“Mos e gjykoni mjekun që s’ju ka kërkuar asgjë. Respektoj çdo qindarkë. Media shkon ku e ku të shohë qoftë dhe një 5 mijë lekësh. Korrupsioni në shëndetësi nuk është ky, korrupsioni është në administratë, në tendera”. Kështu u shpreh mbrëmë në një emision televiziv ish-ministrja e Shëndetësisë Anila Godo, mjeke në QSUT. Lidhur me situatën e ditëve të fundit, ku përfshihet testimi dhe korrupsioni (pezullimi nga puna i mjekes së Pediatrisë), dhuna e ushtruar ndaj mjekëve, Godo thotë se situata është pak e mjegullt:
“S’kemi kuptuar ende se ç’po ndodh. A është real ky zemërim apo është i hiperbolizuar. Vështirë të pranosh që bashkëqytetarët përdorin dhunë ndaj mjekut. Është për të ardhur keq. Është një QSUT që nuk përballon dot, nuk arrin të organizojë kontrollin e njerëzve që hyjnë brenda. Njerëzit vijnë të shqetësuar, me një problem shëndetësor dhe hasin pengesa të shumta, presin me orë të tëra, iu duhet të blejnë ilaçe, disa ekzaminime iu duhet t’i bëjnë në privat, u duhet të vijnë të nesërmen përsëri. Por nuk është mjekja fajtore për këtë situatë, e megjithatë mjekët përballen me të”, tha Godo teksa vijoi se është kundër rastit të pezullimit të mjekes së pediatrisë.
“U habita nga reagimi i Milva Ikonomit (zv.ministrja e Shëndetësisë). Jam dakord që një mjek të pushohet nga puna nëse kërkon qoftë edhe një dy mijë lekësh, por jo nëse ky 2 mijë lekësh i futet në xhep pa e kërkuar. Kur isha në krye të shëndetësisë kam pushuar nga puna dy mjekë vetëm për 10 mijë lekë që kërkuan. Do të pushoja çdo mjek që kërkon para. Të denoncohen mjekët, të mos dhunohen. Mjekët e pediatrisë janë të mrekullueshëm. Flas për ta, sepse i njoh të gjihtë. 1 në 100 mjekë mund të ketë atë fytyrë”.
Megjithatë Godo nuk mohon se në shëndetësi ekziston korrupsioni: “Kryeinfermierja ime vajti në maternitet që të lindë. Sa shkoi atje, një infermiere i tha që lindja kushton kaq. Kryeinfermierja iu kthye: “Po nuk ke turp që flet kështu? Unë kam vite që punoj në shëndetësi. Turp të të vijë…” Raste të tilla ka dhe ta dija kush është ajo infermiere, do ta pushoja menjëherë nga puna. Por dua të këmbëngul se shërbimi do t’u jepet njëlloj pacientëve, si paguan, si jo”.
Sipas Godos, korrupsioni nuk qëndron tek mjeku, por tek administrata: “Mos e gjykoni mjekun që s’ju ka kërkuar asgjë. Respektoj çdo qindarkë. Media shkon ku e ku të shohë qoftë dhe një 5 mijë lekësh. Korrupsioni në shëndetësi nuk është ky, korrupsioni është në administratë, në tendera”.
Lidhur me testimin e mjekëve, dr. Anila Godo tha: “Unë nuk mendoj se kemi të drejtë të testojmë çdo mjek, çdo profesionist, kur ne gjatë shumë viteve nuk u kemi krijuar kushtet. Unë mendoj se strategjia e edukimit në vazhdim, të gjitha strategjitë shëndetësore të shoqërohen dhe me një vlerësim të qëndrueshëm. Unë nuk di të kenë institucionet tona një buxhet për edukimin në vazhdim. Kur ti nuk ke një buxhet të paracaktuar, nuk ke dhe të drejtë të testosh në mënyrë individuale. Do të isha për vlerësim anonim, thjesht për të ngritur standarde, për të mbledhur informacion për sektorë të caktuar, për të perfeksionuar strategjinë. Të kuptosh si qeveri se çfarë bëhet”.
Ajo bëri gjithashtu thirrje që media të vlerësojë punën e mjekut: “Media nuk bën emisione për mjekët që humbën jetën në krye të detyrës dhe që iu është harruar emri. Çdo dy muaj mund të bëhet një emision i tillë dhe të nderohen këto figura. S’kam parë emisione për mjekët e mrekullueshëm, heronjtë që kanë rënë në helikopterë, që nuk i kujton më njeri. Mjekë që janë vrarë. Kjo është vogëlsi të mendosh se korrupsioni është ai 2 mijë lekësh. Media të japë edhe figurën e mrekullueshme të mjekëve”.


