“Nuk duhet të hani një vakt në ditë”, mjekja zbulon sekretin për një jetesë të shëndetshme për pacientët obezë

Në ciklin e podcasteve “Obeziteti, le të flasim për të”, mjekja endokrinologe Renta Sanxhaku ka folur për rëndësinë e një mënyre të shëndetshme dhe të qëndrueshme të ushqyerjes për personat me obezitet.

Sipas saj, fokusi nuk duhet të jetë te rënia e shpejtë në peshë apo te dietat drastike, por te krijimi i zakoneve të shëndetshme që mund të ndiqen gjatë gjithë jetës.

“Mentaliteti i një individi nuk duhet të jetë tërësisht i përqendruar te rënia e shpejtë në peshë apo te dietat drastike”, u shpreh Sanxhaku.

Ajo theksoi rëndësinë e shpërndarjes së vakteve gjatë ditës, duke këshilluar konsumimin e vakteve kryesore, mëngjesit, drekës dhe darkës, në porcione të përshtatshme.

“Ka individë që thonë: ‘Unë vij dhe ha vetëm një herë në ditë’ dhe në njëfarë mënyre mendojnë se po bëjnë mirë, por në fakt nuk është mirë. Shpërndarja e ushqimit në vakte të vogla dhe në vaktet kryesore është gjëja më e mirë e mundshme”, tha mjekja.

Sanxhaku nënvizoi gjithashtu rëndësinë e porcioneve të vogla, reduktimit të karbohidrateve dhe rritjes së konsumit të perimeve. Sipas saj, këto janë pjesë e një qasjeje ushqimore që synon të ndërgjegjësojë individët me obezitet se ndryshimi i mënyrës së të ushqyerit duhet të jetë afatgjatë dhe jo një zgjidhje e përkohshme.

“Duam t’i bëjmë ata sa më të vetëdijshëm se kjo lloj mënyre do t’i shoqërojë gjatë gjithë jetës. Pra, nuk është vetëm për pak kohë”, u shpreh ajo.

Duke iu referuar diskutimeve të fundit në kongreset mjekësore, Sanxhaku tha se Akademia Amerikane e Diabetit i kushton rëndësi gjithnjë e më të madhe mënyrës së ushqyerjes, përtej konceptit të një diete me një numër të përcaktuar kalorish.

Sipas kësaj qasjeje, një nga parimet e rëndësishme është edhe ndarja e pjatës: gjysma e saj të përbëhet nga perime, një e katërta nga proteina dhe një e katërta nga karbohidratet.

“Fibrat, perimet duhet të jenë të parat”, përfundoi mjekja.

Postime të ngjashme

EMRI/ Ndalohet drejtori i Spitalit të Fierit, zbardhen detajet e para
Shqipëria vijon të shuhet, lindjet ranë me 10.5% në T3, shtesë pozitive vetëm Tirana e Durrësi
Trajtimi me medikamentet GLP-1 RA, mjekja zbulon gabimet më të zakonshme që bëjnë pacientët
Pagesat nga xhepi për shëndetësinë, Raporti i KE: Qytetarët paguajnë tri herë më shumë se mesatarja e BE-së
Mjekja zbulon dietat që janë efektive për rënien nga pesha
Përtej vitaminës D: Si ndikon drita e diellit në metabolizëm dhe sheqerin në gjak
Pudinga me copëza xhami në treg, AKU: Mos e konsumoni
Medikamentet GLP-1 RA: Çfarë duhet të presin personat me obezitet nga trajtimi me këto barna?