‘Qeverisja, në vend që të reflektojë dhe tërhiqet nga vendime të tilla të rrezikshme, ngulmon në rrugën e saj duke thelluar përplasjet me personelin e sistemit shëndetësor. Ajo po tregohet e shurdhër qoftë edhe për të dëgjuar mendimet e Urdhërave, Komisionit Parlamentar, Avokatit të Popullit etj”. Kështu u shpreh sot Tritan Shehu, kreu i Departamentit të Shëndetësisë në PD, lidhur
me testimin që pritet të realizohet për infermierët në datat 28 shkurt dhe 1 mars.
“Së pari, dëshiroj të përshëndes sot Urdhrin e Infermierëve për paraqitjen e kundërshtimit në Gjykatën Administrative të vendimit qeveritar për të ashtuquajturin “testim”.
“Së dyti, përshëndesim solidaritetin e plotë të mjekëve, stomatologëve, farmacistëve, infermierëve, laborantëve etj, të demostruar këto javë për të ndaluar këtë projekt të paligjshëm e diskriminues ndaj atyre vetë’, tha Shehu.
Më tej deputeti i Partisë Demokratike thekson se qeveria në vend që të reflektojë dhe tërhiqet nga vendime të tilla të rrezikshme, ngulmon në rrugën e saj duke thelluar përplasjet me personelin e sistemit shëndetësor. Ai tha se qeveria po tregohet e shurdhër qoftë edhe për të dëgjuar mendimet e Urdhërave, Komisionit Parlamentar, Avokatit të Popullit etj.
“Në këtë mënyrë po kërkohet që artificialisht të krijohen konflikte të pa nevojshme mjekë-pacientë, për të fshehur përgjegjësitë për problemet e mëdha dhe reale të atij sistemi, që kjo qeveri veçse po i shton e zgjeron çdo ditë”, u shpreh ai.
“Kërkohet kështu që nëpërmjet këtij “testimi” arbitrar të hidhet mbi personelin shëndetësor përgjegjësia për atë çfarë po ndodh me të gjithë përbërësit e shëndetësisë shqiptare’ vazhdon më tej Shehu. “Po tentohet nga ana tjetër që ky personel të mbahet i heshtur dhe i terrorizuar, si dhe që vendet e punës të rindahen sipas vullneteve politike e klienteliste”.


