Dezinformimi shëndetësor në Shqipëri nuk mund të konsiderohet më një fenomen i izoluar, por një rrezik real për shëndetin publik, që ndikon drejtpërdrejt në vendimmarrjen e qytetarëve, besimin ndaj mjekëve dhe institucioneve, si dhe në sigurinë shëndetësore të shoqërisë.
Këto gjetje dalin nga raporti “Përballja me dezinformimin shëndetësor dhe deepfake-et në epokën e inteligjencës artificiale”, zhvilluar nga Together for Life, me mbështetjen e See Check Network dhe financimin e Bashkimi Evropian. Raporti analizon format, përhapjen dhe pasojat e lajmeve të rreme shëndetësore në Shqipëri.

Gjetjet u prezantuan sot në një forum me pjesëmarrjen e përfaqësuesve të institucioneve publike, medias, profesionistëve të shëndetësisë, organizatave të shoqërisë civile, qytetarëve dhe të rinjve, të cilët ndanë shqetësimet, qëndrimet dhe përvojat e tyre personale mbi këtë fenomen.
Alida Cenaj, drejtoreshë e Kabinetit pranë Autoritetit të Mediave Audiovizive (AMA), raportoi se gjatë dy viteve të fundit janë evidentuar 6 raste që lidhen me reklamat e fshehta dhe promovimin e paligjshëm të produkteve shëndetësore.
Në panel u ndanë gjithashtu raste konkrete të abuzimit me identitetin e mjekëve të njohur përmes videove dhe fotove të manipuluara (deepfake), të përdorura për reklamimin e produkteve mjekësore pa bazë shkencore.

“Abuzimi me identitetin e mjekëve përmes deepfake-eve dhe reklamave të rreme nuk është vetëm mashtrim financiar, por një rrezik real për jetën e njerëzve. Kam denoncuar disa raste ku emri dhe imazhi im janë përdorur pa dijeni për të shitur produkte mjekësore, por mungesa e mbrojtjes dhe reagimit efektiv i ekspozon mjekët ndaj kërcënimeve dhe vetëgjyqësisë”, u shpreh z. Skënder Brataj, Drejtor i Urgjencës Kombëtare.

Nga ana tjetër, përfaqësues të Komisionerit për të Drejtën e Informimit dhe Mbrojtjen e të Dhënave Personale theksuan se institucionet, veçanërisht ato shëndetësore, kanë përgjegjësi të shtuar për të ofruar informacion të saktë, të kontrolluar dhe të besueshëm, si dhe për të investuar në edukimin e brezave të rinj dhe përgjegjshmërinë e medias.

Dezinformimi shëndetësor duhet të trajtohet zyrtarisht si çështje e shëndetit publik, duke kërkuar ndërhyrje të koordinuar, të menjëhershme dhe afatgjatë. Fenomeni nuk mund të adresohet përmes masave të izoluara, por përmes një qasjeje strategjike dhe gjithëpërfshirëse që përfshin rregullimin normativ, forcimin institucional dhe edukimin e vazhdueshëm të publikut.
Është e domosdoshme forcimi i kuadrit rregullator për mjedisin digjital, përfshirë median audiovizive dhe platformat online, në përputhje me standardet e Bashkimit Evropian. Njëkohësisht, kërkohet rritja e kapaciteteve të institucioneve përgjegjëse dhe përmirësimi i mekanizmave të monitorimit dhe kontrollit, veçanërisht në fushën e shëndetësisë dhe reklamimit të produkteve shëndetësore.
Vëmendje e veçantë duhet t’i kushtohet edukimit mediatik dhe shëndetësor të qytetarëve, si dhe fuqizimit të gazetarëve dhe aktorëve të tjerë kyç për identifikimin, sinjalizimin dhe raportimin në kohë reale të rasteve të dezinformimit shëndetësor. Në këtë kuadër, nevojitet ngritja e një mekanizmi të besueshëm raportimi dhe ankimi, që garanton anonimitetin dhe mbrojtjen e subjekteve raportuese.
Në përfundim, përballja me dezinformimin shëndetësor kërkon një veprim të bashkërenduar mes institucioneve publike, autoriteteve mbikëqyrëse, profesionistëve të shëndetit, medias dhe shoqërisë civile. Në një kohë kur informacioni qarkullon me shpejtësi të paparë, reagimi urgjent dhe i koordinuar mbetet thelbësor për mbrojtjen e shëndetit, besimit dhe mirëqenies së qytetarëve.
Në një kohë kur informacioni qarkullon më shpejt se kurrë, lajmet e rreme po kushtojnë shëndet, para dhe besim, ndaj nevojitet reagim urgjent nga institucionet, profesionistët e shëndetit, media dhe shoqëria civile.
