Dr. Sena Tarelli, stomatologe
Implantologjia sot po zë një vend të rëndësishëm në tendencën moderne të stomatologjisë. Dëmtimet në sistemin mastikator e më gjerë vijnë si pasojë e shkaqeve gjenetike, e sëmundjeve të ndryshme dentare (kariesi, paradontopatitë), traumat, infeksionet si dhe tumoret e ndryshme të regjionit oral dhe maksilofacial.
Jo rrallë këto dëmtime shoqërohen me dëmtime të nofullave ose defekte të harqeve dentare dhe të raporteve ndërnofullore, të funksioneve muskulare dhe të ATM e indeve për rreth. Për pasojë, kemi ndryshime të ndjeshme funksionale, estetike e jo rrallë psikologjike.
Sot implantet janë një metodë e preferuar për trajtimin e dhëmbëve të hequr, sepse ato funksionojnë identik si dhëmbët natyralë dhe ndihmojnë strukturat kockore të nofullave në parandalimin e atrofisë nga humbja kockore.
Humbja e dhëmbëve është një problem shëndetësor i madh, por protezat dhe urat në stomatologjinë klasike nuk janë përgjigja e duhur. Urat e porcelanit kërkojnë sakrifikimin e dhëmbëve të mirë që të shërbejnë si kulte të urës. Pacientët e kanë të vështirë të ruajnë higjienën dhe si rezultat urat mund të bien. Protezat e lëvizshme mund të lëvizin dhe në disa raste pacientet mësohen me vështirësi të ushqehen dhe të flasin.
Evidencat shkencore tregojnë se për pacientë edetuloz në nofullën e poshtme, protezimi fiks mbi implante është më superior krahasuar me protezat e lëvizshme. Buletine të shumë institucioneve shëndetësore botërore, bazuar në statistika, paralajmërojnë se sëmundjet e dhëmbëve po shndërrohen në një epidemi të heshtur.
Qëllimi përfundimtar i stomatologjisë moderne është të rivendosë sistemin stomatognatik në funksion normal në aspektin shëndetësor, fonetik, estetik, pavarësisht nga atrofitë, traumat apo sëmundjet.


