Bluzat e bardha dolën sërish sot në protestë. Në rrjetet sociale ata kanë shpërndarë edhe kërkesat e tyre lidhur me situatën në vend.
“Ne, Profesionistët e Mjekësisë Shqiptare, të organizuar në Organizaten Sindikale “Unioni i Profesionistëve të Mjekësisë Shqiptare”, mbështetur ne ligjin 7961 datë 12.07.1995, i ndryshuar/ perditesuar, neni 176 e vijues:
Të bashkuar edhe një herë i themi JO dhunës dhe diskriminimit të bluzave të bardha të çdo lloj metode, forme apo nisme joligjore!
Si dhe kërkojmë:
- Respektim të autonomisë së profesioneve tona të rregulluara me ligj
- Përmirësim të kushteve të punës, ilaçe, ambiente, mjete, aparatura bashkëkohore, si dhe rritje të shkallës së sigurisë në mjediset shëndetësore
- Protokolle klinike kombëtare për diagnostikimin, mjekimin dhe ndjekjen në vijimësi
- Rivlerësim të rolit, si dhe përfshirjes akademike të personelit mjekësor në spitalet universitare, duke përfshirë edhe stafin mjekësor në spitalet rajonale të cilët kanë tituj akademik, duke përshtatur statusin e tyre në përputhje me statusin e mjekëve të spitaleve universitare dhe ata me tituj akademikë evropianë
- Shefat e Shërbimeve në Mjekësi në rang vendi të zgjidhen nga vetë bluzat e bardha me votë direkte e të fshehtë, me mandate të mirëpërcaktuara 4-vjeçare, si dhe me të drejtë rizgjedhje vetëm një herë, bazuar në meritat e kryerjes së detyrave të tyre funksionale.
- Sa më shpejt të jetë e mundur të akreditohet dhe njehsohet programi i Fakultetit të Mjekësisë / Stomatologjisë / Farmacisë / Shëndetit Publik me programet e Kartës së Bolonjës sikurse e ka parashikuar ligji i Arsimit të lartë që në vitin 2007, i ndryshur/përditësuar
- Edukimi në Vazhdim, si kudo gjetkë Evropë/Amerikë, të jetë gurthemeli për vijimësinë e kualifikimit të stafit mjekësor profesional, duke e përmisuar sistemin e funksionimit të Qendrës Kombëtare të Edukimit në Vazhdim dhe rifutur në buxhetin e Ministrisë së Shëndetësisë fondet e nevojshme për këto aktivite /konferenca/ kongrese/ publikime/ kualifikime/ specializime. Ky edukim në vazhdim i realizuar në përputhje me Nenin 33 të Ligjit për “kujdesin shëndetësor” nuk parasheh dhe nuk justifikon ligjërisht në asnjë mënyrë nismën antiligjore të testimit masiv të bluzave të bardha të ndërmarrë nga M.SH.
- Të shihet me përparësi nga organet përkatëse dyfishimi i pagave dhe i shpërblimeve të ekipeve mjekësore të shërbimit mjekësor roje 24-orësh, sikurse e kanë vendet fqinje!



