Trupat e huaj në rrugët e frymëmarrjes janë ndodhi të shpeshta, shumë dramatike dhe me pasoja të rënda. Më shpesh ndodhin te fëmijët. Trupat e huaj te fëmijët bllokojnë rrugët e frymëmarrjes dhe japin kuadrin e asfiksisë akute, e cila mund të jetë vdekjeprurëse. Mjekja ORL Anjeza Kuçi në një intervistë për lexuesin e gazetës “Shëndet+” shpjegon gjithçka rreth problemeve që këto trupa të huaj mund të shkaktojnë tek njerëzit, veçanërisht tek fëmijët që siç thamë ishin më të prekurit.
Doktoreshë, sa problematikë janë trupat e huaj në rrugë ajrore?
Përbëjnë një nga urgjencat më madhore në ORL, sidomos nëse bien në organin e prodhimit të zërit dhe të frymëmarrjes, pra në laring dhe në vazhdimësinë e rrugëve ajrore, në trake dhe në bronke.
Cila është mosha më e prirur për të pasur probleme të tilla?
Pacientët më të shumtë me këtë patologji janë fëmijët, kryesisht deri në moshën 3-4 vjeç shumë prej të cilëve e njohin botën duke futur në gojë sende të ndryshme, si copa lodrash, pjesë stilolapsi, fara të ndryshme bimore, por edhe me të rritur.
Një nga këshillat, që si mjekë duhet t’u japim prindërve apo edukatorëve të këtyre është, që gjithmonë lodrat e fëmijëve deri në moshën 3-4 vjeç duhet të jenë sa më homogjene dhe jo të përbëra nga pjesëza shumë të vogla, që mund t’ju rrezikojnë jetën.
Si klasifikohen trupat e huaj?
Në një klasifikim të përgjithshëm trupat e huaj i ndajmë në bimore dhe jo bimore, pikërisht si rezultat i rrezikshmërisë në ekstrem të trupave të huaj me natyrë bimore, të cilët mund të vendosen në njërin nga bronket dhe ta ndryshojnë klinikën me kalimin e orëve, si rezultat i procesit të bymimit deri në bllokimin e plotë të njërit nga bronket, që mund të çojë në pasoja fatale.
Një klasifikim tjetër i ndan ata në të brendshëm e të jashtëm.
Cilat janë shenjat klinike sinjalizuese të pranisë së një trupi të huaj në organizëm?
Gjithmonë mbahet mend një episod mbytjeje nga një trup i huaj, që është shenja e parë klinike, quhet drama laringeale, ku pacienti shtrin qafën, kap grykën dhe zgurdullon sytë për shkak të ndërprerjes së procesit të frymëmarrjes për 2-5 sekonda.
Çfarë mund të bëhet për të ndihmuar personin në atë moment?
Për t’i shpëtuar jetën, kryhet manovra Heimlik, ku familjari e mbështjell pacientin duke u vendosur pas tij me të dy krahët dhe duke ushtruar një presion negativ në muskujt abdominale e pastaj në diafragmë, trupi i huaj del jashtë. Mënyra tjetër është Traketomia, pra hapja e trakesë, që është rruga e kalimit të ajrit nga laringu në bronke, kur rrugët e sipërme ajrore përjashtohen nga procesi i frymëmarrjes.
Çfarë përgjegjësie kanë prindërit meqë pak më lart përmendët se fëmijët e vegjël janë më të rrezikuar?
Fëmijët e vegjël deri në 2 vjeç mund të mbyten, sepse disa prindër gabimisht u japin fruta të thata, si arra të copëzuara, bajame, lajthi, me pretekstin se fëmijëve u pëlqejnë. Si mjekë ORL e kemi për detyrë t’i këshillojmë prindërit ta ndalojnë menjëherë këtë proces. Në urgjencën e ORL-së shumë herë vijnë fëmijë të këtyre moshave në krahët e prindërve, në kushte kërcënuese për jetën, pasi prindërit i kanë ushqyer me copa frutash të thata. Fëmija duhet të rritet, të mbarojë plotësisht dalja e dhëmbëve dhe të fitohet mirë refleksi i përtypjes dhe i gëlltitjes para se ai të ushqehet me këto fruta.
Ka raste kur fëmija i moshës deri në 2-3 vjeç, i ushqyer me copa frutash të thata, të cilën prindi nuk e ka referuar tek mjeku, nuk ka kaluar një akses mbytjeje tipike, shtrohet shpesh në shërbimin e pediatrisë, për shkak të bronkopneumonive të përsëritura me temperature të lartë, të cilave nuk arrihet t’u gjehet shkaku. Në këtë rast pas pyetjeve të hollësishme të prindit, mjeku pediatër duhet të mendojë për një trup të huaj bimor në rrugët e poshtme ajrore, si copëza frutash të thata, të cilat nuk e pengojnë plotësisht frymëmarrjen, por shërbejnë si burim infeksioni kronik në mushkëri.
Po të rriturit?
Në grupin e rrezikut futen edhe të rriturit të cilët kanë vesin e mbajtjes në buzë midis dhëmbëve të sendeve të ndryshme, si fije shkrepëse, kruajtëse dhëmbësh, ku një aksident i vogël, një rrëzim, një humbje ekuilibri bën që ato të përfundojnë në rrugët e poshtme ajrore, pa kaluar fare aksese mbytjeje apo kollë.
Tri janë shenjat klinike për trupin e huaj në rrugët ajrore:
- Episodi i mbytës
- Akcesi i kollës
- Frymëmarrja e vështirësuar
Siç e thashë më sipër, një pakujdesi e vogël e prindit për fëmijën apo edhe një ves i keq ndonjëherë mund të na çojnë në pasoja kërcënuese për jetën.



