Anulohet tenderi prej 50 milionë eurosh për hemodializën

Anulohet tenderi prej 50 milion eurosh për hemodializën. Mësohet se tenderi është anuluar në pesë qytete. Agjencia e Prokurimit Publik thotë se janë konstatuar gabime dhe mangësi në dokumente.

Procedura, me objekt ofrimin e shërbimit të hemodializës në spitalet e Shkodrës, Lezhës, Korçës, Vlorës dhe Elbasanit për një periudhë 48-mujore, kishte një fond limit prej 4 miliardë e 591 milionë lekësh pa TVSH.

Tenderi ishte zhvilluar me procedurë të hapur dhe në garë kishte marrë pjesë vetëm një operator, kompania Diaverum AB. Subjekti ishte shpallur fitues më 10 shtator 2026, me një ofertë prej 4 miliardë e 440 milionë e 664 mijë e 800 lekësh pa TVSH.

Megjithatë, procedura është anuluar më pas, ndërsa sipas të dhënave të publikuara në sistemin Open Data të Agjencisë së Prokurimit Publik, shkak për anulimin është bërë konstatimi i “gabimeve ose mangësive të rëndësishme në dokumentet e tenderit”.

Procedura kishte nisur më 17 gusht dhe afati për dorëzimin e ofertave ishte caktuar më 1 shtator, pra vetëm 15 ditë pas publikimit të njoftimit.

Në dokumentet e tenderit, autoriteti kontraktor e kishte justifikuar shkurtimin e afatit me urgjencën për garantimin e vijimësisë së shërbimit të hemodializës, duke e cilësuar atë si një shërbim shëndetësor esencial dhe jetik. Argumentimi lidhej edhe me përfundimin e kontratës ekzistuese dhe kohën e nevojshme për zhvillimin e një procedure të re.

Anulimi vjen në nisje të drejtimit të Ministrisë së Shëndetësisë nga ministrja e re Klodjana Spahiu. Tashmë pritet që për shërbimin e hemodializës të ndiqet një procedurë e re prokurimi, pas konstatimit të problematikave në dokumentet e tenderit të parë.

Tenderi kishte tërhequr vëmendje edhe për faktin se në garë kishte vetëm një konkurrent, ndërsa procedura ishte shënuar me “RedFlag” në analizën e të dhënave të prokurimit. Ky shënim lidhet me rrethana që mund të sinjalizojnë risk potencial në aspektin e pajtueshmërisë ligjore apo të praktikave të prokurimit, por nuk përbën në vetvete konstatim të një shkeljeje apo korrupsioni.

Postime të ngjashme

EMRI/ Ndalohet drejtori i Spitalit të Fierit, zbardhen detajet e para
Shqipëria vijon të shuhet, lindjet ranë me 10.5% në T3, shtesë pozitive vetëm Tirana e Durrësi
Shtatë fëmijë të Kopshtit nr. 10 në Vlorë përfundojnë në spital, dyshohet për helmim nga ushqimi
Produktet e pasigurta në treg, alarmi vjen nga Belgjika; kontrollet në Shqipëri ranë me 33% në 2025
Trajtimi me medikamentet GLP-1 RA, mjekja zbulon gabimet më të zakonshme që bëjnë pacientët
Buxheti 2027/ Spahiu: 117.8 miliardë lekë për shëndetësinë dhe mirëqenien sociale
Pagesat nga xhepi për shëndetësinë, Raporti i KE: Qytetarët paguajnë tri herë më shumë se mesatarja e BE-së
Mjekja zbulon dietat që janë efektive për rënien nga pesha