqiperisë, ato m’u bashkuan në Paris, ku kaluam një periudhë të gjatë e shumë mbresëlënëse të jetës sonë.

Ato dhe unë kemi bërë shumë sakrifica nga jeta jonë e shumëdëshiruar familjare për të mbërritur këtu ku jam sot. Fatmirësisht, prej familjes sime në shumicën në kohës kam gjetur mirëkuptimin dhe mbështetjen e duhur, ndaj  dhe u jam shumë-shumë mirënjohës si time shoqeje, Rozeta Kalos, po ashtu edhe të tre yjeve të mi për këtë qëndrim të tyre.

Për t’iu gjendur prindërve në vitet e shtyra të pleqërisë, mora shumë vite më parë udhën e rikthimit në atdhe, ku m’u krijua mundësia e riintegrimit tim të shpejtë profesional, por me një kosto jo të vogël morale: të jetuarit larg katër krijesave të mia më të dashura.

Frëngu shprehet: “Larg syve, pranë zemrës” (Loin des yeux, près du coeur), në të kundërtën e konceptimit tonë. Unë e jetoj çdo sekondë të jetës sime shpirtërisht i lidhur me to.

Çfarë konsideroni arritje në jetën tuaj profesionale dhe sa i vlerësuar ndiheni nga puna që keni bërë dhe vazhdoni të bëni?

Është pak e vështirë t’i përgjigjem pyetjes suaj, por mendoj se fakti i vetëm i të qenit i shumëvlerësuar nga kolegët dhe publiku i gjerë në lidhje me punën time të përditshme, si dhe  me qëndrimet e mia koherente socio-profesionale, do të konsiderohej prej meje si arritja më e madhe në këto 34 vite pune. Jul Cezari shprehej se “guximi dhe zgjuarsia vijnë nga burrëria”. Të parët e mi, në gjurmët e tyre prindërit e mi e unë pas tyre, e kemi treguar me jetën tonë se të qenët të qëndrueshëm, “burrëror” në mendimet dhe në veprimet tona, na e ka bërë të mundur që me kurajë e inteligjencë njëkohësisht  të themi mendimin e duhur dhe të lirë, si dhe të mbajmë qëndrimin e duhur në dobi të mirëqenies socio-profesionale jo vetëm individuale.

Megjithatë, unë jo gjithmonë kam marrë vlerësimin e duhur nga mjedisi ynë profesional, politik dhe ai shoqëror për këtë individualitet timin mendimesh dhe qëndrimesh. Por e vërteta fitohet me mund dhe ajo paguhet me çdo çmim.

Doktor, si ka ndryshuar mjekësia në vite? Si kanë ndryshuar mjekët?

Për fatin tonë të mirë mjekësia jonë në gjurmët e traditës së saj më të mirë, si dhe nën shembullin e më të përparuarve të mjekësisë botërore, ka bërë një hop shumë cilësor si në në cilësinë e infrastrukturës diagnostikuese të vënë asaj në dispozicion, po ashtu edhe në cilësinë e njohurive të përftuara nga ana e personelit tonë mjekësor.

Mjekësia është një shkencë në lëvizje, në progresion të vazhdueshëm, si nga sasia edhe cilësia e njohurive që ajo na ofron. Mjeku ynë e ka lartësuar vetveten në sajë të sakrificave dhe punës së tij të përditshme, për t’u bërë sa më konkurrues dhe i vlerësuar në tregun e sotëm të punës këtu dhe gjetiu.

Asnjëherë të mos harrojmë atë çka cilësuar babai i mjekësisë Hipokrati, se “Mjeku vlen më tepër se sa shumë burra”.

Megjithatë, ka jo pak individë që mosdëshira e mospërpjekja e tyre i ka lënë mbrapa, por kjo ka qenë zgjedhja e tyre individuale. Këtu do të më duhej të përmendja ndërhyrjet vend e pa vend të politikës në këto 24 vitet e fundit në fushën e shëndetësisë shqiptare. Politizimi shpesh i tejskajshëm edhe i këtij sektori kanë bërë që progresi në fushëm e zhvillimit shëndetësor të mos ishte ai i shumëprituri, si dhe në të të vegjetojnë apo të progresojnë pa meritë jo pak individë.

Ajo që mua më shqetëson si humanist, është fakti se mjekët tanë në jo pak raste “nuk vijojnë të jenë avokatët e njerëzve të varfër”, sikundër i ka cilësuar ata Virhovi. Kërkesat për një pasurim të shpejtë dhe me çdo mjet, si trend i shumëpërhapur në çdo qelizë të shoqërisë sonë post-diktatoriale, i kanë larguar jo pak mjekë nga humanizmi dhe fisnikëria e profesionit të tyre. Le të shpresojmë se ky qëndrim i tyre është i përkohshëm, si dhe që kjo dukuri do të zvogëlohet në shkallën e përhapjes së saj.

Sigurisht, kjo dëshirë e imja nuk do të thotë aspak se jam dakord me faktin e mosvlerësimit të duhur moral dhe material, që në shumë rrethana mjekëve dhe infermierëve u bëhet nga politikëbërësit tanë. Përkundrazi, i qëndroj mendimit se puna e mirëvlerësuar jo vetëm moralisht e mjekëve dhe infermierëve tanë, do t’i bëjë edhe më humanë qëndrimet dhe veprimet e tyre të përditshme.

A mos ndoshta sot ka më shumë hipokritë që betohen me fjalët e Hipokratit sesa mjekë humanë?

Kjo gjë varet nga misioni që gjithsecili prej mjekëve i ka vënë vetvetes. Nëse një mjek formohet si një individ shoqëror, i cili i përkushtohet detyrimit për t’iu gjendur kurdoherë atij që ka nevojë të marrë shërbimet e tij, ai kurrë nuk mund të mbajë qëndrime hipokrite ndaj betimit të Hipokratit. Në të qartazi thuhet se “do ta kaloj jetën dhe profesionin tim në pastërti dhe dëlirësi”.

Ju ka favorizuar apo penguar përfshirja në politikë?

Për mendimin tim, një politikë është progresive dhe e sinqertë vetëm nëse ajo bart në të moral të shëndetshëm. Zhan Zhak Ruso shprehej se “kush e ndan moralin nga politika, nuk i ka kuptuar të dyja”. Unë në asnjë moment nuk i jam shmangur detyrimit tim qytetar për të qenë i angazhuar në qëndrimet e mia politike. Gjithmonë jam rreshtuar në “barrikadën” e luftës për një mendim dhe qëndrim të lirë, për demokratizimin e vazhdueshëm të çdo qelize të veprimtarisë socio-ekonomike në vendin tonë.

Më 31 mars 1991 u nisa për në Tiranë me linjën direkte të fluturimit Paris-Bari-Tiranë, në mënyrë që të përjetoja nga afër emocionet e zgjedhjeve të para pluraliste që cilat zhvilloheshin në vendin tonë, si dhe që t’ua ofroja votën time këtyre ndryshimeve.

Të qenët mjek më ka bërë tolerant përkundrejt mendimeve dhe qëndrimeve, të cilat jo gjithmonë përputhen me ato të miat, nisur gjithmonë nga parimi gandian se “toleranca është maja më e lartë e trimërisë”. Unë jam jo pak idealist dhe si i tillë dua të vdes. Megjithatë jo gjithmonë kam gjetur mirëkuptimin e klasës politike të të dy krahëve të politikës sonë, si dhe disa herë edhe “jam ndëshkuar” për qëndrimet e mia të lira, të pavarura dhe parimore.

Kjo gjë ka ndodhur në vitin 1994 kur nuk u “tufëzova” dhe refuzova të firmos një memo të të gjithë pedagogëve të Fakultetit të Mjeksisë në përkrahje të Referendumit të kohës për ndryshimet Kushtetuese. Gjithashtë në vitin 1998, kur edhe pse e majta erdhi në pushtet, më refuzoi të drejtën në përputhje me Ligjin e Arsimit të Lartë të kohës, që të mundesha të merrja një vit “sabatik”, duke ia dhënë këtë mundësi kujtdo prej pedagogëve të Universitetit të Tiranës, çka automatikisht më humbiste vendin e punës, pa përfshirë këtu faktin se isha i vetmi pedagog i këtij Universiteti që u përjashtova nga listat e kualifikimit pasuniversitar në kuadër të programve “Tempus” dhe “Erasmus” në vitet 1992-1997, për arsye të qëndrimit tim kritik ndaj disa politikave jo demokratike të kohës.

Ky qëndrim anakronik ndaj meje nuk ka munguar edhe vitet e fundit, meqë  pas pengimit për rikthimin tim në procesin e mësimdhënies në Fakultetin e Mjekësisë, më vjen si “dhuratë” edhe heqja nga listat e së Majtës në Këshillin Bashkiak të Tiranës.

“Inati dhe lufta e klasave e viteve 1945-1991”, te ne ende po vepron, por në forma më të moderuara të saj. Shoqëria jonë ende vuan pasojat e së shkuarës dhe duhet shumë punë e mund që ajo të emancipohet e demokratizohet në përputhje me kërkesat e kohës. Angazhimi dhe pozicionimi im përballë së keqes ka edhe koston e saj socio-politiko-ekonomike.

Konica ka thënë: “Nëse Shqipëria do të vdiste ndonjëherë, në epitafin e saj duhet të shkruhet: “Shqipëria lindi nga Zoti, shpëtoi nga rastësia, vdiq nga politikanët”…

Ndërhyrja vend e pavend e politikës në shëndetësinë shqiptare si para edhe pas viteve ’90, në jo pak raste ka sjellë dëme afatgjata në ecurinë dhe reformimin e saj. Politizimi i skajshëm ka sjellë në drejtimin e shëndetësisë në mjaft raste individë që nuk kanë asgjë të përbashkët me profesionin e mjekut apo me fushat e veprimtarisë profesionale që përfshihen në shëndetësi, përveç dëshirës së tyre për t’u pasuruar sa më shpejt e me çdo çmim.

Shihni ç’po ndodh me skandalin e barnave të rimbursueshme, me koncensionet në fushën e sterilizimit të instrumenteve dhe të pajisjeve kirurgjikale, në domenin e “check-up” falas të popullatës etj, për të ilustruar më së miri “prerjen” e rrënjëve ushqyese financiare të zhvillimit të sektorit publik  të shëndetësisë shqiptare.

Një qëndrim i tillë nuk i ka shërbyer aspak ecurisë në drejtimin dhe me shpejtësinë e duhur të shëndetësisë shqiptare, përkundrazi e ka “asfiksuar” këtë zhvillim.

Progresionin në fushën e shëndetësisë nuk duhet në asnjë moment ta gjykojmë dhe analizojmë të ndarë nga vetë zhvillimi socio-ekomomik i të gjitha fushave të veprimtarisë socio-ekomomike të vendit tonë. Andaj nuk bëhet fjalë për asnjë rastësi përsa i përket shpëtimit dhe zhvillimit në udhën e duhur të shëndetësise sonë.

“Anija socio-ekonomike shqiptare” ose ankorohet në brigjet e zhvillimit prodemokratik si e tërë, ose mbytet po si e tërë në detin e anarshisë zhvillimore.

Postime të ngjashme

Vaksinat: Konspiracion apo mbrojtje e jetës?
Kur sëmundjes nuk i japim si terapi ilaçin, por betonin
Si 2025 mund të jetë një vit kyç përparimi për industrinë farmaceutike
Hulumtimet e fundit mbi viruset duhet të ngrenë alarmin, shkencëtarët po na vënë në rrezik
Çfarë është mjekësia e personalizuar?
Nuk ka diskutim: dhuna ndikon në shëndet dhe mirëqenie
Sistemi shëndetësor/ Rama si macja që fajson minjtë pse hëngrën djathin, dhe nginjet me të tërën
Mjeku Aliahmeti: Oksid etileni në akullore do të thotë të helmosh me duart e tua fëmijët!