Programi kombëtar për trajtimin e infertiliteinti, vijnë në jetë dy foshnja përmes procedurës in vitro

Dy foshnja kanë ardhur në jetë në maternitetin “Koço Gliozheni”, përmes procedurës in vitro që tashmë ofrohet në sistemin publik.

Kryeministri Edi Rama ka shpërndarë postim në Facebook, ku shprehet se Dua dhe Mertoni që erdhën në jetë falë programit kombëtar për trajtimin e infertilitetit.

“MIRËMËNGJES 😊

dhe me dy gëzime të reja nga materniteti “Koço Gliozheni”, Dua dhe Mertoni që erdhën në jetë falë programit kombëtar për trajtimin e infertilitetit, përmes procedurës in vitro që tashmë ofrohet në sistemin publik, ju uroj një ditë të mbarë🫶”, shkruan Rama.

Kujtojmë se kjo procedurë ofrohet tashmë në spitalet publike falas, falë një punë advokuese prej  6 vitesh nga shoqata “Together for Life” (TFL).

Në vitin 2017, TFL identifikoi dhe ngriti për herë të parë shqetësimin për mungesën e mbështetjes për çiftet që përballen me infertilitetin në Shqipëri. TFL kërkoi dhe analizoi fakte dhe të dhëna që treguan se në vitin 2012, një projekt me vlerë prej 25.000.000 lekësh ishte nënshkruar nga qeveria shqiptare dhe Bashkimi Europian për të realizuar procedurën e Fekondimit in Vitro në strukturat shtetërore.

Përmes këtij projekti, specialistë të fushës së obstetrikës-gjinekologjisë dhe embriologjisë u dërguan për trajnim në Itali. Qëllimi ishte që qytetarët që paguanin sigurimet shëndetësore të përfitonin falas nga kjo metodë e riprodhimit të asistuar, ndërsa kriteret dhe procedurat për përzgjedhjen e pacientëve të përfitonin në bazë të prioriteteve të vendosura nga institucionet shëndetësore dhe ekspertët.

Në vitin 2020, TFL zhvilloi një analizë të politikave për nxitjen e lindshmërisë në Shqipëri. Raporti konstatoi se popullsia shqiptare po plaket me ritme të shpejta, lindshmëria po bie dhe ligji për shëndetin riprodhues ishte i mangët. Në përfundim, raporti arriti në konkluzionin se ndërgjegjësimi i menjëhershëm i institucioneve për të zbatuar politika afatgjata të shëndetshme është një emergjencë për shëndetin publik. Raporti u paraqit Avokatit të Popullit, i cili pranoi rëndësinë e kësaj çështjeje dhe nevojën për adresimin e menjëhershëm të këtyre problematikave.

Në nëntor të vitit 2022, gjatë diskutimeve për buxhetin e shëndetësisë në Kuvendin e Shqipërisë, TFL prezantoi disa nga gjetjet e raportit dhe propozoi krijimin e një qendre për fekondim in vitro si një mundësi të rëndësishme për individët dhe çiftet që përballen me infertilitet. Kjo kërkesë u reflektua në buxhetin e Ministrisë së Shëndetësisë me produktin e quajtur “Çifte që përfitojnë nga paketa e fertilitetit”, e cila do të financohej me një fond total prej 1 milion lekësh. Megjithatë, në vitin 2022 nuk u ndërmor asnjë veprim konkret për fillimin e punimeve.

Në buxhetin e vitit 2023, ky produkt u hoq nga lista e financimeve. TFL iu drejtua me shqetësim Komisionit të Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale, në seancën dëgjimore të organizuar për buxhetin e shëndetësisë për vitin 2023. Ministria pranoi se kjo politikë do të vazhdonte përmes një projekti investimi në spitalin Koço Gliozheni.

Më 24 maj 2023, Ministria e Shëndetësisë njoftoi në rrjetet sociale fillimin e zbatimit të projekteve të reja në Maternitetin “Koço Gliozheni” për ndërtimin dhe pajisjen e Qendrës së I-rë publike të Riprodhimit të Asistuar (FIV).

Tashmë , kemi lajmin se në jetë po vijnë fëmijë nga kjo procedurë që po kthen në realitet ëndrrat e shumë familjeve.

Postime të ngjashme

3 këshilla për të ulur konsumin e sheqerit dhe për të qetësuar sistemin nervor
Rriten importet e ilaçeve, KLSH: 80% janë kopje e origjinalit, pa cilësi dhe më shtrenjtë
Ndahet nga jeta akademiku Rexhep Qosja
Pas një viti sfidash, vaksinat mRNA japin shpresë të re në luftën kundër kancerit
Çfarë duhet të bëni në mëngjes për tretje më të mirë gjatë gjithë ditës
5 shenja që tregojnë se sistemi juaj nervor është i mbingarkuar
Raporti i HIV 2025: Shqipëria përballë një vale të re infeksionesh, rekord që nga 2016-a
Shkencëtarët zbulojnë dy pijet me kafeinë që mund të ulin rrezikun e goditjes në tru dhe sulmit në zemër, ja sa duhet të konsumoni për përfitime shëndetësore