Mjekja endokrinologe Tea Shehu, në kuadër të ciklit të podcasteve “Obeziteti, le të flasim për të”, ka shpjeguar pse gratë kanë një prirje më të lartë për t’u prekur nga obeziteti, duke e lidhur këtë me ndryshimet hormonale që shoqërojnë periudha të ndryshme të jetës.
Sipas saj, statistikat e Organizatës Botërore të Shëndetësisë tregojnë se një në tetë persona në botë jeton me obezitet, ndërsa te gratë shifrat janë më të larta. Një nga arsyet lidhet me ndryshimet e vazhdueshme hormonale që përjeton organizmi i gruas gjatë gjithë ciklit të jetës.
“Sot një në tetë persona vuajnë nga obeziteti në botë. Janë statistikat e OBSH-së të vitit 2022 dhe, veçanërisht, gratë kanë një tendencë që të kenë shifra më të shtuara. Kjo lidhet pak edhe me fiziologjinë”, u shpreh Shehu.
Mjekja shpjegoi se gjatë jetës, gratë kalojnë në disa etapa të rëndësishme që shoqërohen me ndryshime të mëdha hormonale, duke nisur nga puberteti dhe periudha riprodhuese, shtatzënia dhe lehonia, deri te premenopauza dhe menopauza.
“Gruaja gjatë ciklit të saj të jetës kalon në periudha të ndryshme, të cilat shoqërohen me oscilacione të hormoneve. Ngjarjet më madhore janë kalimi nga fëmijëria në pubertet, më pas periudha e hershme riprodhuese, shtatzënia, periudha e lehonisë, shtatzënitë e tjera, premenopauza dhe më pas menopauza”, tha ajo.
Sipas endokrinologes, këto ndryshime hormonale mund të krijojnë një terren më të favorshëm për shtimin në peshë dhe zhvillimin e obezitetit.
Por ndryshimet nuk ndodhin vetëm në periudha të mëdha të jetës. Edhe cikli menstrual shoqërohet çdo muaj me luhatje hormonale, të cilat mund të ndikojnë në nevojat energjetike dhe në sinjalet që lidhen me urinë dhe ngopjen.
“Përveç këtyre ngjarjeve madhore, në intervale shumë më të shkurtra, pra çdo një muaj, kemi edhe oscilacionet e ciklit menstrual, të cilat gjithashtu mund të shoqërohen me ndryshime të nevojave energjetike dhe të sinjaleve të oreksit apo të ngopjes”, shpjegoi Shehu.
Duke e krahasuar me meshkujt, mjekja theksoi se gratë përballen me më shumë ndryshime hormonale gjatë jetës, çka mund të ndikojë edhe në luhatjet e peshës.
“Duke pasur parasysh që te meshkujt e gjithë situata është kryesisht një ‘plateau’, te femrat ka shumë më tepër mjedis të favorshëm për t’u shoqëruar me ndryshime në peshë”, përfundoi Tea Shehu.

