Denisa Canameti
Që në orët e para të mëngjesit në Spitalin Universitar të Traumës paraqiten pacientë me probleme të ndryshme shëndetësore.
Por kjo nuk është e vetmja gjë që i shqetëson. Të tjera probleme janë të ftohtët dhe mungesa e medikamenteve.
Një nga pacientët e paraqitur sot për shërbim (shiko fotot) kishte nevojë për një medikament si ciprinoli. Infermierja e pavionit në një copë letre e orientoi të afërmin e pacientit drejt farmacisë më të afërt me spitalin, pasi ky medikament, sipas saj, në spital nuk gjendej.
Pas disa minutash pritjeje në stol, në të ftohtë, në kushte aspak të favorshme, e pasi medikamenti u sigurua nga farmacia jashtë spitalit, pacienti mundi që të merrte shërbimin e duhur.
Pavarësisht kësaj, nga ana e Ministrisë së Shëndetësisë vazhdon të këmbëngulet se në spitalet tona, ilaçet nuk mungojnë.


