Mjekja endokrinologe Tea Shehu, në kuadër të ciklit të podcasteve “Obeziteti, le të flasim për të”, ka folur për ndikimin që obeziteti mund të ketë në fertilitetin e grave.
Sipas saj, obeziteti nuk është vetëm një problem metabolik, por shoqërohet edhe me procese inflamatore në organizëm, të cilat mund të ndikojnë në funksionimin e sistemit riprodhues.
“Obeziteti ndikon edhe në fertilitet. Mua do të më pëlqente që obezitetin ta karakterizonim së paku si një organ shumë të madh endokrin që ndodhet në trupin tonë, por që, për fat të keq, prodhon shumë citokina inflamatore”, u shpreh Shehu.
Ajo shpjegoi se kjo gjendje inflamatore mund të ndikojë në rregullsinë e ciklit menstrual, duke bërë që disa gra me mbipeshë ose obezitet të kenë cikle anovulatorë, pra cikle në të cilat nuk ndodh ovulacioni.
“Konkretisht, gratë që vuajnë nga mbipesha dhe obeziteti mund të kenë cikle anovulatorë, pra jo funksionale. Nuk arrin të piqet veza siç duhet dhe të bëhet gati për fertilizim”, tha mjekja.
Sipas Shehut, obeziteti mund të lidhet gjithashtu me vështirësi në konceptim dhe me rezultate më pak të suksesshme të procedurave të fertilizimit të asistuar, përfshirë IVF-në.
“Ciklet e IVF-it mund të jenë më të pasuksesshme dhe kjo është një nga arsyet pse edhe mjekët gjinekologë, të cilët për fat sot janë gjithmonë e më të informuar, rekomandojnë që gratë të bien nga pesha përpara konceptimit të një shtatzënie normale apo edhe përpara procedurave të fertilizimit”, përfundoi Tea Shehu.

