Samiti i 8-të në Athinë: Shkenca kërkon politika të reja për reduktimin e dëmit nga duhani

Ekspertë të shëndetit publik, mjek, prodhues dhe politikëbërës nga e gjithë Evropa u mblodhën në Samitin e 8-të të Reduktimit të Dëmit nga Duhani, i zhvilluar në Athinë.

Për dy ditë me radhë, ata diskutuan mbi nevojën urgjente për të ndjekur qasje të reja, të bazuara në evidenca shkencore, për të luftuar epideminë globale të duhanpirjes, nga e cila çdo vit humbasin jetën rreth 7 milionë njerëz.

I pranishëm në këtë samit, Dr. Stelios Kympouropoulos, eurodeputet dhe mjek psikiatër, theksoi se reduktimi i dëmit është një detyrë kur ekzistojnë alternativa më të sigurta dhe të rregulluara ndaj duhanit tradicional. Ai nënvizoi se nevojiten politika humane, proporcionale dhe të bazuara në evidenca për të ndihmuar të rriturit të ulin rrezikun.

Studimet tregojnë se personat që vuajnë nga depresioni, ankthi apo psikozat kanë një shkallë më të lartë të duhanpirjes. Lënia e duhanit nuk përmirëson vetëm shëndetin e mushkërive dhe zemrës, por ndikon pozitivisht edhe në humor, gjumë, energji, marrëdhënie dhe produktivitet.

Ekspertët e shëndetit publik theksuan se, sipas të dhënave më të fundit, produktet pa tym, pajisjet e avullimit dhe produktet me ngrohje paraqesin një rrezik dukshëm më të ulët se cigaret tradicionale, megjithëse jo zero. Shtete si Suedia, Mbretëria e Bashkuar dhe Zelanda e Re kanë dëshmuar se konsumimi i duhanit bie më shpejt kur ekzistojnë alternativa të rregulluara dhe të kontrolluara.

Për të reduktuar dëmet nga duhani dhe për të ndërtuar politika të qëndrueshme në Bashkimin Europian, Dr. Kympouropoulos propozon pesë hapa:

  • Ndarja e qartë midis produkteve me djegie dhe atyre pa tym;
  • Diferencimi i taksave për të nxitur lënien e duhanit;
  • Monitorim i vazhdueshëm i produkteve;
  • Përfshirja e mjekëve në procesin e udhëzimeve;
  • Zbatimi i rregullave etike për mbrojtjen e të rinjve.

Ai theksoi se produktet alternative janë ndjeshëm më pak të dëmshme krahasuar me cigaret tradicionale, por bëri thirrje për rregulla të rrepta që të parandalojnë përdorimin e tyre nga të rinjtë.

Rasti i Shqipërisë: Përvoja lokale në reduktimin e dëmit

Në Samitin e 8-të të Athinës mbi reduktimin e dëmit, Shqipëria solli eksperiencën e saj mbi ndërhyrjet për lënien e duhanit dhe reduktimin e dëmit, nga perspektiva e personelit shëndetësor, përfshirë mjekët e familjes dhe infermierët. Përpjekjet për uljen e numrit të duhanpirësve dhe reduktimin e dëmit kërkojnë jo vetëm informacion të saktë dhe të bazuar në prova shkencore, por edhe kompetencën për ta transmetuar këtë informacion te individët që synojnë të lënë duhanin.

Reduktimi i dëmit mbështet ata që nuk janë në gjendje ose nuk duan të lenë duhanin plotësisht, duke ofruar alternativa më pak të dëmshme të nikotinës. Kur bashkohet me ndërhyrjet për lënien e duhanit, kjo krijon një strategji gjithëpërfshirëse të kontrollit të duhanit.

Gjatë vitit të kaluar, u organizuan trajnime për personelin shëndetësor, si online ashtu edhe fizikisht, në Korçë, Durrës, Lushnje, Berat dhe Vlorë. Pjesëmarrja nga zonat rurale ishte 44%, duke treguar rëndësinë e trajtimit të çështjeve të shëndetit publik edhe në zonat që shpesh mbeten jashtë qendrës së vëmendjes.

Samiti në Athinë dhe përvoja lokale në Shqipëri tregojnë një pikë të përbashkët: politikat efektive për reduktimin e dëmit nga duhani duhet të udhëhiqen nga evidenca shkencore, të jenë humane dhe të përfshijnë aktivisht profesionistët e shëndetësisë. Reduktimi i dëmit dhe ndërhyrjet për lënien e duhanit janë dy krahët e një strategjie të unifikuar që mund të shpëtojë jetë dhe të përmirësojë shëndetin publik.

Postime të ngjashme

AKU bllokon çokokremin "Nudossi" me përmbajtje salmonele
Gjendet helm minjsh në ushqimin për bebe, tërhiqen nga tregu kavanozët me pure
Turqia, destinacion global për shërbime mjekësore: Anadolu Medical Center, lider në këtë rrugëtim
Trajtimi psikosocial dhe shëndetësor i dhunuesve: hallka e munguar për thyerjen e ciklit të dhunës
Lajm i mirë për bluzat e bardha! Nga 1 qershori, rriten pagat për stafin mjekësor dhe teknik të urgjencës
Turizmi dentar po rrit tregun, inspektimet zbulojnë mangësi në klinikat dentare
AKU kontrollon në magazinën e mjekut popullor Ylli Merja: Bllokohen 4 ton bimë medicinale
Administrata Tatimore publikon listën e pagave indikative për sektorin mjekësor dhe estetik